Indeksi i Biznesit të Dhomës Amerikane, një tregues që publikohet çdo vit dhe mat perceptimin e anëtarëve lidhur me ambientin për të bërë biznes në Shqipëri, është përkeqësuar sërish këtë vit, pas përmirësimit të vitit të kaluar. Arsyet
Niveli i lartë i taksave dhe burokracia e qeverisë janë shqetësimi më i madh që kanë sipërmarrjet e Dhomës Amerikane të Tregtisë, sipas Indeksit të Besimit të Biznesit2017 (ABI), publikuar së fundmi nga kjo Dhomë.
Sipas rezultateve zyrtare,Indeksi i Biznesit ka shënuar ulje të lehtë prej 1.33 pikësh, nga 43.78 në vitin 2016, në 42.45 në vitin 2017. Nga 27 tregues që mat indeksi, 19 prej tyre, ose 70%, ishin në përkeqësim.
Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, shprehu shqetësimin lidhur me përkeqësimin e indeksit. “Jam i zhgënjyer të shikoj se Indeksi i Dhomës Amerikane në vitin 2017 ka rënë lehtë. Ashtu si në vitet e kaluara, ABI për vitin 2017 reflekton pakënaqësinë e vazhdueshme, me një sërë treguesish të rëndësishëm të klimës së biznesit, veçanërisht nivelet e taksave, burokracinë e qeverisë, konkurrencën e pandershme, problemet në gjetjen e stafit të kualifikuar dhe korrupsionit”, tha ambasadori në letrën e tij për anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Taksat, problemi më i madh
Indikatori për nivelin e përgjithshëm të taksave të aplikuara ka marrë dhe pikët më të ulëta, 28.3, (sa më i ulët rezultati, aq më i keq është), duke u renditur si problemi më i madh i biznesit. Në krahasim me një vit më parë, ky indeks është përkeqësuar me 2.15 pikë, duke treguar se taksat e larta sa vijnë e po bëhen një barrë më e madhe për biznesin. Prej të paktën tre vitesh, niveli i përgjithshëm i taksave është shqetësimi kryesor për biznesin.
Shqetësimi i dytë në indeksin e 2017-s ështëburokracia e qeverisë, me një indeks prej 28.57. Edhe ky tregues është përkeqësuar sërish, pas përmirësimit të një viti më parë.
Monopoli dhe konkurrenca e pandershme mbetet një problem i përhershëm i anëtarëve të Dhomës Amerikane, të cilat janë subjekte të mëdha që veprojnë sipas rregullave në treg dhe ndaj e ndiejnë më shumë presionin e konkurrencës së pandershme. Ky tregues mori 30.1 pikë, sërish në përkeqësim.
Problemi i katërt është vështirësia për të gjetur personel vendas të kualifikuar, me 30.59 pikë. Në 2017-n, bizneset e kanë pasur më të vështirë të gjejnë punonjësit që u përshtateshin kërkesave të tyre, teksa edhe ky tregues ka ardhur në përkeqësim.
Ekonomia informale është shqetësimi i pestë i bizneseve, me 33.3 pikë, e pandryshuar në krahasim me një vit më parë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë për të ulur nivelin e lartë të informalitetit.
Korrupsioni është problemi i gjashtë, me 34.2 pikë, edhe ai në përkeqësim, duke treguar se anëtarët perceptojnë një rritje të nivelit të korrupsionit.
Duke iu larguar zonës së nxehtë, problematika të tjera të biznesit janë klima e brendshme politike, e cila ka shënuar përkeqësim shumë të madh, teksa viti 2017 ka qenë i ngarkuar me tensione politike, sidomos në periudhën parazgjedhore.
Edhe vetë treguesi i klimës së biznesit ka shënuar rënie prej gati tre pikësh, duke zbritur në 38.61. Në rënie të lehtë perceptohet edhe performanca e ekonomisë shqiptare.
Në rënie të fortë (rënia e dytë më e madhe pas klimës politike) është edhe indikatori që mat perceptimin e bizneseve për reformat ekonomike dhe politikat që po ndiqen nga qeverisja qendrore, e cila ra me gati 3.6 pikë.
Treguesit në përmirësim
Në përmirësim këtë vit ishte treguesi për marrëdhëniet me gjykatat, kërkesa për mallra dhe shërbime, treguesi i punësimit në përgjithësi, marrëdhëniet me qeverinë lokale, infrastruktura.
Shqetësimi më i vogël i biznesit vijon të mbetet sigurimi i energjisë, të ndjekura nga marrëdhëniet me autoritetet doganore dhe ato tatimore.
