Në vitin 2016, ecuria në skemën e pensioneve u karakterizua nga një seri zhvillimesh të rëndësishme ku mes të tjerave një tkurrje me 40% e kontribuuesve të fshatit. Referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për zbatimin e buxhetit faktik, rezulton se vitin e kaluar, kontribuues nga fshati ishin 53,168, duke shënuar rënie në raport me 2015.
“Rezultati financiar i degës së pensionit të fshatit mbetet problematik për shkak të numrit të vogël të të siguruarve në bujqësi dhe nivelit të ulët të pagës minimale. Kështu, deficiti i financiar i degës së pensioneve të fshatit ka rezultuar 11,593.2 milion lekë, nga 10,716.3 milionë lekë që ishte një vit më parë, ose 8.2% më shumë se një vit të parë”, thuhet në raportin e KLSH.
Kjo situatë ka përkeqësuar edhe raportin e mbulimit ku të ardhurat nga dega e pensionit të fshatit mbulojnë vetëm 22% të shpenzimeve të kësaj dege, në krahasim me 28% një vit më parë.
Situata paraqitet më mirë në qytet ku kemi një rritje të mbulimit. Në fund të vitit 2016, të ardhurat nga dega e pensionit të qytetit mbulojnë 80.7% të shpenzimeve të kësaj dege, në krahasim me 77.7% një vit më parë.
Në total, e gjithë skema duket se ka një ulje të deficitit, i cili ka ardhur si efekt i rritjes së të ardhurave me 10.4% dhe uljes së shpenzimeve me 6.3% në raport me një vit më parë.
Efekt pozitiv duket se ka dhënë rritja gaduale e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj çdo vit. Në vitin 2016, efekti i kësaj mase llogaritet në 400 milionë lekë.
Stoku i borxhit në skemë
Bizneset private, por edhe entet shtetërore, duket se vijojnë të akumulojnë borxhe në skemën e pensioneve. Kontrolli i Lartë i Shtetit nënvizon se numri i bizneseve të mëdha debitore u rrit me 11,634 subjekte në shumën 3,1 miliardë lekë, kurse vlera totale e borxhit të këtyre subjekteve në fund të vitit 2016 është 9,4 miliardë lekë.
“Me rritje dhe në mënyrë shqetësuese mbetet trendi i subjekteve me borxh dhe në sektorin publik ku rritjen më të madhe e ka sektori buxhetor, me 608 subjekte në shumën 406,522 mijë lekë. Vlera totale e borxhit të subjekteve publike në fund të vitit 2016 është 2,1 miliardë lekë” nënvizon KLSH.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.