Persekutimi i një biznesi shqiptar

12/09/2016 8:44 AM 15 komente

SFIDAT DHE “LUFTA” E OPERATORIT TË VETËM SHQIPTAR PËR TË MBIJETUAR NË TREGUN E ÇRREGULLUAR NGA RREGULLATORI/ Intervistë me znj. Matilda Shehu, CEO dhe administratore e Plus Communication…

 PLUS, operatori i katërt celular në Shqipëri, i krijuar në vitin 2009, prezantoi shërbimet e tij për publikun në vitin 2010, me një investim prej rreth 90 milionë eurosh dhe 310 të punësuar. Është e vetmja shoqëri shqiptare që operon në tregun e telefonisë së lëvizshme, me kapital dhe strukturë aksionere tërësisht vendase, duke kontribuar fuqishëm në bërjen realitet të uljes drastike të kostove të komunikimit. Të gjithë shqiptarët e mbajnë mend se nga sa shumë paguanin për shërbim celular përpara 2010. Krijimi i kësaj shoqërie erdhi pas vendimit politiko-rregullator të marrë nga organet kompetente shqiptare, përfshirë AKEP, për të shtuar numrin e operatorëve të telefonisë së lëvizshme me synim përmirësimin e shërbimit të ofruar konsumatorit kundrejt një tarife të drejtë dhe ndjeshëm më të ulët.

Para disa javësh, shoqëria Plus Communication njoftoi në faqen e saj zyrtare rritjen e kapitalit të saj aksioner në mbështetje të zhvillimit të mëtejshëm të shoqërisë, kapital ky që do të vazhdojë të rritet edhe në të ardhmen. Një përpjekje e bërë nga aksionerët e kësaj shoqërie për të siguruar mbarëvajtjen e saj në një treg të deformuar, i cili karakterizohet nga një mungesë konkurrence efektive midis operatorëve të telefonisë së lëvizshme në vend. Në një intervistë të zgjeruar, znj. Matilda Shehu, CEO dhe administratore e Plus Communication, flet për përpjekjet dhe sfidat e kompanisë për të mbijetuar në tregun e çrregulluar nga rregullatori.

 

Intervistë me znj. Matilda Shehu, CEO dhe administratore e Plus Communication

Matilda_Shehu_Plus_Feat

 

Është folur se shteti ka ndihmuar PLUS. Në opinionin tuaj, a ka pasur ndonjë favorizim të PLUS prej organeve kompetente si një shoqëri shqiptare?

Ky është një shtrembërim dhe keqinformim i stisur i realitetit.

Që në fillimet e veta dhe përgjatë viteve që operon, shoqëria PLUS është përballur me vështirësi të shumta që kanë ardhur si rezultat i oligopolit, konkurrencës së pandershme në tregun e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri, mungesës së ndërhyrjes nga autoritetet rregulluese apo ndërhyrjes së padrejtë të këtyre institucioneve shtetërore me vendime e akte nënligjore të vonuara, të cilat kanë penguar zhvillimin e konkurrencës së ndershme dhe eficiente sipas meritave të aktorëve në treg dhe në kurriz të konsumatorit shqiptar. Për sa i përket pyetjes se a u favorizua nga organet kompetente rregullatore, mund të themi që kujdesi i tyre për rregullimin e drejtë të këtij tregu “të rregulluar”, gjë e cila do të ndihmonte në ecurinë e PLUS, ishin dhe mbeten inekzistente dhe ndonjëherë të vonuara apo të keqmenaxhuara në kohë, për të mos thënë që në shumë raste kanë qenë penguese për integrimin e PLUS në një treg aktualisht oligopolist.

