Vërshimet e fundit në disa pjesë të Serbisë që shkaktuan 1 të vdekur dhe 150 të evakuuar nga mbushja e shtëpive me ujë e kanë kthyer sërish vëmendjen në ndryshimet klimatike.
Debati i ngrohjes globale mbi konkluzionet shkencore, nëse ndryshimet klimatike do të shkaktojnë shkatërrimin e plotë të planetit tonë, ka nxitur diskutime të mëtejshme në mbarë botën.
Janë të dokumentuara faktet se ndryshimet klimatike kanë shkaktuar shkatërrime të rënda në sistemet tona ekologjike dhe kanë ndikuar edhe në mjedis. Ndikimet shkatërruese të ndryshimeve klimatike ndihen edhe në rritjen e kostos së dëmeve që lidhen me to.
Studimi i NASA-s dhe i Universitetit të Kalifornisë tregon se ajsbergët në perëndim të Antarktidës po shkrihen me ritme të shpejta, gjë që do të çojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e nivelit të detit.
Edhe në Europë ka pasur rritje të përmbytjeve bregdetare dhe stuhive, të cilat po ndikojnë në rritjen e nivelit të detit, ndërkohë miliona njerëz në Afrikë vuajnë nga mungesa e ujit.
Në Azi, shumë njerëz kanë humbur jetën për shkak të sëmundjeve që lidhen me përmbytjet dhe thatësirat. Në Amerikën e Veriut, disa qytete kanë përjetuar valë intensive të temperaturave të larta, ndërkohë që në shumë zona në Amerikën Latine janë zhdukur specie të ndryshme.
Në Britani, ngrohja ka ndodhur që nga vitet 1970. Në vitin 2014, përmbytjet prekën miliona britanikë në disa zona të Britanisë së Madhe, duke shkatërruar shtëpitë dhe bizneset e tyre. Përmbytjet tregojnë rrezikun që i kanoset njerëzimit nga neglizhenca e ndryshimeve klimatike, u shpreh Princi Çarls. Janë të shumtë faktorët që ndikojnë në ndryshimet klimatike, por kryesisht ato janë shkaktuar nga niveli në rritje i gazrave serë në atmosferë.
Është ndoshta tepër vonë për t’u ndalur për shkak se emetimi i dioksidit të karbonit vazhdon të emetohet pa u pakësuar fare. Tashmë, ngrohja globale po ndodh prej disa dekadash dhe ndryshimi nëse do të jetë i mundur, do të marrë po aq dekada për t’u korrigjuar.
Ndryshimi i klimës nuk është vetëm një problem teknologjik apo ekonomik, por edhe një çështje politike. Pjesa më e madhe e dioksidit të karbonit shtesë po prodhohet në vendet e zhvilluara, për shembull në SHBA. Vendet e mëdha në zhvillim si Kina dhe India do të jenë përgjegjëse për emetimet e ardhshme. Ato po marrin pjesë në zgjidhjen e problemeve të ndryshimit të klimës që është një sfidë e madhe për to.