Shekulli i 18-të dëshmoi lindjen e ideve që vazhdojnë të kenë jashtëzakonisht ndikim edhe gjatë ditëve të sotme. Bindja se nëse të gjithë do të ndjekin interesat e tyre ekonomike dhe ushqimore do të çojë në një rritje të përgjithshme të pasurisë dhe shëndetit të kombeve, qëndron në zemër të modelit të ri të të menduarit të shekullit të 18 për ekonominë dhe shtetin.
Ajo çka ne hamë ka shumë rëndësi për ne si individë, por ne nuk jemi të sigurt nëse ajo që është e rëndësishme për ne është edhe për të tjerët, shkruan Forumi Ekonomik Global. Ne, në përgjithësi insistojmë që dietat tona të jenë të pasura me fruta, të konsumojmë sa më pak alkool dhe në përgjithësi të përmirësojmë cilësinë, sidomos të vaktit të darkës.Përpjekjet e Kryebashkiakut të Nju Jorkut, Michael Bloomberg,në 2012-13 për të ndaluar shitjen e pijeve me gaz, dështoi sepse u konsiderua nga kritikët e shumtë si një ndërhyrje në të drejtën e individit për të bërë zgjedhjet e tyre dietike.
“Njujorkezët kanë nevojë për një Kryebashkiak dhe jo për një dado” ishte titulli kryesor në gazetën “New York Times” në faqe të parë. Dhe kur një shkollë pranë Rotherham në Anglinë veriore eliminoi mishin e gjelit të detit dhe pijet e gazuara nga mensa e saj, nënat e zemëruara u ngritën në protestë, duke këmbëngulur se fëmijët e tyre kishin të drejtën të hanë ushqim jo të shëndetshëm.
Në të njëjtën kohë, shumë britanikë janë të shqetësuar nga raportet e fundit, duke qenë se dashuria e tyre e madhe për sheqerin dhe përçmimin ndaj ushtrimeve fizike, përfundimisht do ta falimentojnë Shërbimin Shëndetësor Kombëtar. Ideja që njerëzit me shumë mbipeshë duhet të dobësohen përpara se të trajtohen, po gjen mbështetje shumë të madhe.
Ne biem dakord me idenë që zgjedhjet tona dietike kanë ndikim tek të gjithë ne, por në të njëjtën kohë gjithsekush prej nesh ka të drejtë të bëjë zgjidhjen e vet në lidhje me ushqimet që dëshiron të konsumojë. Pikënisja e mënyrës sesi ne filluam të mendojmë për ushqimin është e lidhur ngushtë me rritjen e patateve, si një prej elementëve kryesorë përbërës në rritjen e nivelit të niseshtesë kombëtare. Dashuria e Britanisë për patatet lidhet me nocionet e vlerës utilitare të një diete të mirë dhe se si një qytetar i shëndetshëm është motori kryesor i një ekonomie të fortë. Për të zbuluar akoma më shumë në këtë drejtim, na duhet të kthehemi pas në shekullin e 18-të.
Duke e vënë theksin mbi mënyrën e të ushqyerit
Lidhja që ekziston sot ndërmjet shëndetit publik dhe zgjedhjes individuale është rezultat i ideve të reja që dolën gjatë Iluminizmit. Gjatë shekullit të 18-të, vendet në të gjithë Europën filluan të rishikojnë bazat e pasurisë dhe fuqisë kombëtare. Në zemër të këtyre ideve të reja ishte një vlerësim i ri i asaj, që tani do të quhej shëndet publik. Ndërsa në shekujt e mëparshëm sundimtarët dëshironin të parandalonin zinë e bukës, në mënyrë të tillë që të mund të shmangnin trazirat publike, në shekullin e 18-të, politikanët ishin shumë të sigurt se forca kombëtare dhe nivelet ekonomike kërkonin më shumë se një popullatë të bindur, që nuk ishte e shqetësuar për trazira. Ata besonin se ajo që ishte e nevojshme ishte një fuqi punëtore e shëndetshme dhe energjike. Vetëm kjo do të siguronte suksesin e kësaj industrie. “Themelet e vërteta të pasurisë dhe fuqisë janë numri i të varfërve që punojnë” pohoi filantropisti i shekullit XVIII Jonas Hanway.
“Çdo propozim racional për rritjen e numrit të tyre meriton respektin tonë. Njerëzit janë edhe pasuria kombëtare e atij shteti”.
