Përgjues nën tavolina

14/05/2017 8:03 AM 0 komente
monitor 779.indd

Kompanitë teknologjike dhe zyrat e së ardhmes. Ndërtesat e tyre të çuditshme do të ofrojnë të dhëna se si njerëzit do të punojnë në të ardhmen

Nga kati i 62-të i grataçielës Salesforce, 280 metra e lartë, disa prej monumenteve më të rëndësishme të San Franciskos mezi dallohen, shkruan The Economist. Ura e San Franciskos, Grataçiela Coit dhe Pallati i Arteve të Bukura janë lënë në hije nga kjo ndërtesë gjigante prej çeliku dhe xhami, e cila do të mirëpresë në ambientet e saj (pasi të përfundojnë punimet) kompaninë software. Salesforce planifikon të japë një shfaqje me drita çdo natë; ndërtesa e saj do të jetë e dukshme deri në 48 km distancë.

Kjo nuk është kompania e vetme teknologjike, e cila po ngre një tempull për veten. Punonjësit e Apple sapo kanë filluar të zhvendosen në ndërtesën e tyre të re në Cupertino, rreth 70 kilometra larg, e cila u konceptua nga themeluesi i ndjerë i kompanisë, Steve Jobs.
Ndërtesa katërkatëshe ka formën e butonit rrethor të iPad-it ose të ëmbëlsirës në formë rrethi, të njohur me emrin “doughnut” dhe është po aq e madhe sa Pentagoni. Me një çmim që arrin vlerën 5 miliardë dollarë, ato do të jenë zyrat e ndërtesës më të shtrenjtë të ndërtuar deri më sot.
Gjatë gjithë San Franciskos dhe Silicon Valley, firmat e pasura teknologjike kanë ndërtuar dhe po ndërtojnë zyrat e tyre të së ardhmes, të cilat i prezantojnë më së miri markat e tyre si te punonjësit ashtu edhe tek klientët.

Një shembull tjetër është kompania e mirënjohur e transportit, Uber, e cila shpreson të vendosë në vend reputacionin e saj, duke ndërtuar një ndërtesë tërësisht transparente, e cila do të ketë edhe disa ambiente të brendshme dhe një park që do të qëndrojnë të hapura për publikun.
Eksterierit të këtyre ndërtesave i është kushtuar rëndësi shumë e madhe, duke qenë se aty do të përqendrohet edhe vëmendja e shumë syve kureshtarë, por interierëve të tyre duhet t’u kushtohet një kujdes edhe më i madh.

Ndërtesat më të reja, ashtu siç është edhe ajo e Apple, edhe pse e papërfunduar, pritet që të jenë shumë novatore në paraqitjen e tyre të brendshme.
Kjo ndodh kryesisht për shkak të konkurrencës së ashpër brenda industrisë së teknologjisë për të evidentuar sektorët më të mirë të inxhinierisë dhe talentet në fusha të tjera. Këto firma janë veçanërisht të prira për të sjellë ide sa më inovatore dhe tërheqëse për klientët e tyre, por gjithashtu krijimi i këtyre ambienteve të reja do të jetë një tregues mjaft i mirë i mënyrës së funksionimit të punës në të ardhmen.
Si pasojë e vënies në përdorim të platformave të komunikimit shumë efikase dhe lehtësisht të përdorshme të tilla si “Slack” apo kërkimeve të ndryshme online, kompanitë e teknologjisë e kanë ndryshuar mënyrën sesi njerëzit punojnë brenda ambienteve të punës. Të njëjtën gjë, këto kompani duan ta arrijnë edhe për sa u përket ambienteve të tyre fizike.

Një ndër idetë më të rëndësishme të kësaj industrie është koncepti i një ambienti të hapur, në të cilin ti ke mundësi që të punosh aty ku të duket më e përshtatshme dhe më komode, pra të mos kesh një vend të caktuar pune. Edhe industri të tjera e kanë eksperimentuar një gjë të tillë, por ajo nuk ka rezultuar aq e suksesshme sa në industritë teknologjike, ku çdo punonjës mund të ketë vendin e tij të punës, por që askush nuk pret që ata t’i gjejë gjithmonë aty, gjë kjo që u krijon atyre mundësinë për të punuar në ambiente të ndryshme të kompanisë.

