Shteti Islamik mund të jetë një kërcënim gjeopolitik, por nuk ka shfaqur ende aq shumë rrezik për biznesin. Pak ditë larg nga luftimet, në Irakun e drejtuar nga kurdët, tre firma perëndimore të naftës, GENEL Energy, DNO dhe Gulf Keystone, vazhdojnë të nxjerrin naftë që transportohet qoftë nëpërmjet tubacioneve, qoftë nga rruga drejt Turqisë. Vlera e tyre e tregut e kombinuar ra pasi IS pushtoiqytetin e Mosulit në qershor, duke arritur në 8.3 miliardë dollarë, me një tkurrje prej 29% nga fillimi i vitit – një rënie e konsiderueshme, por jo dhe aq keq për firmat që gjenden në linjë të parë të luftës.
“Ne jemi zhvendosur nga një vend që ishte pak i ndërlikuar për sa i përket sigurisë drejt një lufte të vërtetë”, – thotë shefi i një firme. Por ai është i bindur se milicia e mirarmatosur e rajonit kurd do ta mbrojë biznesin e saj. Investitorët, deri më tani, i kanë përshtatur modelet e tyre financiare dhe nuk janë larguar. Analistët aktualisht vlerësojnë një kosto të kapitalit prej 15%, nga 12.5% përpara se të godiste IS, thotë ai.
Kjo ndërthurrje e jostabilitetit dhe biznesit në kushte normale është realitet për botën në përgjithësi. Në një libër të ri, Henry Kissinger, shefi i strategëve të politikës së jashtme, përshkruan një botë në të cilën çrregullimi kërcënon dhe dhuna në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, si dhe tensionet në Detin e Kinës Jugore e justifikojnë atë. Në teori, pas 20 viteve të zgjerimit global, kompanitë shumëkombëshe janë më të rrezikuara se kurrë më parë.
Firmat e listuara perëndimore kanë 20-30% të shitjeve të tyre në tregjet në zhvillim, rreth dyfishin e nivelit në mes të viteve 1990. Nuk janë vetëm biznesmenët e naftës, por edhe magjistarët e teknologjisë dhe shitësit e çantave që përballen me rrezikun politik. Kjo mund të variojë nga paqëndrueshmëria e monedhës, rregullimi hakmarrës, kufizimet mbi kthimin e remitancave në shtëpi dhe çrregullimet e prodhimit ndaj sanksioneve apo edhe shtetëzimit.
Megjithatë, asnjë nga trazirat e fundit gjeopolitike nuk ka pasur shumë ndikim mbi firmat apo tregjet financiare. Ka pasur probleme. Carlsberg, Adidas, Societe Generale etj., janë përballur me rënien e çmimeve të aksioneve ose kanë kryer “fshirje” për shkak të Rusisë. Humbjet e përgjithshme ruse nga firmat perëndimore arrijnë në 35 miliardë dollarë, bazuar në “fshirjet” e njoftuara dhe në vlerën e grupit të dhjetë kompanive më të ekspozuara ndaj Rusisë. Por kjo është një pikë uji në “oqeanin shumëkombësh”.
Një indeks i rrezikut politik përllogaritur nga Dun & Bradstreet, një firmë analitike, është në nivelin më të lartë që nga viti 1994 (pjesërisht si pasojë e krizës së Eurozonës). Por indeksi VIX, i cili mat paqëndrueshmërinë e nënkuptuar të tregut të aksioneve amerikane, dhe që është gjithashtu i njohur si “treguesi i frikës”, është pranë nivelit më të ulët në 20 vjet.
Një nga shpjegimet është, që vendet, të cilat vuajnë konfliktet, janë të rëndësishme politikisht, por ekonomikisht të vogla. Lindja e Mesme, Afrika Veriore, Rusia dhe Ukraina së bashku kontribuojnë në vetëm 7% të prodhimit të përgjithshëm botëror.
