Përplasja e titanëve

18/08/2018 10:03 PM 0 komente

Gjigantët e teknologjisë amerikane dhe kineze, Facebook dhe Tencent përballë njëri-tjetrit në tregjet në zhvillim

 

Janë duke u zhvilluar dy gara në të cilat titanët që zotërojnë miliarda në llogaritë e tyre, po konkurrojnë për të pasur dominim global. Njëra u zhvillua në fushat e futbollit në Rusi, me personazhe kryesore disa prej yjeve të futbollit si Neymar dhe Harry Kane. Tjetra, në ekranet e smartphone-ve të përdoruesve në Indi, Indonezi, Brazil dhe ekonomi të vendeve të tjera në zhvillim. Atje, gjigantët amerikanë si Google, Facebook dhe Amazon janë përballur me një ekip kinez të udhëhequr nga Alibaba dhe Tencent.

Gjeopolitika e biznesit do të thotë se firmat më të mëdha të teknologjisë në botë janë rritur me kapitalizimet e kombinuara të tregut prej mbi 4 trilionë dollarësh, por pa u përballuar asnjëherë me njëri-tjetrin. Kina bllokoi Google dhe gjigantët e tjerë të teknologjisë përmes Great Firewall, duke parandaluar firmat amerikane (me përjashtim Apple) që të mos avanconin ndaj rivalëve kinezë në kontinent.

Gjigantët kinezë kanë qëndruar jashtë Amerikës ndërsa Europa ra nën magjinë e Silicon Valley para se teknologjia kineze të forcohej. Koha ka ndryshuar dhe aftësitë e këtyre firmave teknologjike janë përmirësuar. Firmat kineze të teknologjisë dikur thjesht imitonin produktet e Silicon Valley, nga motorët e kërkimit në e-commerce dhe rrjetet sociale. Ndërsa tani “kopjacët e dikurshëm” janë shndërruar në pionierë.

WeChat, një aplikacion për dërgimin e mesazheve i drejtuar nga Tencent, rivalizon çdo gjë nga Kalifornia. Firmat kontinentale janë shumë të gatshme për të bërë një lojë të fortë në tregjet në zhvillim, ku të ardhurat në rritje, përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i smartphone-ve dhe përmirësimi i infrastrukturës së internetit, i bëjnë ato një terren të parezistueshëm për të gjitha kompanitë e teknologjisë. Ndërsa të gjithë po përpiqen për të marrë miliardin e radhës, Alibaba po konkurron fuqishëm me Amazon, Google po përballet me Baidu dhe Tencent me guxim të madh po përballet me Facebook. Megjithatë, ato kanë strategji të ndryshme nga njëra-tjetra. Por kanë qenë firmat amerikane ato që krijuan çdo gjë nga zeroja.

Ato financojnë filiale që ofrojnë pothuajse shërbime të njëjta për indianët ose meksikanët, siç mund të presin përdoruesit e tyre të brendshëm. Vitin e kaluar, Amazon pagoi 650 milionë dollarë për Souq.com, një faqe e-commerce me seli në Dubai, e cila tani etiketohet si “një kompani e Amazon”. Google dhe Facebook ofrojnë shërbime të ndryshme jashtë vendit, të ngjashme me ato që u ofrohen konsumatorëve në Amerikë, prandaj ato janë të njohura si në Bangalore (Indi), ashtu edhe në Boston apo Berlin. Në mbarë botën, përdoruesit e Google përdorin thuajse të njëjtët browser si Chrome, YouTube apo sistemin operativ Android, për këtë arsye edhe reklamat e ndryshme që publikohen aty u ofrohen në të njëjtën mënyrë. WhatsApp dhe Instagram, të dy në pronësi të Facebook, janë të njohura në të gjithë botën. Në të kundërt, pak indonezianë ose indianë do ta njihnin emrin e kompanisë Alibaba. Në dy vitet e fundit, ajo ka ndërtuar një kostelacion firmash të përqendruara në blerjen, pagesat dhe shpërndarjen.

Këtu përfshihen Paytm dhe BigBasket në Indi, Tokopedia në Indonezi, Lazada në Singapor, Daraz në Pakistan dhe, që nga 2 korriku, Trendyol në Turqi. Shumica e përdoruesve të tyre ndoshta nuk ka asnjë ide se këto aplikacione mbështeten nga një titan i teknologjisë kineze. Në mënyrë të ngjashme, Tencent ka investuar para në disa firma indiane të fushave të ndryshme, si edukimi online, transmetimi i videove muzikore, kujdesi shëndetësor, IT dhe tregtinë elektronike, si dhe pagesat nigeriane dhe logjistikën indoneziane.

Sipas CB Insights, një kompani të dhënash, Tencent, Alibaba dhe filiali i saj Ant Financial kanë mbështetur rreth 43% të të gjitha “njëbrirëshave aziatikë”, startup-e me vlerë më shumë se 1 miliard dollarë. Investimi i Alibaba në Lazada, platforma më e madhe e tregtisë online në Azisë Juglindore, ka kërkuar më shumë se 4 miliardë dollarë. Jack Ma, themeluesi dhe CEO i Alibaba, ka premtuar se do të investojë 8 miliardë dollarë vetëm për Indi. Qasjet e tyre të ndryshme reflektojnë edhe mënyrën se si firmat perëndimore dhe ato kineze i fitojnë paratë. Google dhe Facebook fitojnë pjesën më të madhe të të ardhurave nga reklamat që publikojnë në platformat e tyre, ndërsa avantazhi konkurrues i firmave kineze, nga ana tjetër, ka ardhur historikisht nga aftësia për kryerjen e pagesave dhe për të organizuar shpërndarjen e mallrave në vende ku gjëra të tilla më parë kishin qenë të ndërlikuara.

Një biznes i bazuar në dhënien e zgjidhjes praktike për këto probleme është vështirë të eksportohet. “Për këtë arsye, është e vështirë që të kemi një qasje të njëtrajtshme për të gjitha vendet”, thotë Tan Yinglan nga Insignia Ventures Partners, një firmë investimesh teknologjike. Duke qenë një ekspert në sektorin e shpërndarjes në Singapor (ish-monopoli postar i të cilit është tani rreth 14% në pronësi të Alibaba) ai mundëson pak të dhëna në lidhje me shpërndarjen e paketave nëpër 17,500 ishujt e Indonezisë, thotë më tej z. Yinglan. Kapaciteti për të proceduar me pagesat në Vietnam, nuk do të thotë që edhe transaksionet në Brazil ose në Nigeri të kryhen në po të njëjtën mënyrë, sepse sistemet e tyre bankare dhe rregullatore janë të ndryshme.

Procedura të tilla, mund të kryhen më mirë nga sipërmarrësit lokalë, por pyetja që lind është sesi vihen në zbatim këto strategji të ndryshme. Rivaliteti më i fortë është ai kinezo-amerikan, i përqendruar në Indinë dhe Azinë Juglindore. Sipas Tracxn, një ofrues të dhënash, shkalla e investimit pasqyron edhe vlerën e aseteve: startup-et indiane fituan 5.2 miliardë dollarë nga teknologjia kineze gjatë vitit të kaluar, nga 930 milionë dollarë gjatë 2016. Forrester, një kompani që merret me kërkimin e tregut, thotë se gjigantët kinezë të teknologjisë (duke përfshirë Didi dhe JD.com) shpenzuan 6 miliardë dollarë për blerjet në Azinë Juglindore në vitin 2017. Firmat kineze kanë disa përparësi. Ato e kanë të vërtetuar numrin e qindra miliona konsumatorëve të tregjeve në zhvillim në internet. Gjigantët kinezë gëzojnë edhe mbështetjen e heshtur të qeverisë së vendit të tyre, e cila është e prirë për t’u zgjeruar në vendet pranë Kinës.

Janë më të mëdha mundësitë që themeluesit e startup-eve në Azi të duan të imitojnë z. Ma sesa homologët amerikanë. Ata me siguri do të parapëlqenin qasjen kineze në qoftë se do të donin të vazhdonin të udhëhiqnin firmat e tyre. Megjithatë, për kritikët, qasja kineze është e ngjashme me mënyrën si Japonia veproi në vitin 1980, ku ajo pagoi në mënyrë të pashpresë dhe të padisiplinuar vlera më të mëdha sesa duhej për të përfituar asetet.

Edhe firmat kineze nganjëherë përfundojnë duke konkurruar kundër njëra-tjetrës. Për shembull, Tokopedia dhe Lazada në Indonezi shesin produkte të ngjashme dhe mbështeten të dyja nga Alibaba. Investimi i Alibaba-s në Paym erdhi menjëherë pasi ajo vuri bast se Snapdeal, një kompani tjetër indiane po në fushën e tregtisë online shumë shpejt do të pësonte rënie të theksuar të aksioneve të saj. Vlerësimet mund të jenë befasuese, kjo sepse bëhet fjalë për një vlerë të lartë kapitali në lojë. Duke qenë se sipërmarrësit kapitalistë janë të shqetësuar për humbjen e rëndësisë së tyre në rajon, duan të investojnë sa më shumë.

SoftBank, një grup japonez që i pëlqen të rrezikojë dhe që tërhiqet nga startup-et e modës njësoj si një brazilian ndaj një kupe në futboll, është ndër ata që gjenerojnë një vlerë të madhe pasurie në Kinë (ai është aksioneri më i madh i Alibaba-s) dhe i gatshëm që të bëjë të njëjtën gjë edhe me startup-e të tjerë në fushën e teknologjisë, të cilat janë në rritje e sipër. Gjigantët e Silicon Valley i kanë ndërkombëtarizuar veprimet e tyre pak a shumë që nga fillimi.

Degët e Amazon në Angli dhe në Gjermani festojnë këtë vit 20-vjetorin e tyre. Është më e lehtë për firmat anglishtfolëse sesa për ato kineze që të punësojnë staf ose të tërheqin sa më shumë përdorues. Mbi gjysma e të ardhurave të Google dhe Facebook vijnë nga jashtë Amerikës. Ndërsa për Alibaba, vlera e të ardhurave që gjenerohet nga jashtë llogaritet në më pak se 10%, edhe pse ajo shpreson se deri në vitin 2025, gjysma e vlerës së produkteve të shitura nëpërmjet saj do të transportohet jashtë shtetit. Ofrimi i shërbimeve si transmetimi i filmave nëpërmjet “Amazon movie-streaming”, krijon edhe mundësinë që këto programe të shihen edhe në vende të tjera, duke rritur edhe numrin e mundësive për kontrata të reja me furnizues globalë.

Amazon ka shpenzuar rreth 3.5 miliardë dollarë investime në Indi, ku ajo konkurron pothuajse në të njëjtin nivel me Flipkart, një kompani vendase në fushën e tregtisë online. Ndërsa dizavantazhet e qasjes amerikane janë se filialet e saj operojnë sipas një model biznesi që u krijua në rrethana krejtësisht të ndryshme.

Ashtu si kinezët, pjesa më e madhe e konsumatorëve aziatikë përdorin vetëm telefonat celularë për të hyrë në internet, ndërsa treshja amerikane e krijoi suksesin e saj në fillim nëpërmjet kompjuterëve. Megjithatë të dyja modelet mund të rezultojnë të suksesshme. Avantazhet e të qenët pjesë e një sipërmarrje globale mund të jenë vendimtare në ofrimin e disa shërbimeve si kërkimi apo mediat sociale. Alibaba po shtyn platformën e saj të quajtur B2B drejt bizneseve të vogla indiane, duke i ndihmuar të shesin produktet e tyre jashtë vendit dhe, në këtë rast, duke u zgjeruar në të njëjtën mënyrë siç mund të kishte bërë një kompani rivale amerikane.

Ndërsa në vende të tjera, aty ku firmat amerikane e shohin se duhet të veprojnë sipas një qasjeje që i përkon më shumë stilit kinez, ato e bëjnë këtë duke krijuar kështu një “ekosistem” firmash aleate. Amazon thuhet se është e interesuar në blerjen e Flipkart, në të cilën Walmart tani është duke blerë shumicën e aksioneve (pjesërisht nga Tencent). Më 17 qershor, Google investoi 550 milionë dollarë në JD.com, një firmë kineze e tregtisë online, e cila ka shpenzuar shumë në startup-e në Indonezi, Tajlandë dhe Vietnam. Shifrat e përdoruesve për shërbimet që janë falas në tregjet në zhvillim janë tronditëse, ku tetë nga dhjetë vendet me numrin më të madh të përdoruesve të Facebook janë në tregje në zhvillim, të kryesuar nga India me 270 milionë dollarë.

Nëse kjo do të përkthehet në një nivel proporcional të të ardhurave dhe fitimeve nuk është ende e qartë. Megjithatë, përpos të gjithë ecurisë së tregtisë indiane online, vetëm rreth 27 miliardë dollarë produkte shiten online në Indi çdo vit, një shifër kjo e papërfillshme nëse e krahasojmë me firmat kineze të tregtisë online, ku të gjitha së bashku e arrijnë këtë vlerë në vetëm 3 ditë, ndërsa ato amerikane në 3 javë. Azia Juglindore është ende e vogël në këtë drejtim. Tërheqja e miliarda përdoruesve të rinj shihet si një prej investimeve më me vlerë dhe që duhet bërë kundrejt çdo kostoje.

Gjigantët e teknologjisë kineze duhet të përballen me një numër të vogël të rekrutëve të rinj brenda vendit, por nuk duhet harruar gjithsesi fakti se ata kanë besimin dhe aftësitë e nevojshme për t’u zgjeruar jashtë vendit. Ndërsa titanët e Amerikës mund të shpresonin se do të përballeshin me rivalë jo shumë të fortë në tregjet në zhvillim, ata po përballen me një luftë të vërtetë. Kjo është një luftë të cilën ata nuk do ta kishin imagjinuar kurrë katër vite më parë, kur këta kolosë të tjerë, ishin shumë më pak të interesuar për “lavdinë globale”.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of