Përse të gjithë flasin për Portugalinë? Në rrjete sociale, Instagram, Facebook dhe Twitter, Portugalia është një trend i momentit. Ata që kanë qenë duan të rikthehen sa më shpejt. Ndërsa ata që nuk kanë qenë duan të shkojnë sa më parë.
Portugalia duket se është destinacioni më i pëlqyer i momentit.
Konfirmimi vjen jo vetëm nga World Travel Awards, çmimet më prestigjioze që lidhen me turizmin, që e kanë votuar si “destinacioni më i mirë turistik në botë” (për të dytin vit me radhë). Këtë e tregojnë edhe shifrat – vitin e kaluar, vendin e vizituan më shumë se 13 milionë turistë të huaj (thuajse dyfishi krahasuar me tetë vite më parë).
Por çfarë ka kaq të veçantë ky vend, i cili në vitin 2012, gjatë krizës së Eurozonës, ishte në prag të falimentit?
Si fillim, duke nisur nga Fado (muzika karakteristike) tek ushqimi e vera – bacalhau, Pasteis de Nata e një gotë nga Porto… te njerëzit miqësorë, ngjyrat e azuleios tek lagjja historike Alfama në Lisbonë… Magjia e Sintra-s, plazhet në Algarve e shumë e shumë të tjera…
Çfarë të shihni në Portugali në rreth dy javë…
Më poshtë janë disa motive për t’u nisur sa më parë..
PORTO, PËR NJË FUNDJAVË ”LOW COST’
Dy ose tri ditë në dispozicion dhe një buxhet të kufizuar. Ekspertët e cilësojnë qytetin ideal për një fundjavë.
Porto do t’ju mahnisë me arkitekturën e jashtëzakonshme të pallateve historikë, galeritë e artit, restorantet, baret, kishat – të cilat u kanë shpëtuar shkatërrimit dhe janë restauruar.
Porto ka një qendër historike, e vlerëruar Trashëgimi Botërore nga UNESCO dhe përshkohet nga lumi Duoro. Ndalesa e parë. Katedralja SE, e ndërtuar në shekujt XII – XIII. Po ashtu ju këshillojmë edhe një shëtitje në plazh, në Praia de Matosinhos.
LISBONA, E GJALLË DHE ROMANTIKE
Në vitet e fundit, numri i turistëve në kryeqytetin portugez është rritur shumë. Pas Barcelonës, Berlinit, Lisbona është pa dyshim një nga qytetet të cilët duhet ta vizitoni – pëlqehet veçanërisht nga të rinjtë europianë. Ju këshillojmë ta nisni shëtitjen nga Bairro deri në Baixa, duke kaluar mes përmes Belem dhe Chiado, – lagjet më karakteristike të qytetit.
Shtëpitë e dekoruara me azulejos, rrugët e ngushta, tramet, (më i famshmi ai nr. 28, i cili bën një shetitje në gjithë qytetin, ju këshillojmë ta provoni), lumi Tago dhe oqeani aty pranë – e bëjnë qytetin të veçantë.
DIELLI (DHE I NXEHTI)
Lisbona është kryeqyteti me më shumë ditë me diell në kontinent – mesatarisht 2.799 orë diell në vit. Temperatura mesatare gjatë vitit është 17 gradë Celsius.
PLAZHET
Një ndër vendet më të bukura është Algarve me Praia de São Rafael, pranë Albufeira. Praia de Marinha pranë Lagos është cilësuar një ndër 100 plazhet më të mira në botë, për natyrën e paprekur.
LIBRARIA E BUKUR (E HARRY POTTER)
“Livraria Lello & Irmão” është një ndër libraritë më të bukura në botë. Ndodhet në qendrën historike të Portos, pranë Torre dos Clérigos, simbol i qytetit. Më saktësisht në Rua das Carmelitas, që prej vitit 1906. Pjesa më e bukur e librarisë është pjesa e brendshme, me një sërë basorelievesh që përfaqësojnë José e Antonio Lello, dhe buste të autorëve të famshëm portugezë të punuar nga Romão Júnior, si dhe shkalla e famshme që të çon drejt katit të parë. Thuhet se J. K. Rowling, u frymëzua nga kjo librari kur shkroi Harry Poter. Çdo vit, ajo vizitohet nga më shumë se 1 milion persona.
ÇMIMET (E ULËTA)
Portugalia është një ndër destinacionet më të lira në Europë. Në klasifikimin e fundit të Post Office Travel Money – që tregon destinacionet më të lira për vitin 2019, Portugalia është në vend të dytë, pas Bullgarisë. Çmimet janë të arsyeshme, në mënyrë të njëjtë në të gjithë vendin.
URA VASCO DA GAMA
Ura Vasco da Gama përshkon lumin Tejo, duke nisur nga Lisbona deri pranë komunës aty afër Montijo, për rreth 17 kilometra. Është bërë edhe më e famshme, pasi aty pranë është Parque das Nações me një hapësirë gjigante.
SËRF
Në Peniche, do të gjeni dallgët ideale. Në Nazaré, ato gjigante. Ndërsa në Figueira da Foz, dallgët më të gjata në Europë. Ericeira është cilësuar si vendi më i mirë për të bërë sërf në Europë.
GOLFI
Portugalia është një ndër destinacionet më të mira për të luajtur golf në Europë – vlerësuar për pesë vite me radhë, mes viteve 2014 – 2018 nga World Golf Awards. Në të gjithë vendin ekzistojnë më shumë se 90 fusha golfi në vende të mrekullueshme që kanë si sfond oqeanin.
STADIUMI… (NË SHKËMB)
I ndërtuar me rastin e Euro 2004, stadiumi i Braga-s është një vepër e famshme inxhinierike. Ai është ndërtuar në një ish-gurore.
SHTËPITË E FADO
Një shall, një kitarë portugeze, një zë dhe shumë ndjenjë – ky imazh mjafton për të përshkruar Fado – simbol i identitetit të Lisbonës e vendit dhe Trashëgimi e Njerëzimit të UNESCO-s. Për të parë një spektakël, mjafton të bëni një shëtitje pranë Shtëpive Fado në gjithë qytetin. Ju këshillojmë Tasca do Chico, në lagjen historike të Alfama-s; Boteco da fà; A Parreirinha de Alfama; Clube do Fado.
MUZEU SERRALVES
Është muzeu më i vizituar në Portugali, Fundação de Serralves është një ndër muzetë e artit bashkëkohor me më shumë ndikim në Europë. Muzeu, i cili ndodhet në Porto, është një tempull kushtuar artit, i rrethuar me një park të mrekullueshëm me një sipërfaqe 18 hektarë, ku gjenden, mes të tjerave, vepra të Richard Serra dhe Claes Oldenburg.
NJERËZIT
Portugalia, me 10,2 milionë banorë, është një ndër vendet europiane me dendësinë më të ulët të popullsisë, por edhe më mikpritës. Portugezët janë gjithnjë të gatshëm t’ju ndihmojnë nëse i pyesni për diçka në rrugë.
MUAJ MJALTI NË SINTRA
Vendi ideal ndodhet pranë Lisbonës. Sintra – me pallatet dhe ndërtesat e shekullit 19, është një vend i Trashëgimisë së Njerëzimit – një koncentrat i artit, natyrës dhe historisë nën kornizën romantike të Serra de Sintra.
Marrë me shkurtime: Corriere della Sera