Përfundon, më në fund, programi i shpëtimit të Eurozonës

31/08/2018 10:05 PM 0 komente

Nga Andrew Walker, korrespondenti i BBC World Service Economics

 

Eurozona përfundoi një prej programeve të saj më të rëndësishme më 20 gusht, datë e cila shënon fundin zyrtar të programit të ndihmës së Greqisë, që ishte edhe shteti i fundit që mori kredi emergjente pas krizës financiare të Europës. Pagesa e fundit është bërë dhe qeveria greke do të duhet të financojë shpenzimet përmes taksave ose huazimit në tregjet financiare, edhe pse do të duhen dekada të tëra përpara se gjithçka të shlyhet.

Pesë ishin shtetet që morën paketa shpëtimi, Greqia, Irlanda, Portugalia, Spanja dhe Qipro dhe në pikat më kritike të krizës kishte shumë dyshime nëse Eurozona do të mbijetonte ose nëse disa prej shteteve anëtare do ta braktisnin atë. Kjo periudhë tetëvjeçare, që nga momenti i parë kur iu dha paketa e parë e ndihmës Greqisë, ka qenë një barrë e rëndë për Eurozonën. Ky ishte rasti kur shpenzimet e qeverisë tejkaluan shumë më shumë buxhetin që mund të grumbullohej nga taksat dhe që pas ndryshimit të qeverisë në Athinë, u zbulua se deficiti i deklaruar ishte më i madh sesa u raportua fillimisht.

Origjina e krizave në vende të tjera ishte e ndryshme. Në Spanjë dhe Irlandë, ishte një bum i tregut të ndërtimit dhe i pronës që u financua nga bankat të cilat pastaj pësuan humbje të mëdha kur mbaroi bumi. Ndërsa në Portugali, kriza u shkaktua më shumë nga një rritje e dobët ekonomike, e cila e çoi në fund nivelin e të ardhurave nga taksat.

I njëjti problem ka goditur edhe Italinë, e cila nuk ka marrë një paketë shpëtimi, por në vend, ankthi i krijuar ishte i madh sepse nëse do të duhej vërtet që ky vend të kërkonte për një paketë shpëtimi, rrezikonte që të mos e merrte atë për shkak të borxhit të lartë që kishte dhe të cilin Eurozona do ta kishte të vështirë që ta përballonte.

Edhe pse rrënjët e krizave ndryshonin nga njëri vend te tjetri, kishte ngjashmëri të madhe në pasojat që kriza kishte shkaktuar, veçanërisht në ndërveprimin ndërmjet financave të qeverisë dhe bankave të stresuara. Bankat e një vendi mbanin pjesën më të madhe të borxhit të qeverisë, kështu që në rast krize ato do të pësonin humbjen më të madhe. Bankat e goditura do të ndërpresin kreditimin e ekonomisë, do të godisnin të ardhurat nga tatimet, duke çuar kështu në shpenzime shtesë për paketën e shpëtimit. Eurozona iu përgjigj kësaj situate kritike duke krijuar agjenci shpëtimi që huazonin para në tregjet financiare për t’ua dhënë ato më pas vendeve në vështirësi. Paketat e shpëtimit ishin të diskutueshme.

Ato përfshinin përmbushjen e disa pikave që për vendet në krizë ishin shumë të vështira për t’u përmbushur, si reduktimi i huamarrjes së qeverisë, reduktimi i shpenzimeve dhe rritja e taksave. Por nëse do t’i analizonim të gjitha paketat e shpëtimit veçmas nga njëra-tjetra, ato ndryshonin, sepse për sa i përket Spanjës, pika të tilla nuk ishin të përfshira në paketën e saj, e cila ishte ekskluzivisht për bankat, por megjithatë qeveria e Madridit po punonte për të stabilizuar financat e saj.

Në mënyrë të pashmangshme ka pasur ndikim në shërbimet publike dhe standardet e jetesës, që ishin të rënda për shumë njerëz. Sipas kritikëve, masat shtrënguese i përkeqësuan problemet ekonomike. Dhe për sa u përket vendeve të përmendura më sipër, ato kanë vuajtur recesione të thella. Krahasuar edhe me periudhën para kulmit të krizës, ekonomitë e tyre ranë ndjeshëm, me 28% në rastin e Greqisë, njëkohësisht edhe niveli i saj më i ulët. Papunësia u rrit me shpejtësi në mbi 25% në Greqi dhe Spanjë dhe me rreth 50% në të dyja vendet në mesin e të rinjve.