Ka “biblioteka” ku ata mund të punojnë në një qetësi absolute, ekzistojnë ambientet e kafeneve apo ambientet e gjelbra përreth kompanisë, të cilat kohët e fundit po shfrytëzohen shumë nga këto kompani edhe për të realizuar mbledhje të ndryshme (duke qenë se kanë rezultuar shumë produktive). Dy katet e fundit të Salesforce nuk do të përdoren për zyrat e drejtuesve të kompanisë por si ambiente çlodhëse për punonjësit e tyre.
Këto hapësira pune mjaft komode dhe të përbashkëta janë krijuar me idenë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet punonjësve, sepse duke qenë në një ambient pune në të cilin ti nuk punon nën presion dhe mbi të gjitha ku ke mundësi të komunikosh me kolegët e tjerë, janë pikërisht ato mjedise ku edhe lindin idetë më inovative. Ndërtesa qendrore e Facebook-ut ka edhe hapësirën e përbashkët të punës më të madhe në botë, e cila është dizenjuar pikërisht me idenë që punonjësit të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në këto hapësira të përbashkëta dhe në një kopsht prej 9 hektarësh që ndodhet në majë të kësaj ndërtese.

John Schoettler, drejtori i pasurive të patundshme të Amazonës, shprehet se ai ka qëllim që t’i kthejë këto ambiente në hapësira sa më të rehatshme, aq sa punonjësve t’u duket sikur janë në dhomën e ndenjjes së shtëpisë së tyre. Por që të arrihet një gjë e tillë, që zyrat të marrin pamjen e shtëpive tona, duhen punësuar dizenjuesit dhe arkitektët më profesionistë, shprehet Elizabeth Pinkham nga Salesforce. Në hapësirat e përbashkëta ka televizorë, divane dhe rafte me libra të ndryshëm, madje ka edhe korniza me foto të punonjësve, për ta bërë këtë ambient pune që të ngjajë sa më shumë me atë të shtëpisë.

Të punosh si në shtëpi

Avantazhet e të punuarit në hapësira të përbashkëta janë të shumta, dhe një ndër më kryesoret është reduktimi në maksimum i kostove për blerjen e mobilieve të zyrës tepër të kushtueshme për secilin punonjës si dhe duke i bërë ata që të ndihen sa më komodë në ambientet që punojnë.
Kompanitë teknologjike i kushtojnë secilit punonjës një hapësirë rreth 14 metra katrorë, rreth një e katërta më pak në krahasim me firmat e tjera, shprehet Randy Howder nga Gensler, një firmë projektimi. Punonjësit e rinj mendohet që do ta gjejnë veten shumë mirë në këto ambiente të cilat janë të ngjashme me mënyrën e tyre të jetesës gjatë periudhës së studimeve universitare.

Një dizavantazh në këtë pikë është fakti se gjetja e vendndodhjes së kolegëve mund të jetë e vështirë. Punonjësve u duhet ta gjejnë njëri-tjetrin nëpërmjet mesazheve apo aplikacioneve të ndryshme. Hapësirat e përbashkëta mund të jenë edhe shkaktarë të krijimit të konflikteve të ndryshme, shprehet Louise Mozingo, profesore arkitekture në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley.
Punonjësit më të moshuar të firmave teknologjike (ata që i kanë kaluar të 40-at) përpiqen shumë që të përshtaten me këtë mënyrë të re të të punuarit, sipas së cilës atyre u duhet që të përshkojnë hapësira të largëta për të shkuar nga një vend në tjetrin, të durojnë zhurmat e ndryshme apo ndërprerjet që mund t’u shkaktohen në punën e tyre si pasojë e këtyre hapësirave të përbashkëta.
Shumë nga punonjësit e Facebook-ut nuk e pëlqejnë zyrën e tyre sepse është e zhurmshme. Për të njëjtën arsye edhe disa punonjës të Apple janë në mëdyshje nëse duhet të zhvendosen në zyrat e tyre të reja me hapësira të përbashkëta apo jo. Të tjerë i mëshojnë dizavantazhit të distancave të largëta që duhet të bëjnë për të shkuar nga një vend në tjetrin.

