Shqipërinë, vizioni nuk ndryshon
Dita e zgjedhjeve nuk është festë kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse shkollat në shumë qytete mbyllen, pasi ato shërbejnë si qendra votimi.
Zgjedhjet zhvillohen në nëntor dhe fituesi zakonisht dihet në fund të ditës së zgjedhjeve, por nuk zyrtarizohet deri më 6 janar.
Kjo ndodh pasi Shtetet e Bashkuara përdorin një sistem të quajtur Kolegji Zgjedhor, i cili cakton një numër të caktuar votash elektorale për çdo shtet, bazuar në numrin e popullsisë. Përveç dy shteteve, në të gjitha shtetet e tjera, kandidati që merr shumicën e votave, merr të gjitha votat elektorale të atij shteti. Kandidati i cili merr të paktën 270 nga gjithsej 538 votat elektorale bëhet president i ardhshëm i vendit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej rreth 200 vjetësh, i zhvillojnë zgjedhjet gjithmonë në të njëjtën ditë, më saktë të martën e parë pas të hënës së parë të nëntorit. (Pra nëse dita e parë e nëntorit bie e martë, zgjedhjet mbahen në të martën pasardhëse).
Vendimi për këtë ditë u mor në vitin 1845 nga Kongresi Amerikan.
Muaji nëntor u zgjodh sepse shumica e amerikanëve ishin fermerë e në atë muaj mbaronin vjeljet — nëntori ishte muaji mes përfundimit të të korrurave dhe nisjes së dimrit të gjatë e të ftohtë.
Dita e diel u përjashtua, sepse votuesit nuk mund të udhëtonin për shkak se për të krishterët ishte ditë pushimi nga çdo detyrë.
Infrastruktura në ato vite nuk ishte e zhvilluar, rrugët në shumë zona nuk ishin ndërtuar ende — ndaj shpesh njerëzve u duhej më shumë se një ditë rrugë për të shkuar në qendrat e votimit. Për këtë arsye, e hëna qe e pavolitshme si ditë votimi dhe u përjashtua. Ndaj u zgjodh e marta.
Amerikanët kanë të njëjtën Kushtetutë prej vitit 1788 (me shumë pak ndryshime) dhe ata kanë ruajtur të pandryshueshëm edhe ditën e votimit.
————–
Intervista/ Flet akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli, deputet në Kuvendin e Shqipërisë
Cili është vlerësimi juaj për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 8 nëntor? Për herë të parë, në garë është edhe një grua? Çfarë kanë sjellë të re në zhvillimin e fushatave elektorale?
Çdo fushatë elektorale presidenciale që zhvillohet në SHBA është e një interesi të veçantë, jo vetëm për çdo qytetar amerikan, për shumë qytetarë në mbarë botën, për studiuesit e shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, natyrisht edhe për ata të shkencave ekonomike. Kjo sepse në këtë fazë të globalizimit që po përjetojmë, niveli i ndërvarësisë ekonomike dhe politike ndërmjet rajoneve të ndryshme të globit është rritur dhe është i tillë që nuk ka të krahasuar me asnjë epokë të mëparshme. Dhe në një situatë të tillë, zhvillimet në një rajon kanë ndikim edhe në rajone të tjera. Kur bëhet fjalë për një shtet si SHBA është e vetëkuptueshme që ndikimi dhe rëndësia rriten edhe më shumë. Përveç këtij fakti, pra ndërvarësisë ekonomike dhe politike, në rastin e SHBA ndikimi është edhe i një lloji tjetër. Me ndryshimet e mëdha të sistemit ndërkombëtar që me përfundimin e Luftës së Ftohtë, demokracia e SHBA është shndërruar në një model sidomos për vendet që janë ende në përpjekje për të forcuar vlerat e demokracisë së tyre. Për këtë arsye, ndikimi vihet re edhe në procesin politik. Gjithnjë e më shumë fushatat elektorale në pjesën më të madhe të demokracive liberale po marrin karakteristikat e fushatave amerikane. Elemente të tilla si debatet janë bërë pjesë normale e procesit politik. Prandaj “trendet” që vihen re në fushatën presidenciale amerikane do të karakterizojnë diku më shumë e diku më pak edhe procesin politik të vendeve të tjera.