“Pothuasje të gjithë politikanët” u pajtuan me mendimtarin spanjoll, Joaquin Xavier de Uriz, i cili shkroi në 1801, se numri më i madh i mundshëm i burrave që i binden ligjit dhe që punojnë sa më shumë është vetë lumturia, forca dhe pasuria e çdo shteti”. Prandaj, shtetarët dhe vullnetarë të ndryshëm i kushtonin vëmendje ndërtimit të kësaj popullate të shëndetshme që ishte mister i produktivitetit të shekullit të 18-të.
Qartazi, realizimi në mënyrë të suksesshme i kësaj sipërmarrjeje kërkonte furnizim të mjaftueshëm me produkte ushqimore të shëndetshme. Kishte një konsensus në rritje në të gjithë Europën, se shumica e popullsisë po dëmtonte veten e saj me zakonet e dëmshme të të ushqyerit. Për shembull, mjeku i njohur skocez, William Buchan, e argumentoi këtë në librin e tij të publikuar në 1797, “Vëzhgimet në lidhje me dietën e njerëzve të zakonshëm”. Z. Buchan besonte se shumica e “njerëzve të zakonshëm” hanin shumë mish dhe bukë të bardhë, dhe pinin shumë birrë. Ata nuk konsumonin mjaftueshëm perime dhe rezultati i pashmangshëm, tha ai, ishte shëndeti i keq që gëzonin, sidomos i forcës punëtore.
Kjo, nga ana tjetër, minoi tregtinë britanike dhe e dobësoi kombin. Ushtarët në shërbim nuk ofruan një mbrojtje të fortë kundër sulmit, dhe punëtorët e sëmurë nuk mundën të bënin tregti të lulëzuar. Filozofët, ekonomistët politikë, mjekët, burokratët dhe shumë të tjerë, filluan të këmbëngulin që një shtet i fortë dhe i sigurt nuk mund të konceptohej pa ndryshime të rëndësishme në praktikat ushqimore të popullatës në tërësi. Por si mund të siguroheshe se njerëzit po ushqeheshin mirë? Çfarë lloj ushqimi do të ofronte një bazë më të mirë ushqyese sesa birra dhe buka e bardhë? Z. Buchan ishte nismëtari që inkurajoi një dietë të bazuar kryesisht tek produktet e grurit dhe perimet, duke insistuar gjithashtu se ato nuk ishin vetëm më të lira se alternativat e tjera por mbi të gjitha më të shëndetshme.
Ai ishte veçanërisht entuziast për patatet. “Nuk e keni idenë se çfarë thesari është një lopë qumështore dhe një kopsht me patate për një njeri të varfër me një familje të madhe, gjithashtu edhe disa prej burrave më të fortë që ne njohim, janë rritur me qumësht dhe patate”, u shpreh ai. Patatja siguron ushqimin ideal dhe sapo njerëzit të kuptojnë avantazhet e të ushqyerit me një dietë ushqimore ku baza është patatja, ata me vullnet të lirë dhe bindje të plotë nuk do t’i ndahen më kësaj diete ushqimore. Dhe përfitime nuk do të kenë vetëm punonjësit dhe familjet e tyre, trupat e tyre do të jenë plot energji dhe mbi të gjitha të shëndetshëm, por përfitime do të ketë edhe shteti dhe ekonomia në përgjithësi. Të gjithë do të fitonim.
Z. Buchan ishte një nga të shumtët entuziastë të shekullit të 18-të në lidhje me përfitimet që vijnë nga konsumi i patates. Grupe të ndryshme lokale në garat e sponsorizuara nga Finlanda kishin për qëllim inkurajimin e fshatarëve që të kultivonin më shumë patate, gazetat spanjolle shpjeguan se si njerëzit duhet t’i vlonin patatet në mënyrë irlandeze, mjekët italianë shkruan traktate të tëra mbi “pataten e mrekullueshme” dhe monarkët në të gjithë Europën i nxisnin të gjithë të kultivonin dhe të hanin më shumë patate.
Në 1794, kopshtet e Tuilerisë në Paris u shndërruan në fusha ku rritej patatja. Një prej çështjeve më të rëndësishme të shekullit të 18-të është se kishte një numër të madh individësh që besonin më bindje se mirëqenia dhe lumturia si personale ashtu edhe publike, mund të gjendeshin në “pataten e përulur”.