Nëse kthehemi pas në kohë, tregu i telefonisë së lëvizshme gjendej në një situatë duopoli të theksuar, ku dy operatorët e mëdhenj Vodafone Albania dhe AMC (aktualisht Telekom Albania) që bashkërendonin sjelljet e tyre në treg, zotëronin rreth 90.76% të të ardhurave të sektorit të telefonisë së lëvizshme ose 42,852 milionë lekë, duke iu “gëzuar” pozitës së tyre dominuese dhe duke arritur norma fitimi shumë më të larta se operatorët më fitimprurës në Europë e ndoshta edhe në botë. Kjo lloj klime biznesi tejet e padrejtë, e favorizuar nga veprimet e padrejta apo mosveprimet e institucioneve shtetërore me një qasje totalisht të pashembullt, e ka detyruar PLUS të përballet me vështirësi të vazhdueshme. Edhe pse PLUS vazhdimisht ka paraqitur publikisht fakte dhe prova për këtë situatë në treg, fatkeqësisht ato janë injoruar sistematikisht nga institucionet përgjegjëse shtetërore që kanë për detyrë të sigurohen për mbarëvajtjen dhe zbatimin korrekt të ligjit, të rregullojnë tregun e komunikimeve, konkurrencën dhe të mbikëqyrin aktivitetin e autoriteteve të pavarura që veprojnë këto fusha.

Në Europë është e njohur taktika e aplikimit të asimetrisë së tarifave të terminimit si mjet rregullator për të garantuar trajtimin e barabartë në treg edhe të hyrësve të rinj. A u aplikua kjo praktikë edhe për PLUS?

Të gjithë e dimë se për vite me radhë, konsumatori shqiptar ka paguar shumëfish shërbimet e telefonisë celulare deri në momentin kur PLUS hyri në këtë treg. Vetë autoriteti rregullator AKEP, në analizën e tregut të kryer prej tij, konfirmon mungesën e konkurrencës në tregun e telefonisë së lëvizshme dhe parashtron nevojën për vendosjen e masave rregullatore. Konkretisht:

–    Mosdiskriminimi për thirrjet brenda dhe jashtë rrjetit për të evituar fenomenin e zgjatur ndër vite të kyçjes së pajtimtarëve në “club”;

–    Përcaktimi i një niveli të nevojshëm asimetrie ndërmjet operatorit PLUS dhe operatorëve të tjerë me pozitë tashmë të konsoliduar në treg.

Në përcaktimin e masës së dytë, AKEP shprehet se: “…Asimetria ndaj operatorit PLUS duhet të vijojë, duke konsideruar në mënyrë të veçantë situatën aktuale të tregut të telefonisë së lëvizshme, peshën përkatëse në treg për të katër operatorët në lidhje me të ardhurat dhe fitimet e tyre, kushtet favorizuese dhe disfavoret për operatorët e rinj në treg, duke e monitoruar (në mënyrë periodike) dhe duke identifikuar treguesit kryesorë të situatës aktuale të tregut”.

Por vetëm 4 muaj më pas, në Mars 2015, AKEP hodhi poshtë këtë vendim të vetin, pa asnjë analizë apo ndryshim të kushteve të tregut dhe ndryshoi masat rregullatore, duke shtyrë zbatimin e detyrimit të mosdiskriminimit tarifor nga data 01.01.2015 në datat 01.07.2015 dhe 01.01.2016. Si rrjedhojë, AKEP arbitrarisht uli të ardhurat e PLUS, duke e vendosur atë në pozita “të barabarta” në tregun e shumicës me operatorët e tjerë, të cilët duke shfrytëzuar mangësitë strukturore të tregut, zotërojnë 94% të tij.

Mbi zbatimin e asimetrisë në BE

“Vendosja e asimetrisë, një praktikë tërësisht në përputhje me legjislacionin në fuqi, direktivat e BE dhe praktikat më të mira të vendeve të BE, synojnë kthimin e treguesve të tregut të komunikimeve elektronike në nivele të krahasueshme me karakteristikat dhe statistikat në tregjet europiane.

Sipas ERG, tarifat asimetrike të terminimit, vendosur në favor të hyrësit të ri, ndihmojnë në rritjen e konkurrencës në një periudhë afatshkurtër, duke sjellë në të ardhmen përfitime për konsumatorët. Në situata të tilla, tarifat asimetrike të terminimit, duke inkurajuar hyrësit e rinj në treg, kontribuojnë në eficiencën dinamike dhe favorizojnë konkurrencën.