Ato janë thjesht “plagë të sipërfaqshme”, thotë kreu i një banke të Wall Street. Vetëm 2% e aksioneve të investimeve të huaja nga firmat amerikane, japoneze dhe britanike gjendet në këto vende. Shumë shefa shfaqin më shumë shqetësim nga avokatët amerikanë se sa nga xhihadistët. Sistemet qendrore nervoze të shumëkombësheve – operacionet financiare dhe serverët e tyre kompjuterikë – ende bazën e kanë në Perëndim, Singapor ose Japoni. Në vitin 1973, 1979 dhe 1990, çmimi i naftës transmetoi trazira në Lindjen e Mesme në gjithë botën, por që nga ajo kohë, përzierja energjetike e botës është zhvendosur nga nafta, dhe Amerika është përplot gaz natyror. Gjithashtu politikat monetare kanë gjallëruar tregjet. Kompanitë, deri më tani, kanë dëshmuar performancë më të mirë se sa pritej në asimilimin e rrezikut. Kjo nuk ka të bëjë me këshillën e ekspertëve politikë por me një sens të përbashkët. Një bos thotë se nuk zëvendësohet drejtori që është në qendër të operacioneve. “Ju do të kuptoni se çfarë po ndodh. Është shumë më mirë se sa të uleni në një dhomë me diagramë të bukur dhe analisti 30-vjeçar t’ju tregojë se çfarë është duke ndodhur në Afrikë”.
Krizë apo mundësi?
Si fillim, mund të llogarisni fitimet në vende të trazuara. Lafarge, një gjigant francez i çimentos, ka operacione në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Shitjet atje janë rritur lehtazi që nga viti 2009 dhe fitimet operative bruto janë 1.5 miliardë dollarë në vit. MTN, një firmë telefonash celularë e Afrikës së Jugut me etje për rrezik, ka divizion në Siri (dhe në Sudan dhe Iran), ku fitimet operative bruto u rritën me 56% në gjashtë muajt e parë të këtij viti.
Shumica shumëkombësheve i kanë reduktuar rreziqet e tyre. Huadhënia dhe kriza e Eurozonës kanë ndihmuar pa dashje: firmat e mëdha zakonisht mbajnë më shumë para se më parë, duke i ekspozuar ato më pak ndaj ngrirjes së tregut të kreditit. GE ka dy herë më shumë para cash nga sa kishte në vitin 2006. Dhe firma më të mëdha kanë ndjekur një politikë të diversifikimit gjeografik. Përqendrimi i tepruar në një vend është një gabim klasik. Pas revolucionit të Kinës në vitin 1949 HSBC, asokohe një bankë aziatike, humbi gjysmën e biznesit të saj. Shtetëzimi që Irani u bëri aktiveve të kompanisë anglo-iraniane të naftës në vitin 1951 e shkatërroi firmën, një paraardhës i BP.
Ka ndodhi moderne të këtyre episodeve. Repsol, një firmë spanjolle vaji, hyri me vrull në Argjentinë, por u rrezikua kur YPF, firma që bleu atje, u shtetëzua në 2012-n. Quantum i parë, i Kanadasë, realizonte një të tretën e fitimeve të saj nga një minierë, që Republika Demokratike e Kongos shtetëzoi në vitin 2009.
Por me zgjerimin gjatë dy dekadave të fundit, shumëkombëshet janë shpërndarë edhe më tepër.
Rreth një duzinë e madhe firmash të listuara globale kanë mbi një të dhjetën e shitjeve të tyre në Rusi. BP është investitori më i madh i jashtëm i vendit, por siguron vetëm rreth 10% të vlerës së saj nga aksionet e saj në Rosneft, një gjigant i naftës. Dyqanet McDonald të Moskës, dikur simbol i “armëpushimit”, janë mbyllur përkohësisht, viktima të një lufte diplomatike “flakë për flakë”. Edhe kështu, gjiganti i hamburgerëve siguron më pak se 5% të fitimeve në Rusi.
E njëjta pamje është e vërtetë në pika të tjera të nxehta. Telefonica, një firmë spanjolle, dhe Procter & Gamble (PG), kanë së bashku miliarda dollarë të bllokuara në Venezuelë, e cila ka aplikuar kontrollet e kapitalit. Por ajo përfaqëson më pak se 5% të shitjeve të tyre. Ben van Beurden, bosi i Royal Dutch Shell, kohët e fundit tha se diversifikimi është “e vetmja mënyrë për të krijuar imunitet”.
