Politikat e zonave të lira sa vijnë e po bëhen më të famshme për qeveritë që synojnë rritjen e investimeve të huaja, promovimin e rritjes së eksporteve, si dhe rritjen e punësimit
Nga Loreta Peçi
Zonat e lira janë zona të caktuara brenda territorit doganor të një shteti, në të cilat shoqëritë përfitojnë lehtësira nga taksat, subvencione për investimet, trajtime doganore preferenciale dhe procedura të thjeshtuara administrative. Në këmbim, shoqëritë që operojnë në këto zona supozohen të tërheqin investime të huaja, të rrisin punësimin dhe të sjellin teknologji të reja, duke kontribuar në rritjen dhe ristrukturimin e ekonomisë. Një zonë e lirë krijohet me miratimin e qeverisë dhe rregullohet nëpërmjet një ligji të përcaktuar veçanërisht për zonat e lira, nenet e të cilit mbizotërojnë mbi nenet e ngjashme në ligje të tjera.
Zonat e lira ofrojnë një sërë lehtësirash doganore, dhe për pasojë gjenden zakonisht afër kufijve doganorë, aeroporteve dhe porteve detare. Shoqëritë që operojnë në zonat e lira janë prijëse të teknologjisë, telekomunikacionit, industrisë dhe logjistikës, prodhimit modern, turizmit dhe shërbimeve të tjera të lidhura me eksportin. Gjithashtu, preferohet që shoqëritë që operojnë në këto zona, të operojnë në një industri të re, në mënyrë që të mos krijohet konkurrencë e pabarabartë me shoqëritë e tjera jashtë zonës, të cilat operojnë në të njëjtën industri.
Gjatë operimit në këto zona, shoqëritë mund të përfitojnë nga lehtësi në Tatimin mbi Fitimin (TF), Tatimin mbi të Ardhurat Personale (TAP), Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), detyrimet doganore, etj. Për shembull, zonat e lira në Maqedoni i nënshtrohen një regjimi 0% për secilën nga taksat e sipërpërmendura, si edhe 0% taksa doganore për importin në zonë. Më tej, zonat e lira në Serbi ofrojnë një periudhë 5-vjeçare pa taksa, përjashtime nga TVSH dhe detyrimet doganore, ulje të ndjeshme në taksat e pagueshme si dhe një administrim efikas të taksave (nëpërmjet vendosjes së një “one stop shop”).
Të dy shtetet e ilustruara më lart, ofrojnë gjithashtu pagesa për të kontribuar në shpenzime, në rast se shoqëritë përmbushin një sërë kriteresh (pra, investojnë një sasi të caktuar kapitali; krijojnë vende pune të shumta, etj.)
Krijimi i një zone të lirë – Çfarë duhet konsideruar
Banka Botërore, në një raport të publikuar në vitin 2008, shprehet se zonat e lira kanë qenë efikase në rritjen ekonomike dhe në arritjen e objektivave të zhvillimit, por suksesi i tyre nuk ka qenë uniform. Është e rëndësishme që përpilimi i politikave për këto zona të jetë i tillë që të nxisë konkurrencën e këtyre zonave me shërbime dhe jo një konkurrim nëpërmjet lehtësirave fiskale.
Gjithashtu, një zonë e lirë duhet të projektohet sipas politikave të shtetit qeverisës. Për shembull, nëse politikat e një shteti synojnë rritjen e bizneseve ekzistuese, turizmit, bujqësisë dhe rritjes së buxhetit, atëherë koncepti i zonave të lira mund të ndalet për mungesë përshtatshmërie. Por, nëse synimi i qeverisë është të rrisë investimet e huaja, të rrisë punësimin, të përmirësojë efektin e arsimit profesional, atëherë krijimi i një zone të lirë mund të konsiderohet si një ide e favorshme.