Fakti që për herë të parë në historinë politike të SHBA, pretendente për postin më të lartë politik në vend është një grua, sigurisht që është një shenjë progresi dhe emancipimi dhe me një vlerë simbolike shumë të veçantë për vetë arsyet që përmenda më sipër. Në një vend modern dhe demokratik dhe në një shoqëri të hapur si ajo e SHBA, besoj se qytetarët votojnë kryesisht duke u bazuar te vlerat njerëzore dhe politike, te kontributi social dhe tek eksperienca dhe sigurisht te programet dhe platformat politike respektive dhe më pak duke u nisur nga prejardhja apo gjinia e kandidatit. Kjo tregon edhe cilësinë e demokracisë së një vendi. Dhe SHBA e kanë vërtetuar dhe vazhdojnë ta vërtetojnë që kanë një demokraci me cilësi shumë të lartë.
Cilat janë ndryshimet kryesore (nëse mund të përmendni disa) në programet e kandidatëve që bëjnë diferencën? Dhe a ka dallime mes fushatave të mëparshme presidenciale? Nëse po, çfarë?
Epoka e sotme mund të konsiderohet si një epokë post-ideologjike. Karakteristika kryesore e saj (për sa i përket filozofisë dhe ideologjisë politike) është ngushtimi i diferencave ideologjike ndërmjet poleve politike. Ky është një fenomen i disa dekadave të fundit. Ky deideologjizim i politikës ka mbështetës të cilët i mëshojnë fort prakticitetit pa të cilin politika nuk do të kishte kuptim, por ka edhe kundërshtues të cilët i mëshojnë faktit që pa ideologji edhe vetë prakticiteti është i pamundur. Jo vetëm partitë politike i kanë ngushtuar diferencat ideologjike, por edhe struktura e tyre ka ndryshuar dhe po ndryshon. Gjithashtu një pjesë e madhe e qytetarëve (sidomos të rinjtë) nuk ndihen të përfaqësuar nga partitë tradicionale dhe kërkojnë forma alternative të përfaqësimit politik. Në një realitet të tillë po zhvillohet fushata elektorale në SHBA, por edhe në demokracitë e tjera liberale.
Por, me gjithë ngushtimin e diferencave ideologjike, qëndrime të ndryshme për çështje të ndryshme ndërmjet kandidatëve vazhdon të ketë. Këto qëndrime në vija të përgjithshme përputhen me qëndrimet e partive respektive. Kështu çështja e shumëdiskutuar për dekada të tëra në SHBA, pra çështja e abortit vazhdon të ndajë kandidatët. Gjithashtu edhe përqasja ndaj çështjes së emigrantëve të palegalizuar, e armëmbajtjes, por edhe rritja e taksave janë pika ku kandidatët diferencohen. Për sa u përket ndryshimeve me fushatat e mëparshme presidenciale, këto lidhen me faktorët që përmenda, pra me ngushtimin e diferencave ideologjike, me uljen e mbështetjes së votuesve ndaj formave tradicionale të partive, por kryesisht me ndikimin e madh që teknologjia e informacionit ka sjellë në jetën e secilit prej nesh. Me një informacion që përhapet në kohë reale, me rrjetet sociale që duket sikur po zëvendësojnë komunikimin njerëzor, edhe fushata elektorale nuk mund të mos adoptohet me këto kushte të reja.
Çfarë do të sjellë për Shqipërinë zgjedhja e njërit apo tjetrit kandidat?
