Përdorimi i arit për investim në Shqipëri është i ulët

02/04/2018 4:50 PM 0 komente

Në Shqipëri, përdorimi i arit për qëllime investimi, me kundërpalë sistemin bankar, është në nivele të papërfillshme, pohon Marian Gjermeni, drejtor i Departamentit të Operacioneve Financiare, Banka e Shqipërisë.
Ai shton se, nga ana tjetër, në Shqipëri ekziston edhe tregu ku blihet dhe shitet ar i pastandardizuar, i përqendruar në argjendaritë e qyteteve për qëllime konsumi (bizhuteri) dhe më pak për qëllime të ruajtjes në kohë të vlerës (monedha të zakonshme, si dhe me vlerë numizmatike).

 

Flet Marian Gjermeni, drejtor i Departamentit të Operacioneve Financiare, Banka e Shqipërisë

 

Si është tregu i investimeve në ar në Shqipëri?

Sot, në tregjet e zhvilluara financiare, janë së paku tri mënyra për të marrë ekspozim në metalin e arit në funksion edhe të qëllimit të ekspozimit. Investitorët strategjikë, e konsiderojnë blerjen e arit si një diversifikues/ruajtës të mirë të kursimeve të tyre.

Këta tentojnë drejt blerjes së arit fizik, p.sh., lingota të standardizuara ose monedha në ar, të cilat në jo pak raste kanë edhe vlera numizmatike. Investitorët taktikë, që kanë synim spekulimin mbi lëvizjen e radhës, tentojnë të blejnë instrumente, të cilat janë më likuide, kanë më pak kosto për t’u administruar, por që në çdo rast janë të mbështetura në ar.

Si dhe investitorët të cilët marrin ekspozim direkt ndaj aksioneve të kompanive minerale që prodhojnë ar. Thënë këtë, gjithashtu nuk duhet lënë pa theksuar që ari shërben edhe si lëndë e parë në prodhimin e bizhuterive, apo edhe në disa industri prodhimi. Sot në botë, 50% e arit blihet për investim, 40% e tij për bizhuteri dhe vetëm 10% për qëllime industriale. Pra, përdorimi i tij është më i gjerë sesa thjesht investim.

Në tregun shqiptar, që nga viti 2007, ka pasur një bankë e cila është e licencuar nga Banka e Shqipërisë për të operuar me metalet e çmuara, ku përfshihet edhe ari. Sot, ky numër ka arritur në gjashtë, por vetëm tre prej tyre raportojnë pozicione në ar dhe vetëm njëra ka pasur vëllim modest të transaksioneve me klientë në pakicë gjatë kësaj periudhe.

Bazuar në informacionin e mësipërm, mund të themi që përdorimi i arit për qëllime investimi, me kundërpalë sistemin bankar, është në nivele të papërfillshme. Nga ana tjetër, në Shqipëri ekziston edhe tregu ku blihet dhe shitet ar i pastandardizuar, i përqendruar në argjendaritë e qyteteve për qëllime konsumi (bizhuteri) dhe më pak për qëllime të ruajtjes në kohë të vlerës (monedha të zakonshme, si dhe me vlerë numizmatike).

A ka avantazhe investimi në ar, duke marrë në konsideratë normat aktuale të depozitave?

Përpara se të kthej një përgjigje më duhet të bëj një dallim nëse bëhet fjalë për investim në ar fizik apo në instrumente, që janë të mbështetura në ar. Në rastin kur investohet në ar fizik, duhet të kemi parasysh se nuk ka një fluks të ardhshëm monetar. Në këto kushte, rritja graduale e normave të depozitave në valuta të tjera si USD dhe EUR, e përkeqëson pozicionin e tij si ruajtës të vlerës, pasi rrit koston oportune të mbajtjes së tij në formë fizike. Për më tepër, ruajtja fizike në bankat e nivelit të dytë ka kosto për klientin. Kostoja/ruajtja bëhet më e madhe/rrezikshme nëse ari fizik mbahet në shtëpi. Ndërsa, në rastin kur investimi bëhet në instrumente që janë të mbështetura në ar, avantazhi/disavantazhi është i njëjtë si në të gjitha format e tjera të investimit.

