Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti zhvilloi një vizitë në një pikë grumbullimi në Divjakë, pikë e cila u blen prodhimin gjithë fshatrave të zonës dhe i dërgon për eksport. Ministri Panariti u shpreh i impresionuar nga fakti se nga kjo pikë grumbullimi, perimet dhe frutat e freskëta të Divjakës dhe Lushnjës shkojnë për eksport në 18 vende të BE dhe të Lindjes. Ministri Panariti në takimin me sipermarrësit e pikës së grumbullimit dhe fermerët që sillnin produktet e tyre aty, u shpreh se Ministria që ai drejton do të mbështesë zgjerimin e këtyre pikave të grumbullimit, do subvencionojë uljen e kostove të këtyre pikave në mënyrë që ato të kenë kapacitete thithëse për gjithë prodhimet e fermerëve, që asnjë produkt të mos shkojë dëm. Ai tha se prodhimet tona janë të sigurta, dhe këtë e tregon dhe fakti se asnjë nga 18 vendet ku këto perime të freskëta eksportohen nuk ka bërë asnjë reklamim, pra nuk ka kthyer mallin për mungesë cilësie. Përkundrazi janë të pelqyera dhe dhjetra trajlera nisen çdo muaj me perimet tona drejt vendeve të tjera. “Bisedova me sipermarrësit dhe fermerët dhe thonë se nuk ka patur asnjë reklamim, pra domatja, preshi, lulelakra jane cilësore të sigurta dhe nuk përmbajnë mbetje. Ne kemi si sfidë të instalojmë sistemin e monitorimit nga ferma në tavolinë dhe përditë e më shumë po forcojmë kapacitetet e monitorimit e të kontrollit të cilësisë së produkteve, në mënyrë që këto produkte të plotësojnë standardet e cilësisë të kërkuara në BE”, tha Panariti.
Agronomi i zonës, Nasi Shurdhi që kontrollonte dhe gjithë produktet për eksport tha se perimet tona janë të freskëta dhe të sigurta dhe te pelqyera. Vitin e kaluar vetëm nga zona e Divjakës kanë ikur për eksport 15 mijë tonë fruta e perime të zonës. Ai shtoi se lufta mediatike qe po bëhet për pesticide e mbetje të tjera nuk ka vend për produket e kësaj zone në Divjakë të cilat nga analizat që janë bërë kanë rezultuar brenda gjithë standardeve të kërkuara në BE.
Fermerët e zonës u shprehën të kënaqur nga fakti se tani prodhimi nuk u mbetet, por dorëzohet i gjithi në këto pika grumbullimi. Një fermer i fshatit Këmishtaj tha se gjithë domatja e fshatit të tij është dorëzuar në këtë pikë dhe tashmë do vazhdojnë me kastravecin e specin, për të cilat është e njohur kjo zonë. Fermerët thanë se dhe çmimi me të cilin ata i shesin prodhimet në këto pika grumbullimi është shumë i kënaqshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.