Simetria duhet të vendoset vetëm kur faktorët që kanë justifikuar asimetrinë nuk janë më në treg, tregu ka një konkurrencë efektive dhe operatorët kanë arritur shkallën minimale të eficiencës, e cila arrihet kur një operator arrin të paktën një pjesë tregu prej 15-20% të tregut”.

A është përpjekur PLUS të gjejë zgjidhje diku tjetër, duke qenë se AKEP e ka “braktisur”?

Krijimi i një mjedisi të një konkurrence të ndershme midis operatorëve, pa dominanca dhe oligopole është objektivi primar i AKEP në funksion dhe interes të përfitimit nga ana e përdoruesve fundorë. Por fatkeqësisht, Ministria përgjegjëse, si organi përpilues dhe monitorues i zbatimit të tyre, ka qenë apatike dhe tepër e vonuar në vendime, për të mos thënë që në shumë raste ka qenë një faktor kryesor i zvarritjes dhe dëmtimit të aktivitetit të PLUS në treg. Rasti i 3G është evident dhe tregon qartë se si në mënyrë flagrante PLUS u diskriminua dhe iu vonua kaq gjatë dhënia e kësaj licence.

“Braktisje” ndoshta nuk është fjala e duhur, pasi në perceptimin tonë, AKEP ka braktisur qëllimin dhe misionin e ekzistencës së tij si institucion, ndërkohë që në marrëdhëniet me ne thjesht na ka diskriminuar dhe luftuar në favor të operatorëve të tjerë të mëdhenj. Mjafton të përmendim edhe një herë shtyrjen në kohë për më shumë se një vit të vendimit për mosdiskriminin tarifor, i cili krijoi një mungesë lirie të imponuar te abonentët shqiptarë në përzgjedhjen e operatorit të tyre të preferuar. Vetëm ky fakt mjafton të arrish në konkluzionin që AKEP ka braktisur misionin e tij dhe ka diskriminuar qëllimisht shoqërinë PLUS.

Duke qenë realisht e pamundur që institucioni kompetent, AKEP, nën ndikimin kryesisht të operatorëve të mëdhenj, të mund të vendoste rregullat e një konkurrence të ndershme, shqetësimet për mungesën e ndërhyrjes rregullatore apo ndërhyrjen e padrejtë nëpërmjet vendimeve që favorizojnë vetëm operatorët e mëdhenj, PLUS i ka adresuar edhe në institucione gjyqësore, si edhe në Institucione Ndërkombëtare, me synim vendosjen e drejtësisë së munguar.

Edhe vendimin e sipërpërmendur, të marrë në mënyrë arbitrare e të padrejtë nga AKEP, bazuar vetëm në ankesat dhe ndërhyrjet e operatorëve të tjerë, PLUS e ka ankimuar në rrugë gjyqësore, në mbrojtje të interesave të veta të ligjshme.

Si e shpjegoni faktin që operatorët e tjerë arrijnë të ndikojnë në institucionet qeveritare për të ruajtur pozitat e tyre dominuese?

 Operatorët e mëdhenj vazhdimisht imponohen në vend për shkak të pozitave të tyre dominuese dhe potencialeve financiare, të krijuara prej shumë vitesh në një treg shumë abuziv, duke bërë dhurime/sponsorizime në sektorë të ndryshëm publikë.

Kështu, ata ndërhyjnë tek autoritetet dhe institucionet shtetërore duke ndikuar drejtpërdrejt apo në mënyrë të fshehur në vendimmarrjen e institucioneve të pavarura dhe Pushtetit Gjyqësor, mashtrojnë në paraqitjen e fakteve reale për të legjitimuar pozitën dominuese të tyre dhe uzurpimin total të tregut. Jo vetëm kaq, por nëpërmjet grupeve të lobingut vazhdojnë përpjekjen e tyre për të ndikuar institucionet vendimmarrëse, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, dhe skandali më i madh është që operatorët e tjerë së bashku e bëjnë këtë gjë edhe me shkresa të firmosura drejtuar institucioneve shtetërore, në kundërshtim të plotë me kuadrin ligjor të konkurrencës.