Politika e jashtme amerikane është shumë e rëndësishme jo vetëm për rajonin dhe vendin tonë, por për të gjithë botën, duke qenë se ndikimi i SHBA-së shtrihet kudo. Sidoqoftë vijat e përgjithshme të politikës së jashtme të një vendi kaq të rëndësishëm nuk ndryshojnë sa herë ndryshon kreu i ekzekutivit. Kjo jo vetëm për arsyen se politika e jashtme bazohet mbi strategji dhe vizion afatgjatë, por edhe sepse në rastin e SHBA, në vendimet e rëndësishme për politikën e jashtme, rol të rëndësishëm luan edhe Kongresi. Pra mund të thuhet se pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve presidenciale, përqasja e SHBA ndaj rajonit tonë, roli konstruktiv dhe i pazëvendësueshëm i saj do të mbetet po i njëjti. Kësisoj më duhet të them se ne na duhet të respektojmë votuesin, qytetarin amerikan për atë që me votën e vet, të lirë e demokratike do të zgjedhin për të drejtuar SHBA-në në mandatin e ardhshëm.
Çfarë mund të huazojë Shqipëria tek modeli i të bërit të fushatës elektorale?
Fushatat elektorale, si dhe pjesë të tjera të procesit politik janë produkt i një kulture politike të caktuar. Ato pasqyrojnë elementët përbërës të procesit politik por edhe ndryshimet që këto elemente kanë pësuar me kohën. Një nga elementët më interesantë por edhe më me vlerë të fushatës elektorale presidenciale besoj se është informimi i vazhdueshëm dhe thelbësor i opinionit publik në lidhje me programet dhe platformën politike të secilit kandidat. Në këtë proces, rol thelbësor luajnë edhe mediat (si ato tradicionale por edhe ato moderne). Në epokën e sotme, pjesa më e madhe e vlerave, besimeve dhe qëndrimeve politike (pra me fjalë të tjera kultura politike) përftohen nëpërmjet konsumit të lajmeve dhe informacioneve që vijnë nga mediat. Rrjedhimisht roli i mediave në procesin politik është thelbësor. Vetëm nëpërmjet informimit të vazhdueshëm cilësor dhe sigurisht objektiv një fushatë e tillë përmbush misionin e saj të rëndësishëm. Vetëm në këtë mënyrë mundet që kandidatët të shprehin në mënyrë të hapur dhe të drejtpërdrejtë avantazhet dhe dizavantazhet e tyre, anët e tyre të forta dhe anët e tyre të dobëta, përparësitë dhe problematikat e tyre. Dhe në këtë mënyrë mundet që qytetarët të bëjnë zgjedhjen më optimale. Një demokraci e shëndetshme është ajo që nuk frikësohet nga shfaqja e hapur e mendimeve të ndryshme, nga diskutimi i ideve dhe nga debati konstruktiv. Dhe kjo besoj se është gjëja më jetike që mund të na mësojë fushata presidenciale amerikane.
Zoti Angjeli, ju do të jeni në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së si vëzhgues i OSCE-së me disa kolegë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, çfarë prisni nga kjo përvojë?
Padyshim, që përveç vlerësimit dhe kënaqësisë së veçantë për të qenë në rolin e vëzhguesit të zgjedhjeve presidenciale në SHBA nga data 5 deri më 9 nëntor, jam i sigurt se përfitimet nga vendi i lirisë dhe demokracisë më të madhe në botë, edhe në këtë proces zgjedhor, do të jenë të mëdha. E rëndësishme është që vlerat e demokracisë amerikane të mund t’i përcjellim sa më shumë në jetën politike dhe në zhvillimin e demokracisë sonë.
Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve presidenciale, përqasja e SHBA ndaj rajonit tonë, roli konstruktiv dhe i pazëvendësueshëm i saj do të mbetet po i njëjti.
—————
Shqipëria të mësojë nga mënyra sesi zhvillohen zgjedhjet në një demokraci
Flet Prof. Dr. Suzana Guxholli, shefe e Departamentit të Ekonomisë dhe Financës, Universiteti i Nju Jorkut
Cili është vlerësimi juaj për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 8 nëntor? Për herë të parë në garë është edhe një grua? Çfarë kanë sjellë të re në bërjen e fushatave elektorale?