Por ky nuk është i vetmi shqetësim për punonjësit. Kompanitë teknologjike janë të prira që të përdorin vetëm produktet e tyre në ambientet e punës.
Jensen Huang, drejtori ekzekutiv i Nvidia, një firmë teknologjike e cila merret me krijimin e çipeve dhe që njësitë e procesimit grafik të saj përdoren gjerësisht në programet e inteligjencës artificiale, shprehet se kompania e tij ka në plan të vërë në zbatim teknologjinë e “njohjes së fytyrës” për të gjithë punonjësit e saj kur të vijnë në mëngjes në punë, e cila pritet që të bëhet funksionale gjatë këtij viti.

Nvidia gjithashtu do të instalojë kamera për të parë atë që njerëzit konsumojnë nga kafeneja dhe t’u faturojë atyre sipas produkteve përkatëse, duke eliminuar në këtë mënyrë nevojën për të qëndruar në radhë apo për të prerë fatura. Një makinë e vogël me vetëdrejtim do t’u mundësojë punonjësve zhvendosjen nga një ndërtesë në tjetrën. Ndërsa monitorimi i punonjësve në lidhje me orarin e ardhjes dhe ikjes nga puna do të matet nëpërmjet sistemeve të ngrohjes dhe të ftohjes, të cilat vihen në përdorim menjëherë sapo punonjësi vjen apo largohet nga ndërtesa.
Të dhënat që këto firma mund të mbledhin mbi vendndodhjen dhe aktivitetet e punonjësve të tyre, do të bëhen gjithnjë e më specifike në të ardhmen e afërt. Një mënyrë tjetër për të monitoruar punonjësit është nëpërmjet celularëve të shpërndarë nga vetë kompania. Çdo punonjës ka pajisjen e vet të gjurmimit, vë në dukje z. Howder i kompanisë Gensler.
Shumë shpejt kompanitë teknologjike do të përfitojnë nga kjo gjë.

Janë të pakta ato firma të cilat janë të gatshme për të bërë publike detaje të tjera sepse kanë frikë se mos një gjë e tillë do të krijonte probleme në lidhje me privatësinë e punonjësve të tyre.
Disa nga krijuesit e mobilieve për zyra janë duke eksperimentuar me vendosjen e çipeve në tavolina dhe karrige, në mënyrë të tillë që firmat të monitorojnë sa më me saktësi vendndodhjen e punonjësve të tyre.
Por nëse vihen në zbatim, informacione të tilla do të jepen në mënyrë shumë konfidenciale për të mbajtur nën kontroll çdo shqetësim të mundshëm të punonjësve në lidhje me privatësinë e tyre. Por nuk është e vështirë të imagjinohet se si dhënia e këtyre informacioneve mund të krijojë një kulturë mbikëqyrjeje, ku punonjësit të ndihen vazhdimisht nën monitorim.
Kompanitë teknologjike mund të jenë një tregues mjaft i mirë i asaj që do të ndodhë me privatësinë e punonjësve në ambientet e tyre të punës, shprehet David Benjamin i Autodesk, një kompani që përveç klientëve të tjerë që ka, u shet software arkitektëve të firmave të ndryshme.