Raste të tilla spekulative, ku operatorët e huaj lejohen të bashkëpunojnë së bashku për të shkatërruar shoqërinë konkurrente vendase janë të pakta në botë dhe veçanërisht, në Europë dhe Bashkimin Europian, ku ne synojmë aderimin.

Vlen të theksohet fakti se PLUS operon në një treg ku veprimet janë të bashkërenduara apo me marrëveshje të ndryshme vetëm mes operatorëve të mëdhenj dhe herë pas here edhe me ndryshime palësh në marrëveshje, apo edhe së fundmi, ndryshimi i koordinuar brenda disa ditëve në kohëzgjatjen e paketave mujore të pajtimtarëve nga 30 ditë në 28 ditë nga të tre operatorët.

Flasim për shoqëri të mëdha ndërkombëtare dhe mund të konsiderohet që ato janë të kujdesshme me ligjin…

Po, është e vërtetë, por mendoj se në Shqipëri ato kanë gjetur terren ku mund të abuzohet lehtësisht. Shoqëritë mëma japin direktiva biznesi dhe strategji veprimi, dhe nuk merren me veprime operacionale në terren, ato shohin shpenzimet e marketingut në total, por nuk dinë se fjala vjen, vlera e spotit që bën 1000 euro paguhet 2000, apo që minutat kalojnë tranzit nga një shoqëri me dy punonjës e cila bën 100 milionë euro xhiro, apo nuk mund të dinë pagesat indirekte që bëhen nëpërmjet dhurimeve/sponsorizimeve për institucione, shtetarë apo deputetë të veçantë.

A nuk janë të rënda këto akuza që ngrini?

Janë fakte, që besoj shumë shpejt do të bëhen publike në vijim dhe do të shihen në procese civile e penale që do të vijojnë.

A është hetuar ndonjëherë pozita dominuese e operatorëve të mëdhenj dhe a ka pasur ndonjë reagim të shoqëruar me masa nga organet kompetente?

Për herë të parë në vitin 2005, pozita dominuese e dy operatorëve më të mëdhenj në Shqipëri ka qenë objekt hetimi i Autoritetit të Konkurrencës pas shqetësimit të bërë nga opinioni publik për çmime të larta në Tregun e Telefonisë Celulare, i cili është bërë evident gjithashtu edhe në Rekomandimet e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU). Në përfundim të këtij hetimi, shoqëritë Vodafone Albania dhe AMC (sot “Telekom Albania”) u gjobitën përkatësisht me 242.6 milionë lekë dhe 211.5 milionë lekë, për abuzim me pozitën dominuese duke vendosur çmime të padrejta në tregun e telefonisë së lëvizshme gjatë periudhës objekt hetimi (2004, 2005). Pozita e tyre dominuese në treg, u konfirmua sërish nga Autoriteti i Konkurrencës në vitin 2014, si dhe në Rezolutat e Komisioneve Parlamentare të Ekonomisë dhe veprimtarive prodhuese në vitin 2014 dhe në përfundimet e AKEP në Analizën e Tregut Celular të vitit 2014.

Por paradoksi i paprecedent edhe për vetë Autoritetin e Konkurrencës është se, pavarësisht gjetjeve dhe konstatimeve të tilla, jo vetëm që nuk ndërmori asnjë masë ndëshkuese korrigjuese ndaj operatorëve, por u mjaftua me një rekomandim që AKEP të ndërhyjë pasi ka lejuar dhe promovuar një situatë favorizuese ndaj operatorëve të mëdhenj dhe defavorizuese ndaj PLUS.

Të gjitha këto: mungesa e një katalizatori rregullator për shumë kohë, shtyrja e masave për mosdikriminimin tarifor për thirrjet brenda dhe jashtë rrjetit kanë çuar në krijimin e një tregu jo konkurrent dhe të pamaturuar, duke bërë që PLUS në vitin e 6 të operimit të tij në treg të ketë një pjesë tregu prej vetëm 6%. Besoj kjo shifër flet vetë se sa “i përkrahur dhe i ndihmuar” ka qenë dhe vazhdon të jetë PLUS.