Por këta “adhurues” të patates të shekullit të 18-të, gjithsesi asnjëherë nuk sugjeruan se njerëzit duhet ta hanin medoemos pataten dhe që ishin të detyruar. Por në të kundërt ata shpjeguan me shumë durim nëpërmjet broshurave të ndryshme, predikimeve, reklamave apo leksioneve publike se patatja ishte një prej perimeve më ushqyese, më të shëndetshme dhe që gjithsekush prej nesh duhet ta hante atë me gëzimin dhe kënaqësinë më të madhe. Po nuk ishte e nevojshme që të sakrifikohej mirëqenia individuale për të siguruar mirëqenien e kombit në tërësi, pasi patatet ishin shumë të shijshme. Zgjedhja individuale dhe përfitimi publik ishin në harmoni të përsosur me njëra-tjetrën. Patatet ishin të mira për individin dhe mbi të gjitha të mira për organet politike.
Dhe kjo është pak a shumë qasja që ne kemi për shëndetin publik dhe të ushqyerit në mënyrë të shëndetshme në ditët e sotme. Ne kemi prirje t’i nxisim individët nëpërmjet shprehjeve të tilla si: “Ulni nivelin e yndyrës”! “Bëni më shumë ushtrime fizike”! Meksika ka vendosur një taksë 10% mbi pijet me sheqer apo rasti i Z. Bloomberg që ndaloi pijet me gaz. Shpresa jonë është që fushatat e edukimit publik të ndihmojnë njerëzit që të zgjedhin një formë të ushqyeri në mënyrë të shëndetshme.
Askush nuk po proteston kundër Dietave të të Ushqyerit Shëndetshëm të Shëndetit Publik të Anglisë, që ofron këshilla për t’u ushqyer sa më shëndetshëm, sepse ato janë shumë të dobishme dhe mbi të gjitha ne jemi krejtësisht të lirë të mos t’i marrim fare në konsideratë nëse duam. Dëshira dhe shpresa jonë është që të gjithë, me vullnetin e tyre të lirë, do të zgjedhin të përqafojnë një dietë më të shëndetshme dhe se ky bashkim i zgjedhjeve të mira individuale do të çojë në një komb më të fortë dhe më të shëndetshëm në përgjithësi. Nuk është rastësi që ky besim në një bashkim të mrekullueshëm të zgjedhjes individuale dhe të së mirës publike doli pikërisht në momentin që po zhvilloheshin parimet e ekonomisë klasike moderne.
Ashtu siç argumentoi edhe i famshmi Adam Smith, një ekonomi që funksionon më së miri është rezultat i të gjithë individëve që janë lejuar të ndjekin interesat e tyre personalw. Ai shkroi në 1776: Rezultati në të cilin çdo individ ndjek interesin e tij do të ishte pikërisht ai që do ta bënte sistemin ekonomik sa më funksional. Ai vazhdon më tej duke e shpjeguar më hollësishëm një ide të tillë edhe në teorinë e tij: “Çdo individ … as nuk synon që të promovojë interesin publik dhe as nuk e di sesa ai po ndikon në promovimin e tij … ajo çka ai synon është vetëm siguria e tij dhe duke e drejtuar atë industri në një mënyrë të tillë që prodhimi i tij mund të ketë vlerën më të madhe, ai synon vetëm fitimin e tij dhe ai është edhe në këtë rast, si edhe në shumë raste të tjera, i udhëhequr nga një dorë e padukshme për të promovuar diçka tjetër që nuk ishte pjesë e qëllimit të tij”.
Adam Smith
Ideja e tij për tregun e lirë u krijua me bindjen se pasuria kombëtare mund të rritej vetëm kur njerëzit ishin të lumtur dhe ndiqnin interesat e tyre personalë. Lumturia dhe komoditeti, nga ana tjetër, kërkonin një furnizim të pasur me ushqime të shijshme dhe me vlerë ushqyese, dhe këto elemente gjendeshin tek patatja, sipas Smithit. Ai i llogariti me shumë kujdes rezultatet nga të cilat doli që jo vetëm patatja ishte më produktive sesa gruri, por ajo ishte gjithashtu jashtëzakonisht më e pasur me vlera ushqyese
Burra të fortë dhe gra të bukura
Mënyra më e mirë për të siguruar një ekonomi të fortë kombëtare, sipas pikëpamjes së ekonomistëve klasikë të tillë si Adam Smith, është që t’i lejohet secilit individ që të kujdeset për mirëqenien e vet. Gjëja më e keqe që shteti mund të bënte ishte përpjekja e tij për të ndërhyrë në treg, ndërhyrje këto të cilat në tregun ushqimor u konsideruan veçanërisht të dëmshme. Kjo ide shumë novatore filloi të shprehej në fillim të shekullit të 18 dhe u bë gjithnjë e më e zakonshme kur Iluminizmi filloi të përparonte.