Këto zgjedhje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të veçanta dhe tejet interesante, për nga mënyra sesi ato zhvillohen. Në SHBA, zgjedhjet presidenciale janë një ngjarje karakteristike, që të tërheqin dhe të bëjnë t’i ndjekësh me interes. Demokracia amerikane të habit. Sapo mësohesh me të, nuk e braktis dot më.
Zgjedhjet në Amerikë kanë sjellë surpriza dhe më parë me presidentin Obama, si i pari president me ngjyrë.
Këto zgjedhje sërish kanë elementin surprizë, të veçantën e tyre, kanë faktin që një grua po garon për herë të parë për postin e presidentes në ShBA.
Në këto zgjedhje po mbizotërojnë sulmet personale dhe po bëhen gjithnjë e më agresive.
Kanë të veçantë dhe faktin që përballë Hillary Clinton është një kandidat republikan jo aq popullor si politikan dhe njeri i popullit, por si biznesmen shumë i suksesshëm dhe shumë liberal në përqasjet me jetën dhe shoqërinë.
Si grua, më duhet të mbështes moralisht, një grua të veçantë, shumë të përgatitur e të përkushtuar për këtë pozicion, që në mënyrë racionale e me shumë punë ka arritur në këtë fazë.
Si person i përfshirë në politikë, me një parti të djathtë, në mënyrë racionale favorizoj kandidatin e djathtë, e programin e tij, veçanërisht në pjesën ekonomike.
Kurioziteti dhe një lloj ‘ankthi për së largu’ do të na bëjë edhe ne të jemi të vëmendshëm për disa ditë, deri më datë 9 nëntor, kur votat e popullit amerikan të hedhura për zgjedhjet, të numërohen e të përcaktojnë se cili kandidat do të jetë presidenti i tyre.
Cilat janë ndryshimet kryesore (nëse mund të përmendni disa) në programet e kandidatëve që bëjnë diferencën? Dhe a ka dallime mes fushatave të mëparshme presidenciale? Nëse po çfarë?
Më duhet të them se programet politike të të dy kandidatëve kanë qëndrime diametralisht të ndryshme, në shumë fusha. Disa prej tyre që mund të veçoj janë:
Hillary Clinton ofron në program një filozofi pro zgjedhjeve, ndërsa Donald Trump mbështetet në atë pro jetës.
Clinton në lidhje me emigrantët e paligjshëm, është pro aktit ‘Dream’, pra i mbështet ata dhe siguron se do të ofrojë mundësi për integrimin e tyre me mjete e mënyra të ndryshme, p.sh., duke u ofruar mundësi mësimi gjuhe e zanati.
Trump është shprehur kundër kësaj kategorie. Ai propozon masa drastike, si: deportim, mbyllje kufijsh etj., me arsyetimin për të ulur krimin e problemet që mbartin emigrantët e paligjshëm.
Clinton është pro kufizimit të armëmbajtjes, ndërsa Trump kundër.
Clinton premton taksa të larta dhe me shkallë për më të pasurit, por edhe taksa më të larta në tërësi. Ajo thekson rolin e shtetit në rishpërndarjen e të ardhurave.
Trump është mbështetës i taksave të ulëta për të gjithë. Ai premton uljen e tyre, p.sh.: taksën e korporatës e ka propozuar në 15%.
Trump është kundër planit “Obama Care” në shëndetësi, të cilin Clinton premton se do ta vazhdojë, duke përfshirë p.sh., 3 vizita mjekësore falas.
Clinton mbështet abortin, ndërsa Trump në fillim u shpreh kundër, por më pas premtoi se do ta kufizojë.
Clinton propozon një pagë minimale 12 dollarë/ora, ndërsa Trump flet në përgjithësi për rritje pagash.
Çfarë do të sjellë për Shqipërinë zgjedhja e njërit apo tjetrit kandidat?