Rastet

“Të shumta janë rastet nëpër botë, kur operatorët gjobiten nga autoritetet e konkurrencës dhe rregullatore për mosrespektim të direktivave. Slovak Telekom dhe shoqëria mëmë, Deutsche Telekom (15.10.2014) gjobiten për sjellje abuzive ndaj konkurrencës në tregun e internetit me shumën 38 milionë euro; Vodafone Italia (16.03.2016) gjobitet me shumën 1 milion euro për aktivizimin e shërbimit Vodafone Exclusive pa paraqitur kërkesën për miratim; Vodafone Italia, Telecom e Wind (06.03.2015) gjobiten për praktika tregtare jokorrekte me shumën 1.5 milionë euro secili; Telefonica, Vodafone dhe Orange (19.12.2012) gjobiten për abuzimin me pozitat dominuese në tregun spanjoll të mesazheve tekst me shumicë me 120 milionë euro, etj”.

Nga BE dhe ERG udhëzohet që kur një operator arrin të paktën 15-20% të tregut, atëherë vendoset simetria. Aktualisht PLUS zotëron vetëm 6% të tregut dhe operon me tarifa të njëjta me operatorët e tjerë. A nuk bie kjo ndesh me direktivën e BE dhe ERG?

Natyrisht që po. Për AKEP mbetet detyrim të vazhdojë aplikimin e asimetrisë ndaj PLUS, kjo e parashikuar në situata të tilla tregu edhe në Direktivat e BE dhe praktikën e shumë vendeve europiane. Dhe ky është një favorizim që bëhet për sigurimin e konkurrencës së lirë, të barabartë dhe efektive në sektorin e komunikimeve elektronike, duke ndihmuar në lehtësimin e barrierave për hyrjen dhe qëndrimin në këtë treg të hyrësit më të ri, imponuar nga praktikat agresive e të paligjshme të operatorëve me pozitë dominuese në treg. Investimet e huaja të tre operatorëve të mëdhenj, jo vetëm që nuk janë diskriminuar nga ndërhyrja rregullatore e AKEP, por përkundrazi historikisht prej fillimit të ofrimit të shërbimeve të tyre në treg, janë lejuar të subvencionojnë nëpërmjet tarifave më të larta në Europë për pajtimtarin, kostot e tyre të investimit dhe fitimet e tyre, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë me operatorin PLUS.

Gjithashtu, një akt tjetër i paprecedent, i cili bie në kundërshtim me praktikat europiane, është mosdhënia e së drejtës operatorit PLUS për “roaming kombëtar” apo vendosja e detyrimit ndaj operatorëve të mëdhenj për ofrimin e aksesit në origjinimin e thirrjeve për operatorin e katërt në treg as për periudhën fillestare të ndërtimit të rrjetit të tij të antenave, në një kohë kur në BE është një praktikë gjerësisht e njohur dhënia e kësaj të drejte për operatorin e katërt, duke e detyruar kështu PLUS-in të ndërtojë rrjetin e vet që në fillim me investime shumë të mëdha.

A mund ta krahasojmë këtë situatë të krijuar me një “luftë”?

Për momentin, mund të themi vetëm që po – kjo është një “luftë”, një luftë e pandershme e ushqyer vazhdimisht nga operatorët e tjerë dominues në treg. Detaje të tjera, se si këta operatorë kanë bashkëpunuar dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë për të shkatërruar PLUS, do t’i bëjmë të ditura për publikun e gjerë, institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare në javët që vijojnë.

 Kush mendoni se e udhëheq këtë “luftë” dhe a mund të na thoni se cili ju ka dëmtuar më shumë?