Siç tashmë e dimë, besimi në tregun e lirë është bërë tashmë një gur themeli në kapitalizmin modern. Dhe janë pikërisht këto ide të cilat e kanë gdhendur dhe i kanë dhënë formë botës tonë. Ishte ndoshta e pashmangshme që Adam Smith të rekomandonte veçanërisht patatet. Ideja e tij për tregun e lirë u krijua me bindjen se pasuria kombëtare mund të rritej vetëm kur njerëzit ishin të lumtur dhe ndiqnin interesat e tyre personalë. Lumturia dhe komoditeti, nga ana tjetër, kërkonin një furnizim të pasur me ushqime të shijshme dhe me vlerë ushqyese, dhe këto elemente gjendeshin tek patatja, sipas Smithit.
Ai i llogariti me shumë kujdes rezultatet, nga të cilat doli që jo vetëm patatja ishte më produktive sesa gruri, por ajo ishte gjithashtu jashtëzakonisht më e pasur me vlera ushqyese. Ai vuri në dukje edhe faktin se “burrat më të fortë dhe gratë më të bukura” në Britani jetonin duke u ushqyer me patate. Asnjë produkt tjetër nuk mund të ketë vlera ushqyese më të mira dhe t’i bëjë kaq mirë organizmit tonë, përfundoi ai. Z. Smith lidhi përfitimet personale që individët do të marrin nga një konsum më i madh i patateve. Nëse mbillen me patate, tokat bujqësore do të mbështesin një popullsi më të madhe dhe “punëtorët që në përgjithësi do të ushqehen me patate” do të prodhonin një suficit më të madh, në dobi të vetes së tyre, të pronarëve dhe të ekonomisë së përgjithshme.
Si në vizionin e z. Smith ashtu edhe në atë të William Buchan dhe të shumë mbështetësve të panumërt të patates, nëse individët zgjedhin të hanë më shumë patate, përfitimet do të rriteshin për të gjithë. Një qasje sa më e mirë ndaj patates përkthehet në rezultate më të mira ekonomike. Në përputhje me individualizmin që mbështeti modelin Smith të ekonomisë politike, ai nuk rekomandoi që njerëzit ishin të detyruar të rrisnin dhe të hanin patate. Ai e vuri theksin më tepër në lidhjen midis interesit individual dhe atij kombëtar. Në të vërtetë, tensionet e mundshme ndërmjet interesit personal dhe atij publik u drejtuan nga “entuziastët dhe mbështetësit e patates të shekullin e 18-të”, të shqetësuar pikërisht për të parë ndonjë sugjerim se ata po nënshtronin lirinë individuale për mirëqenien kolektive.
John Sinclair, president i Bordit Britanik të Bujqësisë në 1790, vuri re se disa njerëz kishin arritur në përfundimin se fermerëve duhej t’i jepej liria e tyre për të vendosur nëse ata do të donin të rrisnin apo jo më shumë patate. Ai përfundoi se “Nëse publiku do të ndikonte vazhdimisht tek fermerit për mënyrën se si ai do t’i zhvillonte bazat e tij”, një gjë e tillë mund të “jetë burim i një keqdashjeje që kurrë nuk do të marrë fund”. Dhënia e informacionit në mënyrë të tillë që individët të informohen mbi zgjedhjet e tyre “në vend që të shikohen si keqadashës duhet të shikohet si një prej mundësive më të mira që po na jepen”.
Këshilla dhe informacione të shumta në vend të ligjeve të ndryshme ndaluese, mbeten ndër teknikat më të preferuara për të transformuar sistemet kombëtare të të ushqyerit për shumicën e politikëbërësve. Këshilla dhe jo masa ndaluese. Në këtë mënyrë shekulli i 18-të dëshmoi lindjen e ideve që vazhdojnë të kenë jashtëzakonisht ndikim edhe gjatë ditëve të sotme. Bindja se nëse të gjithë do të ndjekin interesat e tyre ekonomike dhe ushqimore do të çojë në një rritje të përgjithshme të pasurisë dhe shëndetit të kombeve, qëndron në zemër të modelit të ri të të menduarit të shekullit të 18-të për ekonominë dhe shtetin.
Ideja është kjo: që përfitimi privat mund të sjellë përfitime publike, ide kjo që mbështet edhe interesin e shekullit të 18-të, tek patatja si motori kryesor i rritjes kombëtare. Ajo gjithashtu shpjegon edhe arsyen se pse gjatë shekullit të 20-të, shtetet dhe institucionet arsimore në të gjithë Europën krijuan institucione zyrtare kërkimore të patates, financuan ekspedita shkencore në Ande, të cilat synonin zbulimin e varieteteve të reja dhe më produktive të patateve dhe në përgjithësi promovuan konsumin e saj.
