Pesha e primeve të shkruara bruto në tregun e sigurimeve në vitin 2018 ka ardhur me një rënie modeste prej 2 për qind në raport me vitin 2017. Në një analizë për përdorimin e monedhës kombëtare në tregjet financiare të mbikëqyrura nga ky institucion nënvizohet primet e shkruara bruto deri më 31 dhjetor 2018 për të gjithë aktivitetin e tregut të sigurimeve Jo-Jetë dhe Jetë në rreth 16.9 miliardë lekë. Rreth 31% e tyre është realizuar në monedhën euro. Kartoni Jeshil por edhe disa produkte të tjera në tregun e sigurimit vijojnë të jenë 100 për qind të euroizuar. Nga ana tjetër sipas AMF produktet si sigurimi i mallit në transport apo sigurimet inxhinierike paraqesin një nivel të lartë Euroizimi për shkak të interesit të siguruar nga këto kontrata, interes i cili vlerësohet kryesisht në euro në rastet e import-eksporteve, dhe sigurimeve inxhinierike që përfshijnë vepra madhore të infrastrukturës, përfshirë ato me shoqëri ndërkombëtare.
“Në fund të vitit 2018 pesha e primeve të shkruara në euro kundrejt totalit për aktivitetin e Sigurimit Jo-Jetë karakterizohet nga një rënie modeste me 2%, duke arritur në 31% nga 33% në fund të vitit 2017. Kjo rënie ka ardhur si rrjedhojë e: 1) Rritjes së primeve të shkruara bruto në total me 5%, ose rreth 818 milionë lekë, nga 14.9 miliardë lekë në fund të vitit 2017, në rreth 15.7 miliardë lekë në fund të viti 2018; 2) Rënies së kursit të këmbimit Euro/Lek, nga 133.25 në 31.12.2017, në 123.42 në 31.12.2018, edhe pse primet e shkruara bruto në euro për sigurimin Jo-Jetë janë rritur me rreth 8%, 2.9 milionë euro, nga rreth 36.4 milionë euro në fund të vitit 2017, në rreth 39.3 milionë euro në fund të vitit 2018” vlerëson AMF.
Tregu i kapitaleve
AMF vlerëson se tregu shqiptar i kapitaleve, i mbizotëruar nga titujt e borxhit të qeverisë që janë kryesisht në lekë, karakterizohet nga një shkallë tepër e ulët e euroizimit. Pjesëmarrësit kryesorë në këtë treg përdorin kryesisht monedhën vendase. Megjithatë ka edhe emetues privatë të titujve që kanë kryer emetime në valutë. “Për vitin 2018, vlera e transaksioneve në euro është e ulët. Kjo për faktin se gjatë kësaj periudhe nuk ka patur emetime të titujve të Qeverisë Shqiptare në euro. Vlera prej 403.86 milionë lekë, i takon transaksioneve në tregun sekondar të obligacioneve 2-vjeçare në euro të emetuara në vitet e mëparshme, përfshirë edhe shumën e shlyerjes në maturim, si pjesë e transaksioneve të tregut me pakicë” thuhet në analizën e bërë nga Autoriteti.
Fondet e investimeve
Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare bën me dije se deri në fund të 2018 në tregun e fondeve të investimit operojnë pesë fonde, nga të cilët tre fonde investimi (një i licencuar në korrik 2018) kryejnë veprimtarinë në monedhën vendase lek, një fond në monedhën euro, ndërsa fondi tjetër investon kryesisht në monedhën euro, por edhe në monedha të tjera.
“Fondi Raiffeisen Invest Euro, kryen të gjithë aktivitetin e tij në monedhën euro duke nisur që nga mbledhja e kontributeve të anëtarëve, investimet e aseteve të fondit, tarifa e administrimit si dhe shlyerjet ndaj investitorëve. Asetet e këtij fondi janë rreth 84 mln euro dhe zënë rreth 15.6% të totalit të aseteve të tregut. Edhe detyrimet e këtij fondi, të cilat përfaqësojnë detyrimin ndaj shoqërisë administruese për tarifën e administrimit dhe detyrime për pagesat ndaj kuotëmbajtësit, mbahen përsëri në monedhën euro dhe zënë rreth 3.74% të detyrimeve të tregut. Tre fondet e tjera të investimit të cilat operojnë në monedhën lek nuk kanë investime në monedhën euro dhe të gjithë asetet dhe detyrimet mbahen në monedhën vendase lek.
Fondi i investimit ËVP Top Invest ka investuar rreth 54.8% të aseteve neto të tij në monedhën euro, ndërkohë që investimet e fondit në monedhë të huaj përbëjnë rreth 99.76% të aseteve neto. Asetet e këtij fondi zënë një peshë të parëndësishme ndaj totalit të aseteve neto të tregut. Gjatë vitit 2018 asetet neto të fondeve në euro kanë pësuar rënie në krahasim me fundvitin 2017. Rënia e aseteve neto në euro e shprehur në lekë për vitin 2018 krahasuar me vitin 2017 ishte 4.4 miliardë lekë” thuhet në raport.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.