Në bashkëpunim me një studio mjaft të njohur ligjore ndërkombëtare, ne jemi në proces identifikimi të çdo tipologjie dëmesh që na janë shkaktuar gjatë këtyre viteve, si edhe nga institucione apo entitete përgjegjëse. Konsulentët na këshillojnë të jemi sa më diskretë në daljet publike, kështu që mos insistoni për emra të veçantë përgjegjësish. Gjithçka po analizohet dhe verifikohet; në analizat tona rezulton që në disa raste kemi “halle” të ngjashme apo të përbashkëta me ndonjë operator tjetër, për të cilat duhet të koordinohet puna dhe të gjenden zgjidhjet për rregullimin real të këtij tregu.

A është e vërtetë që PLUS ka 162 aksionerë?

Po, dhe të gjithë shqiptarë.

Çfarë do të bëjë PLUS, a do të dorëzohet?

Të dorëzohet?! Natyrisht që jo. Përpjekjet tona në kërkimin e së drejtës, kanë qenë të vazhdueshme, dhe nuk do të rreshtin në asnjë moment. Ne sapo kemi filluar të fokusohemi në mënyrë më intensive në këtë rrugë pasi nuk kemi gjetur mbështetje në arsyen ligjore dhe vullnetin rregullues të autoriteteve. Dëmet e shkaktuara ndaj PLUS në këto vite të llogaritura deri tani arrijnë shifrën mbi 60 milionë euro (besoj edhe mund ta keni marrë vesh; një staf i madh ekspertësh po punon për evidentimin e saktë të këtij dëmi). Ndaj, ne jemi të vendosur t’i shkojmë këtij procesi deri në fund.

I detyruar nga mosmbështetja e autoriteteve dhe institucioneve, PLUS ka kontraktuar një ndër tre shoqëritë më të mëdha në botë në fushën e Investigimit dhe Auditimit Financiar dhe Ligjor, për të shqyrtuar dhe për të dokumentuar abuzimin me dominancën e operatorëve të mëdhenj, konkurrencën e pandershme, praktikat e deformimit, por dhe të vonesave në vendimmarrje nga Entet Rregullatore, favoret e marra në mënyrë të padrejtë me sponsorizimet e operatorëve ndaj shtetit, marrëveshjet e fshehta dhe bashkërendimin mes tyre, etj., për të bërë njëherë e mirë transparente për të gjithë se çfarë ka ndodhur me këtë treg në këto 6 vite në Shqipëri dhe për të vënë para përgjegjësisë shkaktarët e saj.

Këshilla e parë e dhënë nga kjo shoqëri ishte vënia në dijeni edhe e Ambasadores së BE në Shqipëri, znj. Romana Vlahutin dhe Komisionerit të Komisionit Europian për Ekonominë Dixhitale, z. Günther Oettinger mbi këtë situatë.

Nënshkrimi i kësaj kontrate me një shoqëri amerikane, mos vallë lidhet edhe me reformën së fundmi në drejtësi?

Jo, jo, aspak. Arsyeja e kontraktimit të tyre lidhet jo vetëm me eksperiencën, profesionalizmin dhe suksesin e tyre, por edhe me krijimin e një ekuilibri ndërkombëtar (duke qenë se kemi të bëjmë me shoqëri ndërkombëtare) e moslejimin e aktorëve dhe faktorëve të tjerë të ndërhyjnë në këtë proces shumë të rëndësishëm dhe tepër delikat.

Kjo shoqëri, e cila numëron mbi 2000 juristë dhe avokatë të punësuar në mbi 46 zyra në të gjithë botën, përfaqëson korporata të mëdha botërore, biznesmenë dhe pjesëmarrës aktivë të pothuaj çdo grupi industrial, si dhe entitete publike, institucione arsimore, organizata filantropike dhe individë. Skuadra e tyre antitrust, me më shumë se 80 avokatë dhe juristë, është e njohur për ekspertizën e konsoliduar dhe praktikat e suksesshme në çështjet e konkurrencës, antitrustit dhe tregtisë, të cilat u renditën ndër të parat në edicionin e vitit 2016 të Firmave Ligjore të Reja më të Mira në Shtetet e Bashkuara. Firma renditet gjithashtu edhe në listën e shoqërive më të mira për antitrustin/çështjet e konkurrencës.