Organizata të tilla që merreshin kryesisht me mbledhjen dhe llojet e ndryshme të patateve në shtete të ndryshme të tilla si “Commonwealth Potato Collection” në Britani, “Groß Lüsewitz Potato Collection” në Gjermani, apo Industria e Plantacionit të patateve “N.I. Vavilov Research Institute” në Rusi, janë tregues mjaft të mirë të kësaj historie të gjatë, ku patatja krijon një lidhje ndërmjet konsumimit të saj individual dhe mirëqenies kombëtare.Këto lidhje mes patates, ekonomisë politike dhe një shteti të fortë, shpjegojnë për më tepër fiksimin e qeverisë aktuale të Kinës me produktin e patates.
Kina është prodhuesi kryesor i patates në botë, produkt që arriti në këtë shtet në shekullin e 17-të, por që është parë prej kohësh si një ushqim i të varfërve, ndërsa orizi mbetet “niseshteja e prestigjit”. Për disa dekada me radhë, shteti kinez po punon për të rritur konsumimin e patates dhe që nga viti 2014 ka pasur një nxitje veçanërisht shumë më të lartë. Gjithashtu ka pasur edhe një rritje të lartë të propagandës si për konsumin e patates ashtu edhe për kultivimin e saj. Ashtu siç ndodhi edhe në Europën e shekullit të 18-të, ky promovim i ri kinez i patateve është i motivuar nga shqetësimet për nevojat më të gjera të shtetit, por është i strukturuar në atë se si individët do të përfitojnë nga konsumimi më i lartë i patates. Programet televizive shtetërore shpërndajnë receta dhe nxisin diskutimet publike rreth mënyrave më të shijshme të përgatitjes së ushqimeve me bazë pataten. Librat e gatimit nuk përshkruajnë vetëm se si patatet mund të ndihmojnë Kinën për të arritur sigurinë ushqimore por ata gjithashtu shpjegojnë se ato përveçse janë shumë të shijshme, mund të shërojnë edhe kancerin.
Ashtu si në shekullin e 18-të, edhe në Kinën e sotme, ideja është që të gjithë, duke filluar nga ti, nga unë, nga shteti dhe nga e gjithë popullata në tërësi, përfitojmë nga këto fushata sensibilizuese mbi të ushqyerit shëndetshëm. Nëse të gjithë ndjekin interesin e tyre personal, mbështetësit e patates kanë argumentuar se të gjithë do të hanin më shumë patate dhe popullata në tërësi do të ishte më e shëndetshme. Këta njerëz më të shëndetshëm do të ishin në gjendje të punonin më shumë, ekonomia do të rritej dhe shteti do të ishte më i fortë. Çdokush do të përfitonte, nëse secili individ do të ndiqte interesin e tij personal.
Shekulli i 18-të pa shfaqjen e një mënyre të re të të menduarit rreth natyrës së pasurisë dhe fuqisë së kombit. Këto ide të reja theksuan lidhjet e ngushta midis shëndetit dhe suksesit ekonomik të individëve, si dhe pasurisë dhe fuqisë ekonomike të shtetit. Ajo që njerëzit konsumonin në të kaluarën, ashtu si edhe ajo që ata arritën në industrinë e punës, pati një ndikim tek të gjithë të tjerët.
Në të njëjtën kohë, ky model i ri tregtar, kapitalist, u bazua rrënjësisht në idenë e zgjedhjes. Individët duhet të lihen të lirë për të ndjekur interesat e tyre, qoftë ato ekonomike apo në mënyrën e të ushqyerit. Kjo histori e patates na lejon të shohim vazhdimësitë afatgjata që bashkojnë ekonominë politike dhe dietat individuale në një model më të gjerë liberal të shtetit. Ajo gjithashtu na ndihmon të kuptojmë edhe rolin e patates në Kinën bashkëkohore. Lidhjet midis jetës së përditshme, individualizmit dhe shtetit ,të krijuara dhe të vendosura në fund të shekullit të 18-të, vazhdojnë të jenë temat kryesorë të disa debateve në lidhje me barazpeshimin e lirisë personale të zgjedhjes së mënyrës së të ushqyerit dhe mirëqenies së organeve politike. Premtimi joshës se si në mënyrë kolektive ashtu edhe individuale, ne mund të ndikojmë në përmirësimin e shëndetit tonë dhe të mirëqenies ekonomike të kombit tonë, vazhdon të mbetet një komponent i fuqishëm i botës tonë neoliberale.