Zgjedhjet në SHBA, pavarësisht faktit se cili kandidat do të marrë mbështetjen e popullit, nuk influencojnë situatën në Shqipëri. SHBA është dhe do të jetë një nga shtetet më të preferuara për shqiptarët, simbol i mundësive e demokracisë. Ne duhet të respektojmë zgjedhjen e amerikanëve për presidentin e tyre dhe të vazhdojmë miqësinë e bashkëpunimin me këtë shtet të dashur për shqiptarët.
Çfarë mund të huazojë Shqipëria, te modeli i të bërit të fushatës elektorale?
Shqipëria duhet të mësojë nga mënyra sesi zhvillohen zgjedhjet në një demokraci. Ato janë të lira, të hapura, transparente dhe jo nën presione të pandershme. Blerja e votës atje dënohet nëse praktikohet. Transparenca e financimeve është e admirueshme dhe po kështu, edhe respektimi i rezultateve dhe ligjeve. Aspekte që ne kemi shumë se çfarë mund të mësojmë. Tonet e larta të debateve dhe ofendimet e kandidatëve ndaj njëri-tjetrit, më të larta se herë tjetër, janë një cilësi, qe ne, për fat apo për ‘dert’ e kemi.
Guxholli: Zgjedhjet në SHBA, pavarësisht faktit se cili kandidat do të marrë mbështetjen e popullit, nuk e influencojnë situatën në Shqipëri
————-
Edhe në Shqipëri votohet
Shtetasit amerikanë kanë të drejtë të votojnë, edhe kur nuk ndodhen fizikisht në SHBA. Ky njihet me termin ‘votim në mungesë’ dhe e kanë të drejtë të gjithë ata nënshtetas amerikanë që kanë mbushur moshën 18 vjeç.
Lorenc Gjoni, drejtori ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë, është shtetas amerikan dhe votën e tij në zgjedhjet e datës 8 nëntor do ta japë nga Shqipëria.
Ai shpjegon se për ‘votimin në mungesë’ duhet të përgatitesh më herët, sepse ky proces kërkon kohën e tij. Për të votuar, është i nevojshëm regjistrimi. Në rast se personi, për ndonjë arsye, ka ndryshuar adresë, atëherë ai duhet të riregjistrohet. Ky proces mund të bëhet me postë apo në rrugë elektronike. Në të dy rastet, dokumenti duhet të jetë i firmosur nga personi në fjalë e më pas të dërgohet në destinacionin e përcaktuar.
Gjoni, thotë se ai është i regjistruar në shtetin e Ohajos dhe për këtë duhet të ndjekë procedurat që zbatohen aty. Fletëvotimi i mbërriti me e-mail dhe kishte dy pjesë.
Në rastin e votimit fizik paraqet regjistrimin dhe më pas merr fletën. “Unë kam votuar dy herë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zgjedhjet dhe kanë qenë dy variante. Njëra ishte me një makineri, e cila realizohet me leva, që tërhiqen për secilën pjesë që të tregon se për kë votohet. Është një pajisje mekanike, e cila njëkohësisht bën edhe numërimin. Ky i fundit nuk mund të shikohet deri sa të mbyllet votimi. Një tjetër mundësi ka të bëjë me tërheqjen e një leve të madhe, ku mund të votohet për njërën parti ose për tjetrën dhe pozicionet e tjera të ndërmjetme janë të zgjidhura.
Versioni tjetër është ai elektronik, ku në një ekran me prekje dalin me radhë disa pyetje dhe duhet të shtypësh butonat që referojnë përzgjedhjet që bën. Për çdo rast kërkohen konfirmime. Natyrisht ka edhe butona për të abstenuar për çështjet që mendon”, shpjegon z. Gjoni.
