Përfitimet ekonomike të futbollit

27/01/2019 8:00 PM 0 komente
Saeed Mohammed Hareb, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Sporteve të Dobait (DSC) në konferencën e 13-të ndërkombëtare të sporteve në Dubai

Në një raport të ri të Këshillit të Sporteve të Dubait këshillohet që klubet me buxhet më të ulët duhet të diversifikojnë investimet për të ruajtur vlerën aksioneve

 

Sipas një raporti të ri nga Këshilli i Sporteve të Dubait të publikuar në Konferencën Ndërkombëtare të Sporteve në Dubai, suksesi në fushën e futbollit dhe aftësia për të marrë të drejtat e organizimit të sa më shumë kompeticioneve sportive ndikojnë në rritjen e PBB-së, shitjeve me pakicë dhe rritjen e turizmit.

Raporti, i cili përfshinte një numër të shumtë faktorësh ekonomikë që lidheshin me futbollin, zbuloi se ka pasur një rritje nga 2.4 në 4 milionë dollarë amerikanë në konsumin e brendshëm në Rusi gjatë zhvillimit të Kupës së Botës. Përveç kësaj, një total prej 1.5 milionë turistësh udhëtuan për në Rusi, ku secili prej tyre vlerësohet të ketë shpenzuar mesatarisht nga 5,000 deri në 8,000 dollarë amerikanë për akomodim, ushqim, argëtim dhe suvenire.

Raporti zbuloi se të ardhurat mesatare për frymë në Rusi gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit u rritën me 1%.

Raporti vuri në dukje se Kroacia, e cila u rendit e dyta pas Francës në Kupën e Botës, shënoi rritje të menjëhershme të interesit nga turistët. Faqja online e Bordit Kombëtar të Turizmit Kroat shënoi rritje me 250% të numrit të vizitorëve vetëm në ditën e finales.

Ndërsa në Francë, raporti zbuloi se kishte një rritje prej 40% në numrin e televizorëve të shitur nga muaji maj deri në qershor të 2018. Për më tepër, në qershor, në restorantet franceze u vu re edhe një normë rritjeje 20%.

 

Ekonomitë e klubeve

Bazuar në statistikat e nxjerra nga indeksi global Stoxx, u vu në dukje se vlera e aksioneve të klubeve profesioniste të futbollit është rritur me 11% midis viteve 1992 dhe 2016, e nxitur kryesisht nga rezultatet e ndeshjeve por edhe nga transferimi i lojtarëve të njohur në klube të ndryshme.

Kështu, për shembull, klubi danez, FC Copenhagen, shënoi një rritje 47% të të ardhurave gjatë periudhës 1997 dhe 2008, pas blerjes së një numri të konsiderueshëm kompanish argëtimi dhe qendrash fitnesi. Gjatë kësaj kohe, vlera e tregut të aksioneve të klubit u rrit me 700%.

Një tjetër klub, Fenerbahçe SK i Turqisë, zotëron zinxhirin e shitjeve me pakicë të dyqaneve të veshjeve Fenerium, që ka rreth 63 dyqane dhe gjeneron mbi 34 milionë dollarë amerikanë në vit. Një tjetër klub turk, Galatasaray, ka agjenci real estate, duke rritur vlerën e aksioneve të tij në Borsa Stamboll.

Në këtë raport u theksua se një numër i madh klubesh futbolli po përballen me vështirësi të shumta, kryesisht për shkak të blerjes së disa prej lojtarëve më të mirë nga disa investitorë miliarderë, si dhe për shkak të ndërtimit të stadiumeve të reja.

“Kjo do të sjellë padyshim rënie në aksionet e klubeve profesioniste me një buxhet shumë të ulët. Zgjedhja më e mirë për klubet profesioniste do të ishte diversifikimi i investimeve për të ruajtur vlerën e aksioneve”, thuhet në raport.

 

Burimi: Arabian Business

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of