Në bordero do të shtohet kolona për skemat e pensioneve private profesionale të kontributeve të sigurimeve. Pra, kush kërkon një pension më të lartë ose dëshiron të dalë në pension para të tjerëve, do të ketë shumë shpejt një mundësi reale, të siguruar nga ligji. Kështu, pas reformës së sigurimeve shoqërore të detyrueshme, qeveria u kthehet fondeve të pensioneve private vullnetare. Një grup pune i AMF-së është duke i dhënë dorën e fundit projektligjit “Mbi fondet e pensionit vullnetar”, që po hartohet me asistencën e ekspertëve të Bankës Botërore. Drafti i ri i hap rrugën AMF-së të autorizojë ofrues pensionesh ose administrues të fondeve private të pensionit edhe nga vendet e BE-së.
Skemat profesionale
Për disa profesione, si minatorët, është ofruar mundësia e uljes së moshës. Por, si mund të realizohet? Për herë të parë në Shqipëri do të krijohet kuadri ligjor për skemat profesionale, ku të gjithë punëtorët e një institucioni bien dakord dhe futen së bashku në një skemë profesionale pensioni. Pra ligji i ri “Mbi fondet e pensionit vullnetar” do të përfshijë këtë skemë. Çdo të thotë kjo për një punëmarrës. Përveç 21.6% që paguan në skemën e detyrueshme të kontributeve të sigurimeve shoqërore, punonjësi do të derdhë një shtesë page. Sipas informacioneve nga Ministria e Mirëqenies Sociale, për minatorët kjo do të jetë 3% që do ta paguajë punëdhënësi dhe 2% punëmarrësi. Në këtë mënyrë grumbullohen të ardhurat që këta individë të dalin më herët dhe të financojnë pensionin e tyre. Sipas ligjit të ri që po hartohet, çdo kategori që dëshiron të dalë më herët në pension mund të bëjë një marrëveshje kolektive dhe të krijojë skema profesionale pensionesh. Në këto skema do të derdhet një kontribut shtesë prej 5% të pagës, 3% nga punëdhënësi dhe 2% nga punëmarrësi. Pjesëmarrja në këto skema do të bëhet me anë të kontratave kolektive dhe fondet do të investohen dhe menaxhohen nga fondet private të pensioneve apo subjekte të tjera të autorizuara nga AMF. Pra skemat private do të vazhdojnë të mbeten vullnetare, ndërkohë që do përmirësohet kuadri ligjor që këto fonde të lehtësohen nga taksat.
Pra, skemat suplementare, skemat profesionale dhe fondet private do të harmonizohen dhe reformohen nga ligji i ri. Ligji aktual krijon një sistem të detyrueshëm publik të sigurimeve shoqërore, por ka edhe një kolonë suplementare vullnetare, e cila nuk është aplikuar deri më sot. Sipas draftit, “Mbi fondet e pensionit privat vullnetar”, pjesëmarrja në këto skema ose fonde, nuk e përjashton individin nga detyrimi për kontributet e sigurimeve shoqërore
Skemat, të detyrueshme me ligj
Skemat profesionale për profesionet e vështira do të kthehen në detyrim ligjor dhe do të përfshijnë disa kategori si punonjësit e industrisë minerare, punonjësit e industrive të tjera si nafta dhe metalurgjia, punonjësit e artit dhe kulturës etj. Këto skema do të kenë si synim garantimin e të ardhurave për individët që dalin në pension më herët sesa mosha zyrtare e daljes në pension. Ato do të jenë kontributive, ku masa e kontributit do të ndahet mes punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe do të krijohen mbi bazën e marrëveshjeve kolektive. Mbikëqyrja e këtyre skemave do të bëhet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Ndërkaq, fondet private të pensioneve do vazhdojnë të bazohen në vullnetin e lirë të qytetarëve për të kontribuar në to. Me draftin që po përgatitet, këto fonde nuk do të tatohen më dy herë, për kontributin dhe përfitimin, por do të paguajnë taksë vetëm për përfitimet.
