Flet Sokol Kodra, drejtor i Auto Star Albania Sh.A, distributori ekskluziv i Mercedes-Benz në Shqipëri
Si e vlerësoni vendimin e fundit të qeverisë për ndalimin e makinave të përdorura mbi 10 vjet?
Është një nismë që duhet përshëndetur, ndonëse paksa e vonuar. Nëse u referohemi statistikave, Shqipëria aktualisht renditet ndër vendet që ka flotën më të vjetër të automjeteve, krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, por dhe ato të vendeve të tjera të rajonit. Mosha mesatare e automjeteve në qarkullim është mbi 20 vjet, nga 10 që është mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian. Vetëm 5% e makinave janë të reja dhe rreth 80% e tyre janë automjete Euro 0-3.
Ulja e vlerës së doganës në vitin 2011, detyrimisht ka nxitur importimin e mjeteve të përdorura me moshë mbi 13 vjet dhe rritjen e vjetërsisë së tregut të makinave. Pikërisht ky ‘legalizim’ me ligj i importimit të makinave të çfarëdolloj moshe, vitet e fundit ka sjellë dhe vjetërsimin e stokut të makinave në Shqipëri, duke mos marrë në konsideratë asnjë lloj mase apo norme për ndotjen e mjedisit. Pasojat dhe ndikimi besoj se është më se i dukshëm për të gjithë. Dhe nëse u referohemi statistikave që përmenda më sipër, besoj se shkaqet kryesore të ndotjes së mjedisit janë më se të qarta.
Përfitimet e konsumatorëve nga vendimi i fundit i qeverisë për ndalimin e makinave të përdorura mbi 10 vjet mendoj se do të jenë të shumanshme. Në planin afatgjatë, kostoja e servisimit dhe totale e një makine të re, apo një makine më të re se 10 vjet, do të jetë më e ulët krahasuar me makinat shumë të vjetra. Jetëgjatësia e përdorimit të një mjeti rritet dhe klientët kanë më shumë siguri për atë që ata blejnë dhe sigurisht, më shumë komoditet. Sa më të reja të jenë makinat, aq më shumë ulet dhe konsumi i karburantit, çka detyrimisht përkthehen në reduktim të kostove mujore dhe kostove të përgjithshme të konsumatorit.
Si pritet të ndikojë ky vendim në tregun e automjeteve në vend?
Patjetër që do të ndikojë në rritjen e shitjeve të automjeteve të reja, kryesisht atyre që janë më të lira dhe më të prekshme për klientë me të ardhura pak më të ulëta se mesatarja. Mendoj se është një hap i rëndësishëm për uljen e informalitetit në tregun e automjeteve dhe eliminimin e konkurrencës së pandershme që bëhet jashtë përfaqësive zyrtare. Me ndryshimet e fundit, besoj se jo të gjithë do të mund të vazhdojnë ta shohin këtë sektor si një punë me shumë fitim.
Një tjetër element i rëndësishëm është dhe shmangia e abuzimeve që është bërë me klientët pikërisht nga lloj-lloj shitësi, i pakualifikuar dhe pa asnjë lloj garancie. Rrjedhimisht, përfituesit kryesorë janë qytetarët, të cilët do të jenë më të mbrojtur nga falsifikimi i të dhënave të automjeteve që blejnë dhe shumë problematika të tjera.
Cilat janë politikat e mëtejshme që ju sugjeroni që duhet të ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të nxitur tregun e automjeteve të reja në vend?
Mendoj që një politikë e mirë do të ishte vetëm lejimi i mjeteve që janë të destinuar për tregun europian nëpërmjet homologimit të mjeteve. Dhe së dyti, ashtu sikundër të gjitha qeveritë e Europës, edhe qeveria shqiptare duhet të vendosë rregulla strikte dhe nisma të tilla duhet të shoqërohen me një plan shtesë masash nxitëse, të cilat do t’i bënin makinat e reja më të arritshme për shumë kategori.
Shumë vende të Europës, për shembull, kanë ndërmarrë një sërë masash për uljen e nivelit të ndotjes, duke nxitur prodhuesit që të jenë më të kujdesshëm me nivelin e emetimeve, apo duke nxitur përdorimin e makinave elektrike. Sigurisht, për vende si Shqipëria, të cilat përballen me sfida të tjera, nxitja e përdorimit të makinave elektrike duket paksa e largët.
Rimbursimi në një vlerë të caktuar, për shembull, është një masë që aplikohet në shumë vende të Europës, ku shteti rimburson 2000-3000 euro, në rast se heq një makinë të vjetër dhe merr një makinë të re. Gjithashtu, duhet të ketë dhe politika që reduktojnë nivelin e taksave për makinat e reja, siç është për shembull dhe taksa e luksit, e cila aktualisht prek edhe makinat e vogla.
Nuk besoj se ka nevojë për të vrarë mendjen shumë për të shpikur një politikë apo strategji të veçantë për tregun e automjeteve në Shqipëri. Kemi fatin e keq dhe të mirë njëkohësisht, që ashtu sikundër në shumë sektorë të tjerë, jemi ende mbrapa në përmbushjen e shumë standardeve. Mendoj se duhet të përfitojmë nga përvoja e vendeve që kanë kaluar nëpër të njëjtin proces dhe të shmangim të gjitha gabimet e tyre. Në planin afatgjatë, sigurisht standardet që ne duam të përqafojmë janë ato të vendeve të zhvilluara të Bashkimit Europian, por që për shumë arsye, për ne janë të paarritshme për momentin. Megjithatë, mendoj se duhet të bëjmë një përshtatje të praktikave dhe legjislacionit të vendeve që përpara nesh, të paktën të jemi në të njëjtin hap me vendet e rajonit si Serbia, pse jo dhe Kroacia. Kjo vlen për të gjitha llojet e mjeteve, jo vetëm për autoveturat, por dhe për furgonët dhe kamionët.
