Flet Reinaldo KRISAFI, CEO i Tendence3a, distributor zyrtar Renault Dacia Nissan
Si e vlerësoni vendimin e fundit të qeverisë për ndalimin e makinave të përdorura mbi 10 vjet?
Vendimi i ri i qeverisë është një hap i madh përpara për të mirën e të gjithë qytetarëve që jetojmë në këtë vend, duke nisur që nga një mjedis më ekologjik, më i sigurt, më i pastër dhe duke i dhënë hov tjetër për ta ngritur një shkallë më lart industrinë e mjeteve.
Si pritet të ndikojë vendimi në tregun e automjeteve në vend?
Vendimi pritet që, momentalisht, të evoluojë vetëm tregun e mjeteve të përdorura, duke pasur parasysh që aktualisht, në tregun shqiptar, gjenden në stok rreth 120.000 mjete të përdorura Euro 2, 3, 4, 5 ende të pashitura, të patarguara në trajtë stoku nga tregtarët me apo pa licencë. Për pasojë, frenimi i hyrjes së mjeteve nën Euro 5 do të jetë faktor për rritjen e çmimeve për mjetet që do të jenë në stok në tregun shqiptar. Për këtë arsye, ky proces, mendoj që nuk do të ndikojë në rritjen e shitjeve për mjetet e reja, të paktën deri në vitin 2020.
Cilat janë politikat e mëtejshme që ju sugjeroni se duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare, për të nxitur tregun e automjeteve të reja në vend?
Politikat që duhet të ndjekë qeveria janë si më poshtë:
-Formatimi dhe standardizimi në homologim të mjeteve Euro 1, 2, 3, 4 në treg, aktualisht në minimum Euro 5.
-Shteti duhet të jetë faktor, duke mbështetur financiarisht, siç ndodh kudo në vendet e Bashkimit Europian, demolimin e mjeteve të vjetra në këmbim të blerjes së një mjeti të ri, në bashkëpunim edhe me institucionet financiare, për të mbështetur klientët në opsione të kredimarrjes së butë ose leasing-ut me interes 0 lek.
-Një tjetër mundësi duhet të jetë edhe liberalizimi i kontrollit teknik periodik (aktualisht operatori i vetëm SGS) për të gjithë koncesionarët dhe serviset e autorizuara për t’u krijuar një shqetësim më pak qytetarëve.
Së fundmi janë shtuar automjetet që nxjerrin tym të zi kur qarkullojnë në rrugët e vendit. A vini re problematika që lidhen me cilësinë e dobët të karburantit në mjetet që vijnë për të kryer shërbim në servisin tuaj? A keni ndonjë vlerësim se pse ndodh kjo dhe si mund të ndalet?
Kjo vjen si pasojë e shumë faktorëve që tashmë dihen, cilësia e dobët e karburantit, kryerja jo në kohën e duhur e serviseve të automjeteve, mjete të amortizuara me apo pa kryer shërbime periodike dhe teknike.
Vendimi i qeverisë për futjen në treg të mjeteve së fundmi Euro 5, si dhe masat shtrënguese që duhet të jenë në homologim në Euro 5, të mjeteve aktuale që qarkullojnë dhe standardi i karburantit, njëkohësisht dhe siç e thashë më lart liberalizimi i kontrollit periodik, janë faktorët më të mëdhenj të ndotjes në Shqipëri.
Si ka qenë ecuria e kompanisë suaj së fundmi dhe cilat janë sfidat e së ardhmes?
Kompania ecën me ritme të larta, referuar tregut shqiptar, duke ofruar produkte dhe shërbime cilësore, në përputhje me standardet europiane. Ndërkohë sfidat janë të mëdha, pasi kudo në Bashkimin Europian kërkohet frenimi i prodhimit të mjeteve diesel, taksimi i lartë i tyre, deri në fund të 2020 shumë brande nuk do të prodhojnë më produkte me diesel.
Mjetet elektrike mbeten e ardhmja e afërt dhe e largët për Shqipërinë. Them e ardhmja, pasi ne kërkojmë të marrim gjithmonë më të mirën nga vendet e zhvilluara, por në këtë vend mungon së pari infrastruktura. Së dyti, problem mbetet edhe servisi i këtyre mjeteve, pasi jemi në hapat e parë, ku njohuritë janë të pakta. Gjithsesi mbetet përparësi një mjet ekologjik me emisione 0, një mjedis gjithmonë dhe më i gjelbër.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.