Përveç paketave të shpëtimit, ka pasur edhe një përgjigje shumë të rëndësishme nga Banka Qendrore Europiane. Ajo krijoi një program të ri, të quajtur transaksionet e drejtpërdrejta monetare, për të blerë borxhet qeveritare të vendeve ndaj të cilave ishin dhënë paketa shpëtimi dhe që ishin nën një presion të lartë në tregje. Qëllimi kryesor ishte ulja e kostove të huamarrjes në nivele të qëndrueshme.

Vetëm propozimi për ta arritur këtë gjë ia arriti të kishte rezultate. BQE-ja nuk harxhoi një euro të vetme në këtë program. Sidoqoftë, ajo filloi një program të blerjes së borxheve të të gjitha vendeve të Eurozonës të shqetësuara apo jo, proces i njohur si lehtësim sasior. Objektivi ishte që të përballej me dobësinë ekonomike dhe inflacionin shumë të ulët në Eurozonë, por ai ndihmoi financat e qeverisë në vendet me paketa shpëtimi.

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras

Tani të gjitha ekonomitë e Eurozonës po rriten, disa prej të cilave kanë bërë rikuperime të forta. Ekonomia e Irlandës ka shënuar rritje, ku PBB-ja është 50% mbi nivelin e saj para krizës, megjithëse kjo shifër është e rritur artificialisht nga vendimet e marra nga kompanitë shumëkombëshe. Ndërsa ekonomitë e vendeve të tjera kanë qenë më pak bindëse në këtë drejtim, veçanërisht Greqia.

Rritja u rikthye në vitin 2013, por ajo nuk ka qenë veçanërisht e fortë. Aktiviteti ekonomik mbetet shumë prapa nga nivelet e para të krizës. Në vendet e goditura nga kriza është parë edhe rënie e nivelit të papunësisë, megjithatë në vende si Greqia, ai fatkeqësisht mbetet në nivele të larta, në 20%.

Me sytë drejt së ardhmes, Eurozona filloi një sërë reformash që synonin ta bënin atë më elastik dhe mbi të gjitha duke u munduar që të minimizohej sa më shumë numri i vendeve që mund të prekeshin nga një krizë e ngjashme. Progresi më i madh ka qenë në drejtim të krijimit të një projekti të njohur si bashkimi bankar. Sistemi rregullator është vendosur nën mbikëqyrjen e Bankës Qendrore Europiane. Ka pasur një përpjekje për të zvogëluar nevojën për shpëtime bankare me rregulla të reja që kërkojnë që kreditorët të marrin përsipër humbjet, edhe pse në praktikë, kjo ka rezultuar politikisht e pakëndshme në Itali, ku kreditorët e bankave nën presion përfshinë shumë kursimtarë të vegjël.

Ndërsa në drejtim të elementit të tretë të nevojshëm për bashkimin bankar, të njohur si sigurimi i depozitave, progresi ka qenë më i paktë. Ky është një proces që u siguron depozituesve me një llogari bankare (zakonisht deri në një shumë të caktuar) që të mos i humbasin paratë e depozituara në rast se banka falimenton. Disa vende të Eurozonës veprojnë sipas skemave të tilla, por frika e tyre më e madhe është se situata do të përkeqësohet në rast se kriza përhapet më tej. Një skemë më e gjerë e Eurozonës mund ta trajtojë këtë problem. Komisioni Europian bëri një propozim në vitin 2015, por mbi të cilin nuk u ra aspak dakord.

Pastaj kemi të bëjmë edhe me nevojën që ka Eurozona për të pasur më shumë akses në financat qeveritare ose në politikën fiskale, për t’u përballur me goditjet ekonomike që prekin vendet specifike, siç është Spanja, tregu i pronave të Irlandës dhe rrëzimi bankar. Në një raport të zyrtarëve të lartë të BE-së citohej: “Për këtë arsye, do të ishte e rëndësishme të krijohej, në një afat më të gjatë, një stabilizim fiskal në Eurozonë”.

Vlen të theksohet se duke mos parashikuar një centralizim konkurrues të financave qeveritare: “Shtetet anëtare të Eurozonës do të vazhdojnë të vendosin mbi tatimin dhe shpërndarjen e shpenzimeve buxhetore sipas preferencave kombëtare dhe zgjedhjeve politike”.
Pra, si përfundim, Eurozona ka avancuar disi në zvogëlimin e cenueshmërisë së saj ndaj një përsëritjeje të problematikave të kohëve të fundit, por gjithsesi ajo është ende në proces e sipër dhe nuk është përfunduar.

 

 

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz