Nuk është një sekret: Londra, kryeqyteti i Mbretërisë së Bashkuar është tashmë “atdheu” që zgjedhin për të pasur miliarderët e planetit, pavarësisht se cili është vendi i origjinës. Sepse ata nuk janë vetëm nga Rusia apo vendet arabe, por edhe nga Kina e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata të gjithë zotërojnë shtëpitë më të mira londineze. E për të kuptuar sesi funksionon kjo “parajsë” na ndihmon gazetari Paul Johnson i “Forbes”, falë të cilit është hartuar një listë me shtatë motivet kryesore që i nxisin miliarderët që të zgjedhin Londrën.
1. Sistemi i drejtësisë. Në Londër mund të jetohet në qetësi: nuk ekziston rreziku se mund të arrestohesh apo të ndalohesh për shkak të kapriçiove të autoriteteve apo sepse mund t’i kesh folur me mospërfillje. Një element shumë i rëndësishëm veçanërisht për ata që e kanë origjinën nga vende autokratike. Në të njëjtën kohë mund të përfitohet nga një aparat drejtësie shumë modern dhe efikas që përbën një instrument shumë të çmuar për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje.
2. Kryebashkiaku Boris Johnson. Në mandatin e tij të dytë, Qytetari i Parë ka ditur të bëjë për vete njerëzit. Ata e duan dhe e respektojnë edhe falë angazhimeve të tij si ekologjist, hapjes ndërkombëtare dhe politikave të përparuara që ka ndërmarrë. Një vlerësim që e kanë shumë miliarderë që jetojnë në Londër.
3. Ligjet ndaj divorcit. Mes super të pasurve, shpesh është e vështirë që të dallosh ndjenjat nga interesat, ndaj dhe norma e dështimit është e lartë. Në Londër (kjo ndodh edhe në SHBA) mund t’i besohet një ligji i cili lehtëson procedurat e divorcit dhe për disa kjo është diçka që merret shumë në konsideratë.
4. Financa. Londra është kryeqyteti i financave. Çdo institucion i rëndësishëm mund të arrihet fizikisht në pak minuta, duke kursyer kohë dhe para. Për njerëzit e biznesit, lehtësia në operim është diçka shumë e vyer.
5. Cilësia e jetës. Klube dhe restorante të nivelit të lartë; kinematë dhe teatrot kanë oferta që shpesh tejkalojnë ato që prezantohen në Nju Jork, Paris apo Romë; stadiumet dhe ambientet sportive janë të shkëlqyera. Miliarderët që duan të argëtohen në Londër mund ta bëjnë në të gjitha format që duan, ka për të gjitha shijet.
6. Aeroporti. Ndoshta Heathrow mund të mos jetë më efikasi në botë, por nuk ka linjë ajrore që nuk jep oferta dhe kjo ka bërë që terminali i ri të ketë një ofertë të pasur fluturimesh. Për ata që kanë interesa në të gjithë botën, është mirë të dinë se kanë linja ajrore që i mundësojnë lëvizjen në mënyrë të shpejtë sa nga njëri cep në tjetrin. 7. Mbretëresha. E fundit, por jo më e parëndësishmja. Të jetosh në afërsi të familjes më të famshme mbretërore në botë, për shumë miliarderë që nuk kanë gjak blu, është një mundësi e mirë, sepse kështu ata mund të bëjnë pjesë në elitë dhe të rrethohen nga kjo kastë e lartë shoqërore. Në kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar atyre mund t’u ndodhë që të ftohen në pritje apo ceremoni të ndryshme që organizohen nga Oborri dhe të lidhin miqësi me kontë e baronë.