Në rastin e zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit, ai sqaron se në adresën e tij i mbërriti fleta e votimit, për të cilën plotësoi rrathët përkatës dhe një tjetër fletë ku vendosen shënimet identifikuese. Fleta e votimit futet në një zarf, ndërsa shenjat lihen jashtë këtij zarfi që kur të mbërrijë në destinacion do të ndiqet sërish i njëjti proces. Do të shihet fleta e identifikimit, do të vendoset një pjesë e kësaj flete në dosje për të konfirmuar se ka votuar me postë dhe më pas zarfi do të futet në kuti. Data e numërimit të votave të mbërritur me postë është më e hershme se data e votimit dhe më pas ka edhe një moment të dytë. Nëse dërgohet brenda datës 8 nëntor, ajo duhet të numërohet. Nga Shqipëria, postës i duhet nga 10 ditë deri në 15 ditë për të mbërritur në SHBA. Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka gjithashtu një rol i cili është përshpejtues. Ajo që mund të bëhet përmes këtij institucioni është se zarfin i cili përmban fletën e votimit dhe të pjesën identifikuese që futen në një zarf tjetër mund të përcillen duke u futur në një ‘dosje’ diplomatike. Ky postim kërkon më pak ditë për të mbërritur. Pra, ambasada ndihmon në lehtësimin e procesit”, thotë z.Gjoni.
—————-
Zgjedhjet në SHBA, frymëzim pozitiv për miliona
Flet Prof. Dr. Arben Malaj, Rektori i Universitetit Luarasi
Cili është vlerësimi juaj për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 8 nëntor në SHBA, duke qenë se për herë të parë në garë është edhe një grua?
Zgjedhja e Presidentit Obama dhe zgjedhja e znj. Clinton si kandidate janë dy momente kulmore në politikën e SHBA dhe lidhen me krijimin e mundësive reale, se për të pasur një karrierë të suksesshme dhe politike, tani asnjë qytetar i SHBA-së nuk ka pengesë qoftë kulturore apo edhe politike.
Ndikimi i sinergjisë pozitive që krijohet te çdo i ri nga komuniteti që përfaqëson Presidenti Obama dhe për çdo vajzë dhe grua amerikane nga fitorja e znj. Hillary do të jetë i shumëfishtë.
Vendet zhvillohen duke eliminuar këto lloj pengesash, natyrshëm ato psikologjike e kulturore janë më të vështira për t’u kapërcyer.
Kushtetuta e çdo vendi nuk krijon pengesa gjinore, racore, etnike, ose të besimit fetare për t’u zgjedhur në çdo mandat politik.
Por, ndërsa këto liri nuk janë provuar në realitetet shoqërore dhe politike, atëherë barrierat psikologjike se nuk ekziston mundësia përfaqësuese nga grupimet e mësipërme dhe për çdo shtetas amerikan i lindur në Amerikë, të bëhet presidenti ose presidentja, krijohen pritshmëri jo të plota në një pjesë të konsiderueshme të popullsisë çka dëmton zhvillimet e ardhshme sociale, ekonomike e politike. Çlirimi i mundësve deri në president i vendit tënd. Frymëzimi pozitiv për miliona të reja dhe sidomos reduktimi i çdo hendeku për përfaqësim politik të femrave krahasuar me meshkujt shënojnë ndikimin më të madh të fitores së znj. Clinton si presidente e SHBA-së. Ky frymëzim pozitiv për hapësira më të mëdha për gratë në udhëheqje jo vetëm politikisht, zgjerohet përtej kufijve të SHBA-së.
Të mos harrojmë se e drejta e grave për të votuar dhe për të arritur më shumë përpjekje dhe shumë vonë. Po kështu, shkalla e përfaqësimit të grave në udhëheqje të kompanive private, në shkencë dhe mandate të tjera publike është e madhe në shumë vende të botës.
Mandatimi dhe zgjedhja e z. Obama, si i pari president me ngjyrë dhe mbështetja e znj. Hillary për të qenë e para presidente femër në historinë e SHBA janë kontributet më të spikatura të demokratëve në historinë politike. Ky kontribut, me kalimin e kohës, do të bëhet gjithnjë e më i dukshëm.