Më përmendët reformën në drejtësi, ajo është më se e mirëpritur dhe një domosdoshmëri, me qëllim që trajtimi i çështjeve dhe vendimet e marra nga gjyqësori të jenë të drejta e të pavarura.

 Si e shikoni të ardhmen e PLUS?

 PLUS është një nga investimet më të rëndësishme të komunitetit shqiptar të biznesit sot dhe falë punës së jashtëzakonshme të një stafi profesionist dhe mbështetjes së vazhdueshme të aksionerëve, do të vazhdojë të investojë dhe të sjellë teknologjinë më të fundit për të përmbushur nevojat e konsumatorëve, për të sjellë produkte e shërbime tepër cilësore dhe shumë ekonomike, të përballueshme nga çdonjëri prej tyre.

Së fundmi, janë bërë disa marrëveshje të rëndësishme, si ajo me një prej shoqërive më të fuqishme italiane për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së kullave dhe disa të tjera janë në proces për t’u finalizuar, siç është ajo me një prej gjigantëve botërorë të telekomunikacionit, apo të bashkëpunimeve të tjera në kuadër të zhvillimeve për bashkime apo përthithje shoqërish në tregun e telekomunikacionit e të infrastrukturës.

PLUS ka filluar tashmë një rrugë pa kthim drejt suksesit.

15
Komente

avatar
15 Comment threads
0 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
15 Comment authors
EdiAnaDidiLukaEgla Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
Edi
Guest
Edi

BRAVO PLUS!!! Kompania me e mire dhe me transparente e telekomunikacionit ne Shqiperi. Uroj qe plus te vazhdoj fort luften qe ka nisur dhe mos te dorezohet perpara Akep dhe operatoreve abuzues, mashtrues dhe dominues qe jane ne treg. Shteti duhet te ndergjegjesohet dhe ta mbroj te vetmen kompani shqipare e cila eshte munduar gjithmone te konkuroje ndershmerisht perballe zagareve te medhenj.Por duke ditur politikat dhe shtetin qe kemi mendoj se ndihmen dhe ndryshimin duhet ta bejne vete shqiptaret dhe jo te vazhdojne te qendrojne tek keto kompani qe na kane rrjepur qe kur kane hyre ne treg dhe vazhdojne… Read more »

Ana
Guest
Ana

Plus eshte e vetmja kompani transparente dhe e drejte ndaj klienteve. Ofron produkte me cmimet me te mira ne treg. Shqipetare ndergjegjesohuni!

Didi
Guest
Didi

Ligji ne doren e “Maliqit” AKEP. Diskriminimi i biznesit vendas eshte bere nje gangrene qe po e shkaterron konkurrencen e drejte dhe ne si konsumatore mbetemi me te demtuar nga kjo padrejtesi. Me vjen mire qe PLUS e ka ngritur zerin per kete gje sepse eshte e vertete qe ka ofertat me te mira dhe me ekonomike ne treg per ne konsumatoret. Bravo PLUS!

Luka
Guest
Luka

Nuk eshte ndonje gje e re qe shteti shqipetar nuk i mbron bizneset vendase. Shteti thjesht mban nga ana e lekut. Nuk ka faj te terheq ai dreq leku.. :)

Por edhe ne si popull kemi fajet tona. Ofertat e PLUS jane gati 50% te Vodafone e Telekom dhe ne prape te ata qendrojme. Ngelen duke na rrjepur dhe hic nuk levizim.

Uroj qe PLUS te vazhdoje ne rrugen e nisur e te kete suksese.
Forca shqiperia dhe forca bizneset vendase si ai.

Egla
Guest
Egla

Biznesi shqiptar duhet mbeshtetur dhe inkurajuar per te patur pozita sa me te fuqishme ne tregun shqiptar. Fatkeqesisht politika shqiptare dhe mosfunksionimi i organeve kompetente kane bere te kunderten. Nese “Plus” ja del, ky do te jete nje shembull shume i mire. Komplimente!