Përurohet Muzeu Kombëtar i Katarit, mban firmën e arkitektit francez Jean Nouvel

08/04/2019 5:11 PM 0 komente

“Një muze që tregon historinë e popullit të Katarit, në mënyrë inovative, të plotë dhe gjithëpërfshirëse”

 

Në peizazhin kozmopolit të Dohës ka çelur trëndafili imagjinar i shkretëtirës, i cili mban firmën e Jean Nouvel. Pas vitesh të tëra punë, më së fundi, para disa ditësh, u përurua ndërtesa e re spektakolare, Muzeu Kombëtar i Katarit.

Struktura e re, 40 mijë metra katrorë, përqafon dhe përfshin në mënyrë simbolike pallatin e vjetër mbretëror, seli e qeverisë, dhe Muzeun Kombëtar kohë më parë. Në të do të ketë vepra të reja, të autorizuara posaçërisht nga artistë ndërkombëtarë, objekte të rralla dhe me vlerë, dokumente dhe instalazione interaktive, për të treguar historinë e Katarit – nga 700 milionë vjet më parë e deri më sot – në bindjen se ndërtimi i një të ardhmeje të një populli nis nga njohja e rrënjëve të veta.

Arkitektura e veçantë e dizenjuar nga arkitekti francez, Jean Nouvel frymëzohet nga gjeografia e Katarit, duke evokuar historinë dhe kulturën. “Katari ka një lidhje të fortë me shkretëtirën, me florën dhe faunën e saj, me kulturën nomade dhe zakonet e lashta. Për të shprehur gjithë këtë po kërkoja një element simbolik – shpjegon arkitekti francez. – Mendova për fenomenin e trëndafilit në shkretëtirë. Forma e tyre kristalore shfaqet si një ngjarje arkitekturore në miniaturë nga toka, për shkak të erës, rërës dhe ujit të kripur. Muzeu është një tërësi arkitekturore, hapësinore dhe ndjesish në të njëjtën kohë”.

Qatar Museum Authority, i cili drejtohet nga e motra e emirit Mayassa al Thani investon më shumë se 1 miliard dollarë në vit, jo vetëm në blerjen e kryeveprave, por edhe në mbështetjen e galerive, duke financuar festivale dhe artin publik.
“Katari është një vend i pasur me tradita, mes shkretëtirës dhe detit, ku gjatë shekujve janë ndërthurur shumë kultura. Edhe pse sytë e tij janë drejt së ardhmes, është mjaft i lidhur edhe me vlerat tradicionale. Jemi të lumtur që po i ndajmë këto përvoja muzeore me komunitetet lokale, por edhe të ftuarit nga e gjithë bota” – tha sheikja.

Në vitet e fundit ajo ka blerë “When Will You Marry?” (Kur do të martohesh?) e artistit francez post-impresionist Gauguin për 300 milionë dollarë dhe me shifra po aq të larta vepra të artistëve Warhol, Rothko, Hirst etj.

Por këto vepra nuk do të jenë të ekspozuara te muzeu i ri. “Ne synojmë të ofrojmë një përvojë të re, duke i vendosur njerëzit në qendër” shpjegon drejtuesja e muzeut, Sheikja Amna bint Abdulaziz bin Jassim Al Thani.
“Ky është një muze që tregon historinë e popullit të Katarit në mënyrë inovative, të plotë dhe gjithëpërfshirëse. Synimi i tij është mësimi i historisë te brezat, fëmijët në shkolla, të rriturit, për të gjithë”.

I ndarë në tre Kapituj – Fillimet, Jeta në Katar dhe Duke ndërtuar Kombin – rrugëtimi muzeor shtrihet në tre galeri në thuajse 3 kilometra ekspozimi duke arritur deri te Pallati i restauruar i Sheikh Abdullah. Rrëfime, fotografi, muzikë, bizhuteri, kostume të vjetra dhe parfume krijojnë një përvojë unike, që përfshin gjithë shqisat.

Një hapësirë e veçantë i kushtohet edhe artit bashkëkohor, me punë të realizuara veçanërisht për NMoQ, si ajo e artistit nga Katari, Ali Hassan, dhe ajo e artistit iranian Ahmed Al Bahrani.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of