Dallimi midis dy kandidatëve në fushatën elektorale është besimi i Trump se marketingu të krijon si lider, ndërsa znj. Klinton e mbështeti konkurrimin e saj te forca e arsyetimit dhe përvoja e gjatë dhe e suksesshme si senatore dhe sekretare e Shtetit.
Cilat janë ndryshimet kryesore (nëse mund të përmendni disa) në programet e kandidatëve që bëjnë diferencën? A ka dallime mes fushatave të mëparshme presidenciale? Nëse po, çfarë?
Pa dyshim që kur analizojmë platformat ekonomike, dallimet konkrete ideologjike dhe individuale janë të thella dhe të qarta. Aktualisht SHBA-ja është në një fazë të mirë të cikleve ekonomike, rritja ekonomike është e lartë krahasuar me vendet e zhvilluara. SHBA-ja vlerësohet të ketë kaluar nivelin e treguesve të saj makroekonomikë të para krizës së 2008-s. Papunësia është në nivele shumë të ulëta, duke shkuar drejt nivelit natyror të saj. Por, sërish për shkak të pabarazisë, polarizimit të popullsisë, dëmtimit të kohezionit social, ekonomia tërheq vëmendje jo vetëm mediatikisht.
Dallimi midis znj. Clinton dhe z. Trump fillon nga politika e taksave dhe kodi i taksave, pra si do të krijohen burimet e financimit të prioriteteve kombëtare dhe cilat janë konkretisht ato.
Znj. Clinton kërkon një taksim më progresiv mbi të ardhurat personale dhe në veçanti mbi industrinë financiare, ndërsa z. Trump lufton për ulje të taksave, duke filluar nga taksa e korporatave që aktualisht është 35% dhe propozon të bëhet 15%. Po kështu, z. Trump mbështet lehtësimin e tatimit të kompanive, çka krijon gropa të zeza në buxhet dhe e transferon barrën e taksimit te klasa e mesme dhe të varfrit.
Veç qëndrimit ideologjik lidhur me taksat, z. Trump provoji se është ekspert në këtë fushë, pasi për 20 vite nuk ka paguar taksa, por ka amortizuar një humbje të konsiderueshme të vitit 1995.
Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një çështje administrative apo penale, por kemi të bëjmë me mundësi ligjore, të çara, që ka sistemi i përjashtimeve tatimore në SHBA. Këtu duhet të mbajmë parasysh fuqinë e lobimit në Kongres dhe Senat që kanë shtuar rastet dhe rritur shumat e përjashtimeve. Debati për politikat e taksave dhe rishikimin e Kodit të taksave i cili vlerësohet se është shumë i rëndë për taksapaguesit, që paguajnë shumë para për asistencë të specializuar, për plotësimin e raportimit të taksave janë çështje kritike që tërheqin vëmendje dhe votuese.
Dallimi midis tyre qëndron edhe në krahun e shpenzimeve. Clinton kërkon rritjen e tyre për politikat sociale që të zbusin plagët e rënda, ndërsa Trump kërkon reduktimin e ndjeshëm të tyre duke filluar me “Obama Care” dhe financimin e shpenzimeve të OKB-së dhe NATO-s, duke dëmtuar rëndë elemente thelbësore të qeverisjes dhe sigurisë globale. Lidhur me politikat rregullatore dhe derregullatore, dallimi është i qartë. Clinton preferon rregulla të forta ndaj industrisë financiare dhe sidomos ndaj atyre që mashtrojnë dhe marrin bonuse të çmendura. Ajo ka paraqitur një paketë për reformimin e pagave dhe bonuseve të menaxherëve dhe punonjësve të industrisë financiare, ndërsa Trump nuk tenton ta prekë këtë ‘patate të nxehtë’. Po kështu një debat i vështirë dhe një premtim jo i lehtë i zonjës Cliton lidhet me lehtësimin e barrës së rëndë të borxheve të studentëve, duke kërkuar financimin e tyre nga shteti. Natyrshëm që znj. Clinton është përballë vështirësisë së premtimeve të programit të z. Bender si ish-kandidat brenda demokratëve dhe përballë premtimeve populiste të z. Trump.