Ashtu si në rritjen e likuiditetit dhe mbrojtjen e parashikimeve të tyre, firmat janë bërë më të zgjuara në drejtimin e rrjeteve të tyre të prodhimit. Klisheja e një zinxhiri rakitik të furnizimit global që dështon në qoftë se thyhet edhe një lidhje e vetme, ndonjëherë është ende e vërtetë. Përmbytjet në 2011-n në Tajlandë, qendër e prodhimit të ‘hard drives’, çrregulluan industrinë kompjuterike globale. Por ndërsa vendet në zhvillim ishin dikur vetëm një burim prodhimi për ato të pasura, tanimë ato janë burim kërkese, gjithashtu, duke lejuar që prodhimi të organizohet në qeliza më të fuqishme rajonale dhe duke siguruar një mbrojtje të natyrshme të monedhës.
Alan Lafley, shefi i P&G, tha se 95% e prodhimit të saj gjendet në rajonin ku shiten mallrat në fjalë.
Firmat shumë të mëdha mund të shpërndajnë prodhimin nëpër botë. ArcelorMittal, e cila pagoi 5 miliardë dollarë për një fabrikë çeliku në Ukrainë në vitin 2005, aktualisht po i shet jashtë vendit produktet e saj. William Fung i Li& Fung, kompania më e madhe e burimeve logjistike në botë, që u shërben shitësve të mëdhenj të tillë si Walmart, thotë se që nga kolapsi i Lehman Brothers, shumica e firmave janë bërë më të kujdesshme që të kenë plane rezervë.
“Njerëzit ushtrojnë presion në zinxhirët e tyre të furnizimit, deri sa situata bëhet shumë e rrezikshme. Ajo që ata kanë mësuar në pesë vitet e fundit është se nevojitet disi lehtësim në zinxhirin tuaj të furnizimit – ju nuk synoni 100% efikasitet… Ju keni nevojë edhe për fleksibilitet”.
A është rreziku gjeopolitik i ekzagjeruar? Drejtuesit pranojnë se ka skenarë katastrofikë që i mbajnë ata zgjuar gjatë natës. Tensionet me Rusinë mund të përshkallëzohen, duke çuar drejt sanksioneve edhe më të rrepta dhe duke nxitur Rusinë të ndërpresë furnizimin e gazit në Europë. Përmbysja e monarkisë së lashtë të Arabisë Saudite mund të rrisë çmimet e naftës. Dhe çdokush i frikësohet paqëndrueshmërisë politike ose rënies ekonomike në Kinë. Ajo është shumë e madhe për t’u injoruar, edhe si qendër prodhimi, edhe si treg. Bosi i Wall Street thotë se “ky është shekulli i Kinës, por jo çdo vit do të jetë viti i saj. Kur ajo ka një vit të keq, të gjithë do të bien në panik”. Një tjetër shef banke thotë se “goditja” e Kinës është e “pashmangshme”. Kreu i një shumëkombësheje të madhe thotë se ai ka frikë një luftë mes Kinës dhe Japonisë.
Edhe pse gjeopolitika nuk mund të shkatërrojë korporatat e sotme shumëkombëshe, ato mund të ndryshojnë planet e investimeve. Pas grindjes mbi ishujt Senkaku/Daioyu në vitin 2012, firmat japoneze u përballën me bojkot në Kinë dhe eksportet e tyre ranë me një të pestën. Ata u rimëkëmbën, por firmat japoneze kanë reduktuar investimet e tyre në Kinë: duke përgjysmuar në 7% Investimet e Huaja Direkte japoneze që në vitin 2010.
Ngjashëm, konflikti i Rusisë me Perëndimin mbi Ukrainën ka dëmtuar aftësinë për të tërhequr kapital në mënyrë që të përmirësojë industrinë e trazuar të energjisë. Dhe konfliktet në Libi dhe Egjipt kanë zbehur shpresat e Afrikës Veriore për t’u bërë qendër e prodhimit për Europën. Ashtu si vendet, kompanitë multinacionale nuk kanë aleatë të përhershëm, vetëm interesa të përhershme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.