Taksat
Indikatori për nivelin e përgjithshëm të taksave të aplikuara ka marrë dhe pikët më të ulëta, 28.3, (sa më i ulët rezultati, aq më i keq është), duke u renditur si problemi më i madh i biznesit. Në krahasim me një vit më parë, ky indeks është përkeqësuar me 2.15 pikë, duke treguar se taksat e larta sa vijnë e po bëhen një barrë më e madhe për biznesin. Prej të paktën tre vitesh, niveli i përgjithshëm i taksave është shqetësimi kryesor për biznesin.
—————–
Lu: Jam i zhgënjyer
“Jam i zhgënjyer të shikoj se Indeksi i Dhomës Amerikane në vitin 2017 ka rënë lehtë. Ashtu si në vitet e kaluara, ABI për vitin 2017 reflekton pakënaqësinë e vazhdueshme me një sërë treguesish të rëndësishëm të klimës së biznesit, veçanërisht nivelet e taksave, burokracinë e qeverisë, konkurrencën e pandershme, problemet në gjetjen e stafit të kualifikuar dhe korrupsionit”
“Jam i zhgënjyer të shikoj se Indeksi i Dhomës Amerikane në vitin 2017 ka rënë lehtë, në 42.45, nga 43.78 në 2016-n”. Me këtë frazë i drejtohet ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, në letrën e tij, anëtarëve të Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Në linjë me përkeqësimin e treguesit të besimit, edhe mesazhet e dhëna nga ambasadori këtë vit janë shumë të ashpra.
“Ashtu si në vitet e kaluara, ABI për vitin 2017 reflekton pakënaqësinë e vazhdueshme me një sërë treguesish të rëndësishëm të klimës së biznesit, veçanërisht nivelet e taksave, burokracinë e qeverisë, konkurrencën e pandershme, problemet në gjetjen e stafit të kualifikuar dhe korrupsionit”.
Sondazhi, thuhet në letër, gjithashtu tregon se besimi i anëtarëve është përmirësuar në disa fusha, përfshirë kërkesën për mallra dhe shërbime, furnizimin me energji dhe gjendjen e sistemit gjyqësor.
“Ulja e lehtë e Indeksit këtë vit konfirmon se mbetet ende shumë për t’u bërë, për të përmirësuar klimën e biznesit në vend. Legjislacioni, taksat dhe sistemet rregullatore duhet të nxisin zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe të drejtë”.
“Unë jam i inkurajuar nga misioni i Dhomës Amerikane për të ndërtuar një klimë më të mirë biznesi. Së bashku, ne mund të nxisim qeverinë që të zbatojë reformat e nevojshme dhe të luftojë korrupsionin. Unë u kërkoj të gjithë anëtarëve të Dhomës Amerikane të kërkojnë të mbajnë lart vlerat bazë amerikane të drejtësisë dhe transparencës”.
“Së bashku, ne mund të tejkalojmë sfidat e momentit dhe të punojmë për një qëllim më të madh, të bazuar në interesat tona të përbashkëta dhe vlerat që ndajmë”, përfundon letra e ambasadorit.
—————————
Zgjedhjet e reja në Asamblenë e Dhomës
Dhoma Amerikane e Tregtisë njofton se ka organizuar zgjedhjet për Zëvendëspresident, Përgjegjës për Thesarin dhe Sekretar, si dhe për një Anëtar Bordi, duke sjellë kështu katër anëtarë të rinj në Bord.
Ky proces ka përfshirë në konkurrim dhjetëra kompani prestigjioze të Dhomës dhe një shumicë të ndjeshme të kompanive amerikane.
Kështu, për pozicionin e Zëvendëspresidentit, kandiduan Philip Morris Albania dhe Microsoft Albania, mes të cilëve fitues ishte Philip Morris, për Përgjegjës për Thesarin DDB Albania dhe Grant Thornton, nga i cili doli fitues DDB Albania, për Sekretar Hilton Garden Inn dhe për pozicionin vakant të një Anëtari Bordi kandiduan 8 kompani të mëdha. Në përfundim të këtij konkurrimi doli fitues Optima Legal & Financial.
Me vendim të Bordit të Dhomës dhe më pas, me miratim në Asamble, Dhoma Amerikane ka bërë disa ndryshime në Statut, të cilat ulin numrin e Anëtarëve të Bordit të Dhomës nga 11 anëtarë në 7 anëtarë, si dhe ulin numrin e mandateve për çdo Anëtar Bordi dhe të kompanive që ata përfaqësojnë nga tre në dy mandate të njëpasnjëshme.
Asambleja ka qenë një moment i reflektimit të perceptimit që kanë anëtarët e Dhomës Amerikane për klimën e biznesit në vend. Rezultatet e Indeksit të Biznesit 2017 – 2018, janë prezantuar në Asamble me të gjithë treguesit që masin besimin që kanë kompanitë anëtare të Dhomës Amerikane në lidhje me parametrat kryesore të klimës së biznesit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.