Tregu i birrës, sipas Shoqatës së Prodhuesve në vend, vlerësohet të jetë rreth 100 milionë euro i ndarë mes importit dhe prodhimit vendas. E në këtë garë për të marrë pjesën më të madhe duket se prodhuesit shqiptarë, të zhytur në borxhe, po e gjejnë veten në vështirësi për të paguar detyrimet që kanë ndaj bankave, të tretëve në kushtet kur importet po shkojnë drejt dominimit të tregut.
Kompanitë pranojnë se shumica, të paktën për vitin 2016, kanë rënie të fitimit me përjashtim të Birrës Korça, e cila ka sipas bilancit të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rritje të të ardhurave dhe fitimit. Kështu, të ardhurat për vitin e kaluar shënuan 771 milionë lekë, me rritje 8.1% me bazë vjetore. Fitimi para tatimit u rrit me vetëm 1% në 123 milionë lekë. Raporti i detyrimeve është 3.27 herë më i lartë sesa kapitali, kur në fakt kufiri normal për një biznes që të jetë i qëndrueshëm është 1.5 (raporti i detyrimeve ndaj kapitalit tregon se sa pjesë e aktivitetit financohet nga fondet e vetë kompanisë dhe sa me borxhe dhe 1.5, është dhe kufiri maksimal, ku një sipërmarrje vlerësohet se ka aktivitet të qëndrueshëm).
Situata është e ngjashme në shumicën e tregut të birrës. Shqetësimi i kompanive lidhet me faktin që rënia e shitjeve do të ndikojë drejtpërdrejt tek aftësia e tyre paguese e detyrimeve që janë dukshëm të larta. Birra Tirana, që është edhe prodhuesi më i madh në industrinë vendase, ka një raport të detyrimeve rreth 3.98 herë më të lartë sesa kapitali. Kjo e fundit ka raportuar në vitin 2015 një qarkullim të ardhurash në masën 1.49 miliardë lekë, me një rënie prej 16% në raportin e vitit të mëparshëm. Sakaq kompania nuk regjistron fitim por humbje. Kjo e fundit ka ardhur në ngushtim nga 97 milionë lekë në 2014 në 84 milionë lekë në 2015.
Rënie të të ardhurave ka pasur edhe Birra Stela, sipas sipërmarrësit të saj, Stefan Pinguli, që po amortizohet nga aktivitetet e tjera të kompanisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.