Në Shqipëri vetëm 51% e depozitave në banka jepen kredi, nga mbi 60% që ishte ky tregues para viteve 2008 kur kredia për ekonominë arriti kulmin. Raporti i ulët i kredi -depozita tregon se, për një shkallë të ulët të ndërmjetësimit bankar, objekti kryesor i aktivitetit të tyre është përdorimi i depozitave për të dhëna hua. Në vendet e zhvilluara bankat e kanë treguesin e ndërmjetësimit mbi 89-90%.
Banka e Shqipërisë publikoi se raporti kredi/depozita, në dhjetor 2016, paraqitet në nivelin 51.86% (nga 53.25% në dhjetor 2015) për shkak të rënies së portofolit të kredisë dhe rritjes së totalit të depozitave.
Ky raport ka evidentuar gjithnjë vlera më të larta në valutë me gjithë rënien e treguesit gjatë vitit 2016 (nga 63% në 57.6%) nën ndikimin e të njëjtëve faktorë.
Analizat sugjerojnë se reduktimi i fortë i ritmeve të rritjes së kredisë në Shqipëri menjëherë pas krizës së 2008 (2009-2012) ka ardhur si pasojë e shtrëngimit të njëkohshëm të faktorëve të kërkesës dhe të atyre të ofertës, por në një masë më të madhe prej këtyre të fundit.
Në periudhën 2013-2016 evidentohet një rikuperim i kërkesës dhe i ofertës krahasuar me vitet 2009-2012. Megjithatë, duhet vërejtur se, krahasuar me shtrëngimin e këtyre faktorëve në periudhën menjëherë pas krizës, rikuperimi i tyre në vitet e fundit është i vogël për Shqipërinë, sikurse edhe për vendet e tjera të Ballkanit.
Banka e Shqipërisë në një analizë të posaçme për ndërmjetësimin financiar vlerëson se rimëkëmbja e ngadaltë e kredisë varet si nga oferta, ashtu edhe nga kërkesa për kredi, të cilat mbeten të dyja ndjeshëm nën nivelet e viteve përpara krizës financiare.
Me rritjen e pritur të kërkesës për kredi, në ndjekje të përmirësimit të mëtejshëm të aktivitetit ekonomik, rikuperimi i ritmeve të kreditimit do të kushtëzohet nga oreksi i bankave për rrezik dhe shpejtësia e lehtësimit të ofertës bankare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.