monitor 779.inddDisko të heshtura dhe tenda beduine

Një tendencë më pak e debatueshme është në lidhje me ambientet e brendshme të (interierin) këtyre zyrave të pazakonta, që është njëkohësisht edhe një prej tipareve dalluese të kompanive nga njëra-tjetra, si dhe një prej mjeteve më efikase të rekrutimit të punonjësve, që i japin stafit të tyre një arsye më shumë që të vijnë në punë sesa të punojnë nga shtëpia.
Për shembull, vitin e kaluar LinkedIn, një rrjet social profesional, hapi një ndërtesë të re në San Francisko, e cila kishte në brendësi të saj hapësira gjigante, ndër të tjera edhe një “disko të heshtur” ku punonjësit mund të kërcenin duke dëgjuar muzikë me kufje.
Në vend që kompania e dhënies së shtëpive me qira, Airbnb t’u ofrojë klientëve të saj modele klasike zyrash, ajo ka vendosur që t’u ofrojë atyre hapësira të tilla që janë bazuar në modelin e tendave të beduinëve nga Maroku.
Ajo ka gjithashtu edhe një zyrë klasike mbledhjesh në të cilën jetonin themeluesit e kompanisë Airbnb deri në momentin që ajo nuk ishte themeluar si kompani.

Çdo detaj, duke përfshirë këtu edhe statujën e kuqe të Jezusit sipër vatrës së zjarrit, janë të mirëmenduara, thotë Joe Gebbia, një nga themeluesit e saj. Kompania Nvidia është e fiksuar me trekëndëshat, një ndër elementet bazike në grafikat kompjuterike të përdorura në videogame apo filma të ndryshëm. Zyrat e saj të reja, të cilat kushtojnë rreth 370 milionë dollarë, kanë formën e një trekëndëshi, si dhe të gjitha ambientet e saj të brendshme, që nga stolat e deri tek tavani janë të dizenjuara sipas kësaj forme.
Në këtë pikë, nuk jam më pozitiv në lidhje me formën e trekëndëshit, sepse ne e kemi ezauruar atë në maksimum, pohon John O’Brien, drejtori i real estate të kësaj kompanie, i cili refuzoi sugjerimin e fundit të një prej kolegëve të tij për të prodhuar shishe uji në formë trekëndore.
Mjedise të tilla pune u kujtojnë punonjësve që ata nuk janë duke zgjedhur vetëm kompaninë në të cilin do të shkojnë të punojnë, por mbi të gjitha ata janë duke zgjedhur kulturën e saj të punës, e cila do të shndërrohet në një mënyrë të re jetese për ta. Gjatë bumit teknologjik të viteve 1990, kompani të ndryshme vendosën në ambientet e tyre të punës tavolina të vogla futbolli, krijuan hapësira të vogla në të cilat punonjësit mund të pushonin dhe gjithashtu u ofronin punonjësve të tyre edhe konsumin e drekës falas brenda ambienteve të kompanisë.
Tani vëmendja është përqendruar në lehtësitë që i ndihmojnë punonjësit të kursejnë sa më shumë kohë.

Firmat më të mëdha, duke përfshirë Facebook-un, Alphabet-in dhe LinkedIn-in, i ofrojnë stafit të tyre shërbime të tilla si ndihmë për të gjetur vende për të jetuar, u krijojnë atyre lehtësi për të mbajtur kafshë shtëpiake të adoptuara, etj. Disa firma teknologjike më të mëdha, u ofrojnë punonjësve të tyre edhe shërbimin e kujdesit shëndetësor falas.

Të gjitha këto ndryshime po i shndërrojnë këto zyra tipike të firmave teknologjike në fshatra të begatë të pavarur dhe punonjësit do ta kenë gjithnjë e më pak arsye për t’u larguar. Si pasojë e pagave të larta që këta gjigantë të teknologjisë japin për punonjësit e tyre, kjo ka bërë që niveli i pagave të inxhinierëve dhe teknicienëve të tjerë të rritet edhe nga kompani të profileve të tjera.
Industri të tjera duhet të tregohen të zgjuara të përfitojnë nga koha që kanë në dispozicion për të parë dhe për të marrë si shembull sesi këto firma teknologjike po i ristrukturojnë mjediset e tyre të punës. Sigurisht që ekziston edhe mundësia për të reaguar kundër atyre firmave teknologjike që i përdorin produktet e tyre për të monitoruar punonjësit e tyre. Nga ana tjetër, punonjësve mund t’i pëlqejë konsumi i drekës falas në ambientet e punës apo përdorimi i aplikacioneve të ndryshme teknologjike argëtuese të celularëve, por jo deri në atë pikë sa të cenohet privatësia e tyre.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz