Titulli më i pabesueshëm në historinë e Premier League ka rritur ekonominë e Leicester-it me 140 mln të ardhura më shumë në sezonin e fundit dhe nga këto, 110 mln sterlina janë gjeneruar direkt nga klubi nëpërmjet aktiviteteve të tij dhe ndikimit nga turizmi.
Rreth 120 mijë vizitorë kanë vizituar qytetin për të ndjekur ndeshjet dhe pjesëmarrja në Champions League mendohet se do të tërheqë dhe 100 mijë të tjerë.
Sipas një studimi të kryer nga Ernst & Young, gjatë sezonit janë mbështetur 2,500 vende pune (në këtë kuptim duhet theksuar se shoqëria flet se janë mbështetur dhe jo krijuar) dhe 78 mln sterlina të tjera të ardhura fiskale. Falë suksesit të pabesueshëm të ekipit Leicester City, edhe interesi në lidhje me qytetin është rritur ndjeshëm.
Për këtë vit, Ernst & Young parashikon që të ardhurat të arrijnë 193 milionë sterlina, nga të cilat 95 mln nga të drejtat televizive (në lidhje me marrëveshjen e mëparshme të Premier League me kanalet televizive).
Në sezonin e ardhshëm, skuadra e Ranierit duhet të përfitojë më shumë nga një rritje të ardhurash, jo vetëm nga të drejtat televizive që vijnë nga Premier League, por edhe sepse pjesëmarrja në Champions League përfaqëson një burim të ri të ardhurash të panjohura deri tani për një klub që vetëm dy vjet më parë u kthye në Premier League, pas disa sezoneve në Championship (kategoria e dytë angleze).