Fatkeqësisht nuk ka gjeologë që të përcaktojnë se kur ka filluar e ashtuquajtura “Anthropocene”, epoka gjeologjike gjatë së cilës njerëzit kanë qenë ndikuesit kryesorë në mjedisin e planetit tonë. Por edhe pse nuk ka një datë të saktë se kur ka nisur kjo epokë, kudo ku gjeologët të hedhin sytë do të gjejnë dëshmi të qarta të asaj që njerëzit i kanë bërë mjedisit ku jetojnë, dhe një prej dëshmive më të qarta janë padyshim mbetjet plastike. Plastika është një material kyç në ekonominë botërore, që gjendet tek automjetet, telefonat celularë, lodrat për fëmijë, veshje, në pajisjet mjekësore dhe në shumë produkte të tjera. Në mbarë botën, gjatë vitit 2015 janë prodhuar 322 milionë tonë plastikë dhe me këto ritme që po ecim në 2050, kjo shifër fatkeqësisht parashikohet të jetë katër herë më e lartë. Por plastika është duke krijuar probleme globale masive mjedisore, ekonomike dhe sociale. Përveç lëndës së nevojshme për t’u prodhuar, plastika është kaq e lirë saqë në pjesën më të madhe ajo gjen përdorim në produktet njëpërdorimshme dhe si rezultat i kësaj, një pjesë e madhe përfundon e hedhur në tokë, duke u shndërruar në një prej ndotjeve më të mëdha mjedisore. Mbetjet plastike janë një problem i madh edhe për sistemet e kanalizimeve të qyteteve, sepse rrisin rrezikun e përmbytjeve dhe krijimin e kushteve të favorshme për rritjen e insekteve që mund të përhapin sëmundje të ndryshme. Rreth 13 milionë tonë mbetje plastike depozitohen në dete dhe oqeane çdo vit dhe fatkeqësisht pritet që deri në vitin 2050, në ujërat e deteve dhe oqeaneve dhe deteve do të ketë më shumë mbetje plastike sesa peshq. Industria e turizmit harxhon me qindra miliona çdo vit për të pastruar brigjet nga këto mbetje plastike.
Por mbi të gjitha, këto mbetje plastike përbëjnë edhe një kërcënim serioz për kafshët e egra. Përveç vdekjes së fokave, pinguinëve dhe breshkave nga konsumimi i mbetjeve plastike, së fundmi biologët po shprehen se numri i balenave të vdekura si pasojë e konsumit të mbetjeve plastike që hidhen në habitatin e tyre është në rritje. Plastika ka padyshim një ndikim të keq edhe tek njerëzit. Nëse plastika që ne përdorim, për shembull për paketimin e ushqimeve tona, mund të mos jetë toksike, pjesa më e madhe e plastikës tjetër përmban kimikate toksike ose kancerogjene në përqendrime të larta. Dhe këto kimikate, nga oqeanet, nëpërmjet zinxhirit ushqimor mund të përfundojnë në pjatat tona. Por zgjidhja e këtij problemi nuk është aspak e lehtë dhe asnjë shtet apo kompani nuk mund t’ia dalë e vetme në krye. Të shumtë janë aktorët, duke përfshirë këtu prodhuesit dhe ndotësit më të mëdhenj plastikë, mungesën e nismave për reduktimin e këtyre mbetjeve apo laboratorët hulumtues, të cilët ndikojnë në përkeqësimin e kësaj situate. Hapi i parë është krijimi i një forumi të nivelit të lartë për të lehtësuar diskutimin midis palëve të interesuara, me qëllim zhvillimin e një strategjie bashkëpunimi për zvogëlimin e ndotjes së mjedisit nga mbetjet plastike. Një strategji e tillë duhet të shkojë përtej planeve dhe partneriteteve vullnetare të veprimit për t’u zëvendësuar në zhvillimin e një marrëveshjeje ligjore të detyrueshme ndërkombëtare, e mbështetur nga angazhimi i të gjitha qeverive për të eliminuar ndotjen plastike. Negociatat mbi një