Kina përdor 80 miliardë shkopinj bambuje gati çdo vit. Këtë e bën të ditur “Business Insider” që ka mbledhur një seri numrash domethënës me të cilët mund të krijohet një panoramë interesante e këtij vendi. Duke marrë në konsideratë faktin se një shkop është i gjatë 20 centimetra, atëherë mund të mbulojnë 360 herë të gjithë sheshin “Tienanmen”. Në rajonin Datang, fabrikat prodhojnë çdo vit 8 miliardë çorape, një numër i mjaftueshëm për çdo banor të planetit.
Në sektorin ushqimor, Kina konsumoi 52 milionë tonë mish derri në vitin 2012, një shifër që korrespondon sa 5.200 herë pesha e Kullës Eiffel. Duke qenë se është konsumatori më i madh i mishit të derrit në botë, Kina numëron në territorin e saj 475 milionë derra, shifër kjo e barabartë me gjysmën e numrit në total të këtyre kafshëve.
Kina ushqen 25% të popullsisë së botës, duke kultivuar vetëm 7% të tokës së punueshme në botë. Sasia e produkteve ushqimore që kultivohen është trefishuar që nga viti 1978, ndërsa sasia e mishit të prodhuar nga bujqësia intensive është pesëfishuar. Konsumi i spagetit të paketuar në kuti në vitin 2011 u llogarit në 42,5 miliardë njësi, shifër kjo e mjaftueshme për të furnizuar në tri vakte, për një vit gjithë popullsinë e Algjerisë që llogaritet me 38,7 milionë persona.
Kina disponon rezervën e tretë më të madhe në botë të karbonit që vlerësohet në 115 miliardë tonë dhe përfaqëson 46% të prodhimit dhe 49% të konsumit botëror.
Me 109,3 triliardë metër kub gaz natyror, vlerësohet si vendi i 13 për nga rezerva dhe kjo sasi mund të grumbullohet në 1.24 miliardë pishina olimpike.
Me 93,000 kilometra rrjet, hekurudha kineze mund të bëjë dy herë xhiron e botës, duke qenë se perimetri i planetit tonë është 44,000 kilometra.
Përmasat e territorit kinez janë të ngjashme me ato të SHBA-së, por ajo ka vetëm një fashë orari, në vend të pesë që ekzistonin përpara regjimit të Maos në vitin 1949. Kjo do të thotë se në disa zona dielli lind në orën 10:00 të mëngjesit.
Duhani vret një milion kinezë në vit, shifër kjo më e madhe se popullsia e Qipros që është e barabartë me 865,000 persona. Sipas OBSH-së, brenda vitit 2050, viktimat e duhanit do të llogariten në 3 milionë persona.
Norma e vetëvrasjes në Kinë llogaritet në 22,2 vdekje për 100,000 banorë. Praktikisht sa dyfishi i atyre që ndodhin në SHBA që e ka nivelin në 10,3/100,000 banorë.
Pasuria totale e 20 njerëzve më të pasur të Kinës llogaritet në 145 miliardë dollarë, sa dyfishi i PBB-së së Hungarisë. Paralelisht edhe “Los Angeles Times” bën të ditur se 30 milionë persona jetojnë në shpella, veçanërisht në provincën e Shaanxi.
Shpenzimet e konsumatorëve kinezë do të trefishohen në vitin 2020, duke kaluar nga 2.03 në 6.18 triliardë dollarë. Nga ana tjetër, me një xhiro prej 245 miliardë dollarësh, Kina renditet si tregu i parë i luksit në botë.