Përgjegjësia sociale duket se vitet e fundit zë një vend të rëndësishëm në objektivat dhe qëllimet e bizneseve dhe kompanive të ndryshme, të cilat mundohen ta implementojnë atë në aktivitete të ndryshme apo projekte, më të njëjtin qëllim.
Dhoma Amerikane e Tregtisë organizoi sot një takim, ku fokusi ishte angazhimi i kompanive të ndryshme në Shqipëri për të qenë pranë shoqërisë, në mënyra të tilla si: krijimi i vendeve të punës, mbrojtja e mjedisit, fondacione të ndryshme, trajnim për të rinjtë etj.
Në nisje të takimit, kreu i American Chamber, z. Mark Crawford vuri në dukje rëndësinë e përgjegjësisë për komunitetin. Ai shtoi se kjo çështja duhet të na ndikojë të gjithëve, për sa kohë jetojmë në një shoqëri të hapur dhe me marrëdhënie të ndërsjellta me njëri – tjetrin.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Ambasadës Amerikanë, zv. Ambasadori i saj z. Henry Jardine solli në fokus të bisedës se secila nga kompanitë kryesore në këtë vend ka përgjegjësinë e të reflektuarit mbi problemet kryesore të shoqërisë, për sa kohë që operon në këtë treg dhe vetë aktiviteti i tyre nuk do të ishte i mundur pa pasur një shoqëri të shëndoshë.
“ Kompanitë duhet ta cilësojnë veten si partnere, në procesin për të angazhuar shtresa të ndryshme të popullsisë për një çështje të caktuar. Për aktivitete që konsiderohen të rëndësishme, ju duhet “ta lidhni” veten , edhe me shoqërinë, por pse jo, edhe me kompani të tjera.”, u shpreh z. Jardine.
Më tej, zv. Ambasadori i SHBA cilësoi ndër temat më të rëndësishme për të fokusuar objektivat e përgjegjësisë sociale, mjedisin, edukimin dhe pikëpamjet mbi gjinitë si fuqizimi i rolit të grave në shoqëri.
Në fund të takimit, u zhvilluan diskutime të shumta midis kompanive shqiptare, për të dëshmuar angazhimin në fusha të ndryshme dhe për të reflektuar në të ardhmen, për projekte të mëtejshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.