Pensionistët që punojnë, shtesë pensioni 2.4 për qind çdo vit, gati projektligji

10/10/2018 10:30 AM 0 komente

Sot të gjithë individët që kanë mbushur moshën e daljes në pension, por janë ende në marrëdhënie pune, përfitojnë pension, por njëkohësisht paguajnë edhe kontribute sipas pagës që marrin.

Pavarësisht se janë ende në skemë, kontributi i tyre nuk ju llogaritet si shtesë në pension. Por duket se Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka gati një projektligj i cili pritet që të ndryshojë këtë praktikë, duke u mundësuar pensionistëve ende kontribuues në skemë që të marrin një shtesë pensioni çdo vit.

Relacioni i projektligjit  “Për sigurimet shoqërore”, nxjerrë për konsultim nga Financat parashtron edhe këtë ndryshim të propozuar.  Sipas këtij relacioni, thuhet se në projektligjin që paraqitet për shqyrtim, ndër të tjera është parashikuar edhe vendosja e një mbi pensioni për të gjithë pensionistët që ndërkohë që marrin këstet mujore të pensionit të pleqërisë, edhe punojnë dhe paguajnë kontribute.

Kështu në nenin 57 të ligjit 7703, në pjesën e dispozitave të përgjithshme është përcaktuar se këstet mujore të përfitimit ndërpriten kur personi përfitues zhvillon veprimtari ekonomike si i punësuar apo vetëpunësuar. Ndërkohë duke pasur parasysh se pensioni mujor, sidomos pensioni minimal është në kushtet e mjaftueshmërisë të plotësimit të kërkesave jetësore, me një dispozitë të veçantë, është miratuar lejimi i tërheqjes së pensionit të pleqërisë kur personi është i punësuar apo vetëpunësuar me kusht që ai të paguajë kontribute.

“Deri më sot, kontributet e paguara nuk kanë rivlerësuar masën e pensionit të përfituesit, por kanë shkuar si solidaritet, ndërkohë që gjithmonë ka pasur kërkesa që nëse kontributet e derdhura nuk shkojnë në rritjen e masës së pensionit, atëherë kjo kategoritë përjashtohet nga derdhja e kontributit. Duke analizuar këto propozime, por edhe duke vlerësuar se çdo përjashtim nga pagesa e kontributeve mund të krijojë probleme në tregun e punës dhe në administrimin fiskal, me projektin që paraqitet për shqyrtim vendoset që për çdo vit që pensionisti që punon të marrë një shtesë mbi pension e caktuar prej 2.4 %në vit” thuhet në relacion.

Një tjetër pikë që pritet të ndryshojë në ligjin për sigurimet është ajo për lëshimin e titujve ekzekutivë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore për ata pensionistë që kanë ndërruar jetë por që për shkak të vonesave në kryerjen e procedurave të çregjistrimit është vijuar me pagesat.

“Në shumicën e rasteve, këstet e gjeneruara për pagesë, për llogari të pensionistit, nuk janë tërhequr dhe kanë mbetur në llogarinë bankare, janë bllokuar për t’u bërë të papagueshme, por nuk mund të kthehen në llogaritë e fondit me kërkesë zyrtare të organeve të Sigurimeve Shoqërore. Në këto raste, nisur nga statusi ligjor i llogarive bankare individuale, për kthimin e shumave, bankat kërkojnë një vendim gjykate. Në këtë projektligj parashikohet që vetëm për rastet e kreditimit të kësteve të pensionit në llogarinë e pensionistit, për periudha mbasi ai ka ndërruar jetë, organet e sigurimeve shoqërore të nxjerrin një titull ekzekutiv i cili do të zbatohet nga bankat” nënvizojnë Financat.

Projektligji do të konsultohet me grupet e interesit dhe më pas do të marrë formën finale për të kaluar në qeveri.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of