Në kushtet e Shqipërisë, ekziston mundësia vetëm për formën e parë të investimit. Thënë këtë, vendimmarrja për investim, nuk duhet të jetë fotografi e momentit, por duhet të mbështetet nga krahasimi i pritjeve midis ndryshimit të çmimit të arit në periudhën afatmesme me fluksin monetar që pritet të merren nga investimet në produktet e tjera. Thënë shkurt, vendimmarrja për investim duhet të jetë rrjedhojë e analizës së pritjeve që logjikisht duhet të jetë e ndryshme për investitorë të ndryshëm, pasi në të kundërt, nuk do të kemi veprime në treg.
Në grafikun e mëposhtëm jepet një informacion për masën e rrezikut që mund të përballemi nga investimi në ar. Më konkretisht, jepet ecuria e vlerës së arit kundrejt USD, e njëkohësisht ecuria e vlerës së EUR po kundrejt USD.

Në kushtet aktuale, a mund të konsiderohet ari (apo metale të tjera të çmuara) mundësi e mirë kursimi apo diversifikim portofoli?

Ari gëzon disa veçori që e bëjnë atë një alternativë të mirë investimi për ruajtjen e vlerës, si dhe për qëllime diversifikimi.
Së pari, ai është shumë rezistent fizikisht dhe mjaft i qëndrueshëm kimikisht.
Së dyti, falë vetive të tij fiziko-kimike, ai po gjen përdorim industrial gjithmonë e më të gjerë, si në vëllim, ashtu edhe në llojshmëri.
Së treti, ka gjithmonë një kërkesë strukturore në tregjet globale për bizhuteri, sidomos nga vende me tradita të forta ceremoniale.
Së katërti, duke qenë i fundmë në burime natyrore dhe i kufizuar e relativisht i shtrenjtë për t’u prodhuar, ndryshe nga paraja letër, ai përbën një mjet të mirë për t’u mbrojtur nga hiperinflacioni.
Së pesti, ari përbën mjetin e zgjedhur nga investitorët për t’u mbrojtur nga krizat gjeopolitike, të cilat nuk mungojnë edhe në realitetin e sotëm global.
Së fundmi, çmimi i arit reflekton korrelacion të ulët me asetet e tjera financiare, si aksionet dhe titujt e borxhit, duke e bërë atë një aset të vlefshëm në devirsifikimin e portofolave financiare.

Për sa më sipër dhe për t’u rikthyer te pyetja juaj, i blerë në kohën e duhur dhe me sasi të caktuara, qoftë edhe modeste në krahasim me vlerën totale të portofolit, ari është një mundësi e mirë diversifikimi për investitorin strategjik afatgjatë, që shikon përtej cikleve të biznesit.

Përse bankat e nivelit të dytë nuk e kanë parë me shumë interes këtë lloj investimi?

Mungesa e një kërkese të qëndrueshme për këto produkte, ka bërë që bankat të mos investojnë shumë në drejtim të zgjerimit të alternativave të investimit që kanë arin si bazën e produktit. Në këtë aspekt, me mjaft interes paraqitet momenti i edukimit financiar për publikun e gjerë, pasi mendoj që ari nuk perceptohet akoma gjerësisht si një aset alternativ për qëllime investimi, por shumica vijon ta konsiderojë atë vetëm për vlerat ornamentale.

Pavarësisht sa më sipër, investimi në ar, si gjithë investimet e tjera financiare, është reflektim i profilit të rrezikut dhe kthimit të kërkuar të investitorëve, duke përfshirë këtu dhe sistemin bankar vendas.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of