Përmbytjet e javës së shkuar kanë përqendruar vëmendjen e institucioneve në disa prej zonave kyçe problematike. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rual Niko Peleshi ishte në Berat ku vuri theksin tek investimet që duhet të bëhen për të parandaluar situata si kjo e fundit. Ai nënvizoi se puna për nxjerrjen e pikave të nxehta i bie mbi shpinë prefektëve në bashkëpunim me ministrinë që ai drejton.
“Kemi shmangur një dëm, që mund të ishte më i madh, sesa mund të ishte investimi që bëmë. E keqja, është që ne, historikisht jemi marrë me pasojat dhe nuk jemi marrë me shkakun. Tani duhet të merremi me shkakun. Kështu, që të nxjerrim mësimet, leksionet që marrim nga kjo përmbytje, ku i kemi pikat e dobëta, pikat e nxehta për ndërhyrje. Këtë rol duhet ta marrë prefekti, rolin e koordimit të gjithë institucioneve, natyrisht dhe ministria jonë, Ministria e Bujqësisë, për t’i studiuar dhe për t’i kthyer në projekte, të gjitha nevojat për ndërhyrje” tha Peleshi.
Ministri nënvizoi se vetëm me buxhetin e shtetit është e vështirë që të përballohen investimet që kapin vlera të jashtëzakonshme por fatmirësisht ka një gatishmëri nga ana e donatorëve të cilët në momentin që ju paraqiten projektet nuk kanë hezituar për të dhënë mbështetje.
Lidhur me kompensimin e pasojave të përmbytjes kreu i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u shpreh se do të ketë mbështetje ashtu sikurse ka ndodhur më herët.
“Natyrisht, edhe të dëmtuarve ne do t’u gjendemi pranë, por nuk jemi aq të pasur, sa që të mos merremi fare me shkaqet, por sa e kanë pasojat, t’i paguajmë te gjitha pasojat një për një. Kjo është e pamundur. Ndaj do bëjmë atë që është më ekonomike dhe më logjike. Do investojmë për parandalimin” tha ministri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.