traktat të tillë mund të fillojnë në dhjetor të këtij viti, në Asamblenë e Mjedisit të Kombeve të Bashkuara në Nairobi. Shkencëtarët gjithashtu nuk kanë vonuar të japin propozime konkrete në lidhje me këtë traktat të ndotjes plastike. Një prej propozimeve ishte ai i një konvente të modeluar sipas Marrëveshjes së Klimës së Parisit, një qëllim detyrues gjithëpërfshirës i kombinuar me plane veprimi vullnetare kombëtare dhe masa fleksibile për t’i arritur ato. Një ekip kërkimor nga Universiteti i Wollongong në Australi, duke u frymëzuar nga Protokolli i Montrealit, traktati që mbron shtresën e ozonit, ka propozuar hapat që duhet të ndërmerren në lidhje me reduktimin e ndotjes që vjen nga mbetjet plastike. Të shumtë janë edhe ata që pyesin “A nuk mund ta projektojmë ne pjesën tjetër të jetës sonë pa u varur nga problemi i ndotjes që vjen nga plastika? Përgjigjja ndaj kësaj pyetje është: “Me shumë mundësi jo”. Për shembull, plastika e biodegradueshme do të kishte kuptim vetëm nëse ato lëndë që përbëheshin prej saj do të treteshin aq shpejt sa duhet për të shmangur dëmtimin e kafshëve të egra. E vetmja mënyrë e vërtetë për të trajtuar këtë problem është zvogëlimi i mbeturinave plastike. Teknologjia është ajo që mbase mund të ndihmojë në këtë drejtim, duke ofruar mundësi të reja si për zëvendësimin ashtu edhe për riciklimin. Për shembull, Capannori, një qytet me 46.700 banorë pranë Luccas në Toskanë, nënshkroi në vitin 2007 një marrëveshje për të realizuar reduktimin e mbetjeve plastike. Një dekadë më vonë, mbetjet plastike në këtë qytet janë reduktuar me 40%. Ndikim të madh në këtë drejtim ka pasur edhe ndarja e mbeturinave që në burim, me rreth 82%. Përvoja të tilla duhet të shërbejnë si shembull informimi dhe si model për t’u ndjekur nga planet kombëtare të veprimit që do të jenë pjesë e traktatit të plastikës. “Paketa e ekonomisë rrethore” e Komisionit Europian, është një shembull tjetër për t’u marrë në konsideratë dhe për t’u ndjekur. Megjithëse ajo ende nuk është zbatuar, por bazuar në objektivat që ajo ka vendosur për të arritur, vendeve të Bashkimit Europian, do t’i kursehen rreth 190 milionë tonë emetime dioksid karboni çdo vit, që fatkeqësisht është e barabartë me emetimet vjetore të CO2 në Holandë. Natyrisht që kalimi në reduktimin absolut të mbetjeve do të kërkojë një investim të caktuar. Çdo traktat ndërkombëtar mbi plastikën duhet të përfshijë një mekanizëm financimi dhe parimi që “ndotësi paguan” është mbase hapi i parë për ta filluar. Industria globale e plastikës, me të ardhura vjetore prej rreth 750 miliardë dollarësh, me siguri do të mund të gjente disa qindra milionë dollarë për të ndihmuar në pastrimin e kësaj katastrofe që ajo vetë e krijoi. Por një traktat global i plastikës që të jetë i detyrueshëm dhe të zbatohet më përpikëri nga të gjithë, nuk do të jetë aspak i lehtë për t’u arritur. Do të kërkojë kohë dhe padyshim do të kushtojë edhe para, por mbi të gjitha do të shërbejë edhe si një parakusht në rrugën e mundimshme drejt suksesit. Në fund të fundit, ashtu siç ndotja nga mbetjet globale është tërësisht një vepër e krijuar prej nesh, është gjithashtu brenda të gjitha mundësive tona për të dhënë edhe një zgjidhje për këtë problem.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.