Pa diskutim duhen vendosur norma strikte për standardet dhe normat e ndotjes, si dhe duhen respektuar me rigorozitet për të gjithë. Nëse arrijmë që në një të ardhme të afërt të realizojmë dhe zbatojmë këto dy pika, jam i bindur se shumëçka do të ndryshojë për mirë.
Së fundmi janë shtuar automjetet që nxjerrin tym të zi kur qarkullojnë në rrugët e vendit. A vini re problematika që lidhen me cilësinë e dobët të karburantit në mjetet që vijnë për të kryer shërbim në servisin tuaj? A keni ndonjë vlerësim se pse ndodh kjo dhe si mund të ndalet?
Mendoj se ka shumë faktorë. Siç dhe e theksova dhe më lart, vitet e fundit është rritur ndjeshëm vjetërsia e makinave në qarkullim dhe numri i makinave me vjetërsi të lartë, përfshirë dhe mjetet e tonazhit të rëndë. Për shumë arsye, mjetet e vjetra djegin çfarëdolloj karburanti dhe as që duan t’ia dinë për cilësinë apo tymin që lëshojnë nga pas.
Së dyti, niveli i ndotjes dhe sistemi i tyre i reduktimit të emetimeve është i vjetruar dhe me kalimin e viteve, edhe performanca e tyre bie ndjeshëm dhe rezultati është tymi apo emetimet që ata lëshojnë. Të sjellësh automjete me motorë Euro 0-2 pa asnjë lloj standardi, sigurisht që bëjnë tym gjithë rrugën. Pa llogaritur pastaj automjetet e tonazhit të rëndë me motor Euro 1, që shpenzojnë 25-40 litra naftë që bëjnë mjegull gjithë autostradën. Këtu tek ne nuk ka asnjë kontroll dhe asnjë masë ndaluese. Është një fenomen që të gjithë e dinë, të gjithë e pranojnë nën zë, por nuk reagojnë. Sa më të reja automjetet (përfshirë furgonët dhe kamionët) aq më shumë kujdes imponojnë për vetë poseduesit.
Në kushtet e një tregu si Shqipëria, operojnë dhe kompani që nuk respektojnë ose manipulojnë cilësinë e produkteve që tregtojnë. Kryesisht janë aktorë që hyjnë dhe dalin shpejt nga tregu. Rrjedhimisht nuk përjashtohen dhe problematikat që lidhen me cilësinë e karburantit.
Si ka qenë ecuria e kompanisë suaj së fundmi dhe cilat janë sfidat e së ardhmes?
Ecuria e kompanisë vitet e fundit, dhe gjatë 9-mujorit të këtij viti, ka qenë shumë pozitive. Shumë produkte dhe shërbime të Auto Star Albania, pas kalimit në pronësi të Kastrati Group, janë kombinuar me aktivitetet e grupit dhe kjo automatikisht ka sjellë dhe një paketë të plotë benefitesh për klientët tanë besnikë dhe klientët potencialë.
Pjesë e këtyre paketave janë dhe ofertat shumë të mira për leasing për të gjithë llojet e automjeteve, përfshirë dhe automjetet komerciale, furgonët dhe kamionët, si dhe ofertat e pakonkurrueshme të paketave të siguracioneve. Kjo ka sjellë më shumë lehtësi për shumë prej klientëve tanë, të cilët kanë rritur ndjeshëm nivelin e bashkëpunimit dhe kanë zgjeruar portofolin e produkteve dhe shërbimeve. Gjithashtu, kemi zgjeruar gamën e shërbimeve dhe produkteve, përfshirë dhe paketat e mirëmbajtjes.
Kemi krijuar më shumë mundësi për klientët ekzistues, opsionet për vlerësimin e makinave të tyre, me kusht që të mos jenë më shumë se 10 vjet dhe të mos kenë kilometrat e përdorura. Pra, me kusht që të jetë makinë e mirëmbajtur.
Ndërkohë, është zgjeruar ndjeshëm dhe portofoli i automjeteve komerciale. Modelet e reja Mercedes-Ben Sprinter, Mercedes-Benz Arocs dhe Mercedes-Benz Actros, mundësojnë më shumë variante në dispozicion për kompanitë, të cilët krijojnë më shumë avantazhe për kompanitë.
Megjithatë, pjesa më e madhe e shitjeve tona është me kredi. Një problem që ne vazhdojmë të kemi është fakti që kompanive nuk u njihet TVSH-ja e automjeteve që blejnë. Duhet të kemi parasysh që një makinë Benz e blejnë kryesisht sipërmarrjet që e duan për status dhe prezantim, ndërkohë që Europa dhe rajoni e njeh si TVSH të zbritshme. Duhet të kemi parasysh që për një makinë, që kushton rreth 150 mijë euro, TVSH është gati 30 mijë euro (25-26 mijë euro) dhe rimbursimi do të ishte lehtësi e madhe për atë që e blen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.