Në Web Summit që u zhvillua në Lisbonë (5 – 8 nëntor), “babai” i “WWW” u propozon qytetarëve, kompanive dhe shteteve, një pakt për të garantuar universalitetin e tij. Google, Facebook dhe qeveria franceze tashmë i janë bashkuar kësaj marrëveshje
E quan “kontratë” dhe kërkon ta prezantojë në maj të vitit të ardhshëm për të shpëtuar World Wide Web, që ai vetë e krijoi në vitin 1990. Z. Tim Berners-Lee u shfaq në Web Summit në Lisbonë me këtë ide. “E di, web-i nuk është ai që ishte njëherë e një kohë dhe në njëfarë mënyre, duhet ta rregullojmë”, tha ai para të pranishmëve në festivalin kushtuar startup-eve dhe teknologjisë.
“Duhet të përpiqemi ta bëjmë më të thjeshtë aksesin për atë 50% të njerëzimit që nuk ka ende akses në web”. Nisma e tij e re, “Kontratë për web” (Contract for the web) përmban një sërë parimesh për përdorimin e internetit në mënyrë etike. Një mënyrë për t’u kthyer te vlerat origjinale të web-it, “duke nisur nga universaliteti i tij” – siç theksoi inxhinieri britanik 63-vjeçar.
“Neutral, i pavarur, mjet për të vlerësuar çdo informacion në çdo gjuhë”. Pakti është firmosur tashmë, mes të tjerësh, nga Facebook, Google, Richard Branson i Virgin dhe nga qeveria franceze. I promovuar nga World Wide Web Foundation, organizatë jofitimprurëse që lufton për një akses të hapur dhe të lirë në rrjet, versioni i tij i plotë do të prezantohet në maj të vitit të ardhshëm. Ndërkohë Berners-Lee paraqiti pikat kyçe. Dokumenti është i ndarë në tre seksione, me paragrafë të veçantë për institutet, kompanitë dhe përdoruesit.
Në mesin e parimeve bazë është natyrisht privatësia: “E drejta themelore që të gjithë të mund të përdorin internetin lirisht, në mënyrë të sigurt dhe pa frikë”. Kompanitë duhet ta bëjnë “web të besueshëm dhe të aksesueshëm, në mënyrë që askush të mos jetë i përjashtuar”. Propozimi i Tim Berners-Lee mori pëlqimin e të gjithëve në Lisbonë. Ose më mirë: të gjithë janë dakord që kthimi tek origjina e web-it do të ishte diçka shumë e bukur. Por pak janë të bindur që mjafton një kontratë e tillë për të ndalur shtrembërimet dhe përqendrimin e fuqisë që sot karakterizon web. Megjithatë Berners-Lee këmbëngul: “Bashkë mund t’ia dalim”.
Por Garry Kasparov, ish-kampion botëror i shahut, aktivist, kundërshtar i Putinit, i angazhuar në fushën e sigurisë kibernetike me kompaninë çeke Avast, mendon se duhet të veprohet ndryshe. Kasparov flet për një gjendje “lufte” në internet. Ai u beson pak deklaratave për të shpëtuar web, edhe pse ideja për t’u kthyer te rrënjët i pëlqen. Kasparov ka shumë dyshime rreth mundësive reale të nismës së Tim Berners-Lee, “Kontratë për web-in”, dhe e thotë hapur mendimin e tij.
“Pak javë më parë, në Boston, gjatë një eventi në MIT (Massachusetts Institute of Technology), takova Berners-Lee” – thotë Kasparov.
“E njoh qëndrimin e tij. Jam dakord me të mbi situatën. Sot web ka pak prej vlerave fillestare. Në fillim ishte një rrjet social, në kuptimin e plotë të fjalës, më pas u bë një media sociale. Në fillim ishte një rrjet për të hyrë në kontakt me të tjerët, që u ofronte mundësi të pafundme njerëzve. Një hapësirë ku zërat e ndryshëm mund të bashkëjetonin. Në mediat sociale, në të kundërt, nuk je më burim informacioni, por bëhesh viktimë e fushatës së keqinformimit. E kuptoj qëllimin e Berners-Lee, por dyshoj që mund të ndryshojmë themelet e një strukture prej së cilës kanë lindur kompani shumëkombëshe të fuqishme”.
Sipas jush, kjo është një përpjekje joreale?
Në tranzicionin nga një rrjet social në një media sociale, web është bërë një instrument politik dhe një instrument i fuqishëm. Sot fuqia e individit online është e papërfillshme. Rusia, nga ana tjetër, është bërë një burim i luftës kibernetike. Mediat sociale janë armë eficiente, pak të kushtueshme dhe godasin kudo.
Nga kampion shahu ju u bëtë aktivist dhe ekspert i sigurisë dixhitale, si duhet të veprohet? Çfarë këshilloni?
Përpara se të bëja një lëvizje, do të bëja një vlerësim të situatës aktuale. Për të kuptuar se çfarë po ndodh.
Çfarë po ndodh?
Pjesa më e madhe e njerëzve në Perëndim nuk duan të dëgjojnë të flitet për luftë. E megjithatë në web është duke u zhvilluar një luftë. Teknologjia, në të mirë e në të keq, kultivon mesazhe radikale, pak rëndësi ka, nëse janë ato të Lëvizjes 5 Yje, të Donald Trump apo të nxitësve për Brexit. Trump mund t’i lejojë vetes të gënjejë pesë herë në ditë në Twitter, pa asnjë kundërshtim. E megjithatë, problemi është politik, jo teknologjik: janë mesazhe alternative të fshehta, mungon një vizion, ndërsa ata që ndërtuan mirëqenien në Perëndim në vitet e fundit janë bërë të dobët. Por janë pikërisht ato, partitë tradicionale, që kanë ndërtuar mirëqenien si në Amerikë edhe në Europë.
Por disa prej kolosëve të teknologjisë i kanë nënshkruar këto parime…
Sigurisht, pasi janë parime të forta dhe askush nuk do t’i detyrojë t’i respektojnë. Nëse Apple refuzon të bashkëpunojë me FBI për të zhbllokuar telefonin e një terroristi, pse nuk i bën asnjë rezistencë qeverisë kineze? A e dini se cila do të ishte lëvizja e vetme e mundshme? Që rregullat të respektoheshin nga kushdo dhe kudo. Amerika dhe Europa kanë fuqinë të imponojnë standarde të larta dhe për të kërkuar respektimin e tyre në gjithë planetin. Rusia dhe Kina nuk e pranojnë këtë gjë? Epo atëherë, do të mbeten jashtë deri sa të ndryshojnë qëndrim. Duhet të kemi forcën të heqim dorë nga pjesa e një kthimi të menjëhershëm për një parim për të cilin mendojmë se duhet të jetë universal, siç kërkon të jetë web i Berners-Lee.
Burimi: La Repubblica