Plani i pensionit profesional
Në kapitullin V neni 50 të projektligjit, përshkruhet krijimi i planit të pensionit profesional. Sipas draftit, punëdhënësi mund të krijojë një plan të pensionit profesional për punëmarrësit e tij duke lidhur një kontratë me shoqërinë administruese që do të ofrojë fondin e tij të pensionit për punëmarrësit. Shoqëria administruese nuk mund të jetë një palë e lidhur me punëdhënësin. Punëdhënësi mund të marrë përsipër detyrimin për të paguar kontribute për planin e pensionit profesional, duke kontribuar në emër dhe në favor të punëmarrësve; dhe duke bërë një ose disa pagesa të rregullta shoqërisë administruese për të mbuluar tarifat e shoqërisë administruese që duhet të paguheshin nga anëtarit. Çdo kontribut i paguar nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit do të konsiderohet sikur është paguar nga vetë punëmarrësi. Punëmarrësi hyn në fondin e pensionit profesional duke nënshkruar kontratën e fondit të pensionit profesional me shoqërinë administruese. Kontrata e fondit të pensionit profesional përfshin planin e pensionit profesional përkatës dhe rregullon detyrimin e punëdhënësit për të paguar kontributin. Kjo kontratë nënshkruhet nga punëdhënësi, shoqëria e administrimit dhe nga punëmarrësi.
Fondi i pensionit vullnetar
Sipas draftit, fond pensioni vullnetar është një grup asetesh, i krijuar mbi bazë kontrate dhe pa personalitet juridik, të cilat zotërohen bashkërisht nga disa persona në pronësi të ndarë dhe ku pjesët e pronësisë përfaqësohen nga kuota në fondin e pensionit. Çdo kuotë pensioni përfaqëson pronësinë e pjesës përpjesëtimore të aseteve, të cilat ndodhen në fondin e pensionit. Fondi i pensionit administrohet nga shoqëria administruese në bazë të kontratës së fondit të pensionit me anëtarët me qëllim rritjen e aseteve për anëtarët e fondit. Çdo individ mund të bëhet anëtar në një fond pensioni, vetëm pasi ka lidhur një kontratë fondi pensioni me shoqërinë administruese. Përpara nënshkrimit të kontratës së fondit të pensionit, shoqëria administruese duhet të sigurohet që individi i cili dëshiron të bëhet anëtar kupton që ky është investimi i duhur dhe është i informuar hollësisht për risqet që lidhen me investimin në fondin e pensionit dhe që risku i agjencisë, risku i kredisë, risku i tregut dhe çdo risk tjetër që shoqëron investimin në fondin e pensionit është shpjeguar qartë. Anëtari ka të drejtë që në çdo kohë të transferojë asetet e tij nga një fond pensioni në një tjetër i cili administrohet nga e njëjta ose nga një tjetër shoqëri administruese.
Tregu i pensioneve private
Aktualisht, numri i anëtarëve të fondeve të pensioneve private është 8191 vetë, sipas të dhënave të AMF-së për tremujorin e parë 2014. Ata janë të ndarë në tri fonde private të administruara nga tri shoqëri administrimi, Raiffeisen, Sigal dhe SiCRED. Totali i aeeteve të tyre u rrit me 11.2% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2013. Në investimet e tyre mbizotërojnë bonot e thesarit dhe depozitat.
Pagesa
Pensioni privat, 5 vjet para moshës që cakton ligji
1. Anëtari i fondit të pensionit ka të drejtën të marrë pagesën e vlerës neto të aseteve në
llogarinë e tij, ose pagesat periodike në formë pensioni, që i korrespondojnë kësaj vlere:
(1) 5 vjet përpara se anëtari mbush moshën e pensionit të parashikuar me ligj për sistemin e
pensionit të detyrueshëm që zbatohet për atë anëtar; ose (2) kur anëtari bëhet i paaftë për punë në mënyrë të përhershme. 2. shoqëria administruese mund t’i propozojë anëtarit të investojë asetet e tij në produkte të tjera financiare para se të kryejë pagesën, por duhet t’i shpjegojë qartë dhe me shkrim anëtarit se ai ka të drejtën e pakushtëzuar për të marrë pagesën e të gjitha aseteve vetjake në fondin e pensionit.
Taksat
Lehtësira tatimore për kontributet e anëtarëve të fondit të pensionit
1. Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi.
2. Kthimi i investimit, duke përfshirë fitimet nga kapitali, prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensionit nuk i nënshtrohen tatimit, as për vetë fondin e pensionit
3. Kontributet e bëra nga punëdhënësi dhe çdo kontribuues tjetër në emër dhe për llogari të anëtarit të një fondi pensioni, për efekte fiskale, nuk konsiderohen si të ardhura personale të anëtarit.
4. Kufiri maksimal për lehtësirat tatimore për kontributet vjetore, është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 200.000 lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
Trajtimi fiskal i kontributeve të bëra nga punëdhënësi
Kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një plan pensioni profesional konsiderohet si shpenzim operativ deri në shumën vjetore për çdo punëmarrës të barabartë me 250.000 lekë dhe kjo shumë konsiderohet si shpenzim i zbritshëm për qëllime të tatimit mbi fitimin të punëdhënësit.
/Gazeta Shqip
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.