Ndalimi i këtij procesi ishte paralajmëruar nga financat, në pritje të procesit të auditimit të kthimit të detyrimeve të deritanishme, i kërkuar nga FMN dhe që po realizohet nga kompania audituese Ersten Yuong…
Shpenzimet buxhetore për tetëmujorin vijuan tendencën rritëse të nisur në korrik, si rrjedhojë e dy faktorëve kryesorë, shtimit të kostos për subvencionimin e skemës së pensioneve dhe shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, një zë i ri, që është futur për herë të parë në buxhetin këtij viti. Megjithatë, rritja e këtyre dy zërave është neutralizuar disi nga tkurrja e fortë e shpenzimeve kapitale, ndërkohë që kthimi i detyrimeve të prapambetura ka ndalur ritmin në gusht, një prirje kjo që ishte paralajmëruar nga financat, në pritje të auditivit të procesit të deritanishëhm.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, totali i shpenzimeve buxhetore arriti në 267 miliardë lekë për periudhën janar-gusht 2014, me një rritje prej rreth 1% me bazë vjetore. Deri në periudhën janar-qershor, shpenzimet kishin shënuar tkurrje prej 3.7%.
Shpenzimet korente, u ulën me 1.1% dhe ato operative gati 20%.
Shpenzimet për interesa të brendshme janë tkurrur ndjeshëm, me rreth 9.3%, teksa qeveria po kursen nga rënia e interesave të letrave me vlerë, kryesisht atyre afatshkurtër.
Shpenzimet për fondet speciale, (kryesisht për mbulimin e pagesave të pensioneve dhe sigurimeve shëndetësore) u rritën me 9% me bazë vjetore për tetëmujorin. Ato ishin rreth 90 miliardë lekë në fund të gushtit, duke zënë 34% të totalit të shpenzimeve buxhetore, nga 31% që ishte kjo peshë në gusht 2013. Ky zë po kthehet në një problem thelbësor për qëndrueshmërinë e buxhtit, duke e detyruar qeverinë që të ndërmarrë një reformë të thellë të skemës së pensioneve.
Një zë tjetër, që ka ndikuar në shtimin e shpenzimeve buxhetore, është ai i shlyerjes së borxheve që shteti u ka bizneseve, një proces që u intensifikua ndjeshëm në maj-korrik, por që pothuajse është frenuar në gusht. Deri në fund të korrikut, financat kishin shlyer 25.7 miliardë lekë detyrime të prapambetura, nga të cilat 12.75 miliardë lekë rimbursim TVSH-je, 8.4 miliardë lekë detyrime infrastrukture dhe 4.7 miliardë lekë detyrime të tjera. Ndalimi i këtij procesi ishte paralajmëruar nga financat, në pritje të procesit të auditimit të kthimit të detyrimeve të deritanishme, i kërkuar nga FMN dhe që po realizohet nga kompania audituese Ersten Yuong.
Zëri me ecurinë më negative, është ai i shpenzimeve kapitale, që është tkurrur me gati 45% (pothuajse përgjysmuar me bazë vjetore për tetëmujorin). Që nga janari i këtij viti realizimi i shpenzimeve kapitale kryhet nga Ministria e Ekonomisë dhe jo nga financat. Buxheti ka kursyer 26 miliardë lekë nga mosrealizimi i këtyre shpenzimeve.
Deficiti buxhetor ishte 43% më i ulët në raport me një vit më parë, në 30.6 miliardë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.