Ndërtimi i zonave të lira duhet të shoqërohet me studime të sakta dhe të detajuara. Për shembull, gjatë hartimit të programit të një zone të lirë, qeveria duhet të përcaktojë qëllime realiste dhe të kryejë një analizë të saktë të kostove dhe përfitimeve të kësaj zone. Politikat për zonat e lira nuk duhet të bëjnë dallime mes investimeve të huaja dhe atyre vendase; ato duhet të nxisin marrëdhënie bashkëpunuese midis investuesve të huaj dhe bizneseve vendase.
Në këmbim, në krijimin e lehtësirave, qeveria duhet të ndjekë një sërë parametrash si: paketa fiskale nxitëse, një set të përbashkët lehtësirash për të gjithë zonat e lira që veprojnë brenda shtetit, si dhe duhet të sigurojë që paketat fiskale nga të cilat përfitojnë zonat e lira kanë një lidhje të shëndetshme me procesin e formimit të kapitaleve dhe përmirësimit të ekonomisë vendase.
Është shumë e rëndësishme të konsiderohen dhe vështirësitë që mund të shfaqen gjatë zbatimit të zonave të lira. Zbatimi i zonave të lira ka rezultuar i limituar në disa raste, duke shkaktuar dështimin e këtyre nismave. Një studim nga Banka Botërore tregon se një nga arsyet që i bën këto nisma joefikase është zgjedhja e gabuar e vendndodhjes së zonave. Është vënë re se vendosja larg zonave me infrastrukturë sjell shpenzime të larta kapitale, të cilat i bëjnë zonat jotërheqëse për investitorët.
Procedura dhe kontrolle të shumta të pavolitshme kanë qenë pjesë e përvojave të mëparshme të pasuksesshme të zonave të lira. Ukraina është një shembull i kësaj përvoje ku, sipas zv.ministrit Kozachenko, mungesa e procedurave të kontrollit, bëri të mundur që një e pesta e mishit të shitur në Ukrainë të ishte kontrabandë e futur nga zonat e lira. Pjesa më e madhe e këtij mishi nuk ishte e përshtatshme për konsum nga njerëzit.
Në vijim, një tjetër aspekt që shkakton pengesa, është mungesa e koordinimit mes qeverisë, zonave të lira dhe bizneseve ekzistuese. Një koordinim i dobët midis bizneseve dhe qeverisë ka rezultuar dëmtues për këto zona. Shembulli perfekt i kësaj është Ukraina, ku u krijuan pabarazi të shumta midis rajoneve të ndryshme, ku rajonet me zona të lira ekonomike përjetuan një rritje ekonomike më të shpejtë se rajonet e tjera. Kjo nuk sjell përfitime për qëllimin kryesor të ekonomisë, që është një rritje në tërësi. Për rrjedhojë, zonat e lira kundërvepruan me objektivat fillestare, si dhe me kostot e lehtësirave të ofruara.
Legjislacioni dhe praktika për zonat e lira në Shqipëri
Momentalisht, në Shqipëri, ekziston vetëm një zonë e lirë me vendndodhje në Vlorë, e krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 628, datë 11.06.2009. Zona e lirë e Vlorës përbëhet nga një sipërfaqe prej 478.14 hektarësh, ku kryesoret janë aktivitetet portuale, industriale, prodhimtari, magazinim dhe tregti të produkteve dhe shërbimeve me përjashtim të atyre të lidhura me prodhimin e çelikut. Zona e lirë gëzon një status të tillë për 35 vite, pra, do të pushojë së ekzistuari në vitin 2044.
Ligji që rregullon zonat e lira në Shqipëri është ligji nr. 9789, datë 19.07.2007 “Mbi krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike” (ligji për zonat e lira). Siç parashikohet në këtë ligj, zonat ekonomike (të cilat përfshijnë zonat e lira dhe parqet industriale) synojnë rritjen e investimeve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e zgjerimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me tregjet e huaja, shfrytëzimin e teknologjive të avancuara dhe rritjen e qarkullimit të produkteve dhe kapitaleve. Në shkëmbim të kontributeve të lartpërmendura, ligji për Zonat e Lira ofron 0% detyrime doganore dhe TVSH për shoqëritë që operojnë në këtë zonë (vini re se duke u bazuar në ligjin e mësipërm, zonat ekonomike në statusin e parkut industrial nuk përfitojnë nga këto lehtësira fiskale).
Megjithatë, edhe pse ekziston një legjislacion që qeveris zonat ekonomike (duke përfshirë zonat e lira), duket sikur legjislacioni dhe praktika mbeten të limituara në krahasim me legjislacionin dhe praktikën e adoptuar nga shtetet fqinje.
Përfitimet e ekonomisë shqiptare nga zonat e lira
Një zonë e lirë funksionale do të ndihmonte në arritjen e disa prej qëllimeve të qeverisë, duke sjellë gjithashtu një efekt pozitiv në ekonominë e vendit në tërësi.
Siç përmendet më lart, një zonë e lirë kontribuon me përfitime të shumta në ekonominë e një shteti, sidomos për një vend në zhvillim të vazhdueshëm siç është Shqipëria.
Sipas Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, një nga objektivat kryesore strategjike të ekonomisë, është rritja e prodhimtarisë dhe konkurrencës nëpërmjet zhvillimit të sipërmarrjes, shpërndarjes më të mirë të burimeve njerëzore, natyrore dhe financiare. Për më tepër, objektivi kryesor i qeverisë shqiptare rreth politikave industriale është stimulimi i programeve dhe projekteve që rrisin investimet në teknologji, konkurrencën në procesin e modernizimit, diversifikimin dhe specializimin në tregjet botërore.
Nga ana tjetër, nga përvoja e shteteve fqinje me zona të lira në funksionalitet të plotë, shoqëritë që operojnë në këto zona, duke qenë shoqëri të mëdha prodhuese, kanë kontribuar në hapjen e vendeve të shumta të punës, të cilat kërkojnë njohuri profesionale teknike. Siç është publikuar edhe në programin politik të qeverisë shqiptare, një nga sfidat më të mëdha të Shqipërisë është rritja e kapaciteteve profesionale, për të tërhequr fonde nga Bashkimi Europian si dhe rritja e investimeve. Në përputhje me qëllimin e qeverisë, një zonë e lirë kërkon një specializim profesional, pra qeveria mund të jetë më afër arritjes së këtij qëllimi, duke hapur dhe duke adaptuar programe shkollash profesionale sipas kërkesave teknike të këtyre profesioneve.
Rrjedhimisht, një zonë e lirë me funksionalitet të plotë në Shqipëri me efektin ideal të krijimit të vendeve të punës mund të rezultojë në rritjen e konsiderueshme të profesionistëve teknikë, integrimin e shkollave profesionale me kërkesat aktuale të tregut, si dhe tërheqjen e fondeve të reja në Shqipëri.
Për pasojë, Shqipëria mund të përfitojë nga përdorimi i teknologjive të reja, rritja e investimeve të huaja, përdorimi më i mirë i burimeve njerëzore, etj., që mund të çojë në rritjen e cilësisë së jetës në vend.
Pra, parashikohet një rritje potenciale në produktin e përgjithshëm kombëtar dhe realizimi i objektivave të rëndësishme për të cilat qeveria shqiptare po punon me përkushtim, në krahasim me koston oportune në buxhetin e shtetit për lehtësirat fiskale të ofruara.
Siç përshkruhet më lart, zhvillimi i një zone të lirë do të lehtësojë arritjen e objektivave strategjike të vendosura nga qeveria. Por, në realitet, zgjedhja nuk është kurrë kaq e lehtë, sepse qëllimet nuk janë të karakterizuara në mënyrë eksplicite pro apo kundër zonave të lira. Është e natyrshme, që duhet të arrihet një kompromis.
Për të përfunduar, në këtë stad të zhvillimit të Shqipërisë, pyetja që duhet të shtrojmë është nëse Shqipëria është e gatshme të përmirësojë veprimtarinë e zonave të lira nën regjimin politik dhe kushtet aktuale ekonomike, si dhe më e rëndësishmja, nëse shteti mund të përballojë një paketë me lehtësira fiskale në zonat të lira.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.