Qeveria synon të mbështesë sektorin e peshkimit duke parashikuar një dyfishim të eksporteve deri në vitin 2021. Kryeministri Edi Rama deklaroi një seri masash për sektorin gjatë një takimi në Portin e peshkimit në Durrës me peshkatarët nga Shkodra, Saranda, Lezha, Vlora. “Në tre vite, falë heqjes së akcizës së naftës për anijet e peshkimit, heqjes së TVSH për materialet e bordit, luftës kundër informalitetit në sektor, peshkimi ka njohur një bum të paparë zhvillimi, me rritje eksportesh nga 15 milionë euro në vit në 82 milionë euro vitin e fundit.
Së shpejti, me financimin e qeverisë do të nisë investimi për rindërtimin e markatës moderne së peshkut në port, e cila u projektua dhe ndërtua se prapthi në të shkuarën e është jashtë funksionit; do të financohet ndërrimi i motorëve dhe frigoriferëve të anijeve të peshkimit; do të subvencionohet me 20 lekë për kg peshku kaltër (sardele, açuge), duke ndikuar në rritjen e mëtejshme të eksporti.
Në katër vite do të ndërtohen markatat moderne të peshkut në Shëngjin, Vlorë e Sarandë dhe objektivi i qeverisë është: dyfishimi i vlerës së eksporteve nga 85 sot në 150 milionë EU në vitin 2021” do të deklaronte në rrjetin social Facebook kryeministri Rama.
Vlera e shtuar e açuges
Binzeset në sektorin e peshkimit u shprehën se Shqipëria duhet të shkojë drejt përpunimit dhe jo të jetë fason në sektor. Sipas një përllogaritje të tyre për çdo një kilogram açuge që ka një vlerë 1 euro dhe subvencionohet, vlera e shtuar pas përpunimit shkon në 12 euro. Nga ana e tyre ata propozuan menaxhimin e proteve nga privati përmes partneriteti-publik privat duke sjellë në vëmendje rastin e Shkodrës si një model suksesi. “Rasti i Shkodrës është një model suksesi pasi menaxhimi, dhënia e licencave dhe kontrolli bëhet nga privati. Duhet të nxisni kooperativat e kësaj natyre dhe partneritetet se kjo do të ulte dhe informalitetin. Janë një numër i konsiderueshëm që operojnë në informalitet dhe krijojnë dëme të pariparueshme për bregun dhe detin” tha njëri prej përfaqësuesve nga sektori i peshkimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.