Çfarë do të sjellë për Shqipërinë zgjedhja e njërit apo tjetrit kandidat?
Vendet si SHBA-ja kanë një sistem qeverisës të balancuar ku edhe pushteti i Presidentit është i limituar, sidomos në politikën e jashtme e cila ndërtohet në bazë të objektivave afatgjata gjeostrategjike. Por, si kudo, ndjesitë pozitive të liderëve ndaj vendeve të ndryshme janë të rëndësishme. Në këtë kontekst, familja Clinton ka një lidhje shumë të fortë me shqiptarët. Presidenti Clinton mbështeti pavarësinë e Kosovës, zonja Clinton në mandatin e sekretares së Shtetit konfirmoi angazhimin pozitiv ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në krahun republikan nuk ndodh kështu. Ish-presidenti Bush që mbështeti edhe personalisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO nuk është mbështetës i z. Trump. Preferencat e z. Trump ndaj liderëve të ndryshëm botërorë dhe rajonalë krijojnë ndikim jopozitiv në zhvillimet e rajonit tonë. Fitorja e znj. Clinton krijon premisa më të mira pozitive për frymëzimin dhe mbështetjen e paqes dhe prosperitetin në rajonin tonë.
Çfarë mund të huazojë Shqipëria, tek modeli i të bërit të fushatës elektorale?
Elementi i parë është gara përzgjedhëse e kandidatëve brenda partive politike. Përgjegjësia, përkushtimi, aktivizimi i ekspertëve dhe mbështetësve, modelimi dhe funksionimi i stafeve mbështetëse, përzgjedhja e mesazhit kryesor dhe mesazheve për politika konkrete, mbikëqyrja e rreptë dhe profesionale që media i bënë përputhjes së premtimeve apo qëndrimeve personale afatgjata të kandidatëve ndaj debateve dhe rasteve kritike në historinë e tyre, me qëndrimet apo platformat aktuale si kandidatë presidencialë janë disa elementë të rëndësishëm të mënyrës së të bërit debat dhe rritjes së transparencës përballë publikut dhe votuesve.
Ndërsa agresiviteti i fushatës ka dëmtuar imazhin publik të të dy kandidatëve, por më shumë të z. Trump, i cili kishte avantazhin e rotacioneve historike në çdo 8 vite, të cilin po e humbet duke paguar çmimin e mënyrës agresive të të bërit fushatë. Por, polarizimi i të bërit politikë në Kongres, Senat dhe në fushatën presidenciale ka krijuar një efekt pozitiv. Sipas Gallup, opinioni publik ka ndryshuar në SHBA. Ata vlerësojnë pozitivisht konsensusin dhe kompromisin më shumë se qëndrimet strikte ideologjike.
Ndoshta, duke parë agresivitetin e fushatave që çojnë në reduktimin e mbështetjes publike për kandidatët dhe për politikën në tërësi, mësimi më i vlefshëm për ne është ndërtimi i një sistemi ligjor sa më funksional. Duhet që ndërtimi dhe funksionimi i institucioneve kushtetuese të shtetit shqiptar të mbështet mbi kolona të forta të ndarjes, balancës dhe kontrollit të pushteteve, si mundësia më e mirë për të amortizuar kostot, qofshin edhe të përkohshme të populizmit dhe radikalizmit elektoral, që po prodhojnë zgjedhjet politike dhe referendumet popullore kudo në botë.
Malaj:
Vendet si SHBA-ja kanë një sistem qeverisës të balancuar ku edhe pushteti i Presidentit është i limituar sidomos në politikën e jashtme, e cila ndërtohet në bazë të objektivave afatgjata gjeostrategjike. Por, si kudo, ndjesitë pozitive të liderëve ndaj vendeve të ndryshme janë të rëndësishme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.