Përgatitja siç duhet për një intervistë mund të jetë ndryshimi midis suksesit dhe dështimit. Nëse jeni të përgatitur siç duhet, çdo gjë tjetër do të shkojë mirë; ju do të ndiheni më i qetë atë ditë dhe në gjendje për të qënë vetvetja.
Në këtë artikull, ne do të shqyrtojmë çdo hap që duhet të ndiqni përpara intervistës dhe gjithashtu pyetjet që duhen menduar drejt ditës së madhe.
Gjërat që duhet të kujtoni
Këtu është një listë e shpejtë e gjërave thelbësore që ju do të duhet të keni përgatitur përpara intervistës;
Rikontrolloni kohën, datën dhe vendin e intervistës.
Zgjidhni se si do të shkoni atje. Nëse keni nevojë të rezervoni biletat e trenit ose autobusit, bëjeni shumë më përpara.
Sigurohuni që të dini se sa kohë do t’ju duhet për të arritur atje dhe se ku është e mundur të parkoni, në qoftë se do të shkoni me makinë. Nëse është e mundur, shkoni një nga ditët para intervistës për t’u njohur me vendin.
Lexoni çdo informacion që keni në lidhje me punën. Gjithashtu, shikoni për çdo “copëz” shtesë informacioni rreth organizimit, për shembull, në internet, ose ndoshta në gazetat lokale.
Bëni gati veshjen tuaj që më parë, në mënyrë që të mos jetë arsye paniku në minutën e fundit.
Ju duhet të mendoni se si do ta prezantoni veten. Shtroni pyetjet e mëposhtme:
Çfarë dëshironi që intervistuesi të dijë rreth jush?
Në çfarë gjërash jeni i aftë?
Si mund të kontribuoni në kompani ose organizatë?
Çfarë aftësish apo talenti ofroni?
Është një ide e mirë të uleni dhe të bëni një listë të përparësive dhe dobësive tuaja përpara se të shkoni në intervistë. Sigurohuni që keni mundësi t’i mbështesni pikat tuaja të forta me shembuj pozitivë se si i keni përdorur ato. Mos u shqetësoni nëse disa nga pikat e forta nuk lidhen direkt me punën. Shembuj nga jeta shtëpiake, nëse sqarohen mirë, janë po aq të dobishëm.
Gjithashtu, përpiquni të mendoni për një dobësi që mund të paraqitet si forcë.
Për shembull, në qoftë se ju mendoni se dobësia juaj është padurimi, ju mund ta ktheni këtë në një pikë të fortë tuajën, duke treguar se sa energji dhe angazhim ka pas padurimit tuaj.
Çfarë të vishni
Punë të ndryshme kërkojnë standarde të ndryshme të veshjes. Kjo duhet të merret parasysh kur përgatiteni për një intervistë pune. Në përgjithësi, është një ide e mirë që të visheni me elegancë gjatë një interviste se sa do t’ju duhej të visheni në qoftë se keni qenë tashmë punonjës në organizatën në të cilën po aplikoni.
Shpesh, kodet e veshjes janë të pashprehur në kompani dhe organizatat, dhe kjo është arsyeja se pse është më mirë të tregoheni më të kujdesshëm se mund të jenë të nevojshme gjatë takimeve tuaja të para me punëdhënësit.
Një tjetër këshillë e mirë është të visheni në një mënyrë që nuk do t’ju dallonte nga njerëzit e tjerë me të cilët shpresoni të punoni, ndërsa në të njëjtën kohë t’u tregoni atyre se keni bërë përpjekje të visheni siç duhet dhe se jeni të etur ta fitoni këtë punë.
Sigurisht, mund të ketë disa industri ku nuk është e nevojshme që të visheni në mënyrë kaq të kujdesshme për një intervistë. Për shembull, moda dhe punët që lidhen me argëtimin mund të kenë standarde të ndryshme për atë që është e pranueshme në krahasim me shumicën e industrive.
Ju duhet të jeni gjyqtari i zgjedhjes më të mirë të veshjes, por gjithmonë duhet të keni parasysh se është më mirë të visheni në mënyrë elegante se sa të vishni rroba të rastit për pozicionin që jeni të interesuar. Kjo mund të përcjellë mesazh të gabuar te punëdhënësit, duke qenë se mund të perceptohet sikur ju nuk e keni vrarë shumë mendjen.
Gjatë kërkimeve mbi punën që synoni, kërkoni dhe shikoni me kujdes broshurat ose faqen e internetit nëse është në dispozicion. Ju mund të arrini të krijoni një ide për mënyrën sesi vishen punonjësit aktualë.
Kjo do t’ju ndihmojë të merrni një vendim më të mirë në lidhje me çfarë duhet të vishni gjatë intervistës suaj.
Një natë përpara
Shumë nga përgatitjet tuaja mund të bëhen shumë më parë intervistës. Megjithatë, ka disa gjëra që duhen kontrolluar një ditë më parë për t’u siguruar që intervista të vijojë sa më normalisht që të jetë e mundur.
Lexoni sërish formën e aplikimit, në mënyrë që të kujtoheni rreth pyetjeve që shtroheshin aty dhe se si jeni përgjigjur ju. Ka shumë gjasa që intervistuesi t’ju pyesë për më shumë detaje rreth gjërave që keni shkruar.
Mendoni për llojet e pyetjeve që mund t’ju shtrohen gjatë një interviste dhe përpiquni të formuloni disa përgjigje.
Mendoni për pyetjet që do të dëshironit t’i bënit intervistuesit, por mos kaloni shumë kohë duke pyetur në lidhje me pagën dhe përfitimet. Do të ishte mirë të bëni një listë me pyetje të tilla dhe t’i merrnit me vete.
Përgatisni veshjen për të nesërmen që një natë më parë, ose më shpejt nëse është e mundur. Sa më pak gjëra të keni për të menduar atë ditë, aq më i relaksuar do të ndiheni.
Nëse është e nevojshme, ndiqni disa teknika relaksimi për t’ju ndihmuar që të arrini një gjendje të qetë mendore.
Më e rëndësishmja, përpiquni të bëni një gjumë të qetë gjatë natës!
Mendimi final
Të vetmet gjëra që ju duhet të mendoni gjatë ditës së intervistës është se sa mirë do t’ia dilni mbanë, dhe se si ta shisni sa më mirë veten. Të gjithë faktorët e tjerë, sikundër janë se si të shkoni atje, se çfarë duhet të vishni, etj., duhen zgjidhur paraprakisht.
Nëse do të ndiqnit këshillat e mësipërme, do ta poziciononit veten fare mirë drejt suksesit. Përgatitja është e rëndësishme në shumë fusha të jetës dhe kur është fjala për intervistat, është e domosdoshme të përgatiteni më parë, në mënyrë që të jeni gati të jepni më të mirën tuaj atë ditë.