Quhet Piano House dhe është një ndërtesë kushtuar tërësisht muzikës. Struktura e saj është e përbërë nga një violinë gjigante në xham dhe një piano e madhe. Piano House ndodhet në qytetin Huainan të provincës An Hui në Kinë dhe është padyshim një prej ndërtesave më të çuditshme në botë. Spektakolare dhe poetike, është cilësuar si “pallati më romantik në Kinë”.
Piano House është projektuar nga studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Design të Hefei University of Technology, të cilët iu përgjigjën njoftimit të qeverisë lokale, duke krijuar një strukturë që tërheq mijëra turistë nga gjithë bota dhe sot është simbol i progresit, kulturës dhe zhvillimit të qytetit të vogël Huainan.
Por Piano House nuk është vetëm një ndërtesë e bukur, por edhe e dobishme. Në hapësirat e saj takohen turistë, njerëz që pëlqejnë muzikën dhe studentë të kolegjit që ndjekin leksione dhe dëgjojnë koncerte.
Në brendësi të pianos ndodhet i vetmi kat i ndërtesës, i ngritur nga toka, ndërsa në violinë, e përbërë nga dritare të mëdha, është një shkallë prej çeliku për të shkuar në pjesën e sipërme.
Përveç sallave të koncerteve, në Piano House ka hapësira për të organizuar festa, ditëlindjeje apo dasma. Gjatë ditës, turistët qëndrojnë në hije poshtë kësaj strukture për t’u mbrojtur nga rrezet e diellit, ndërsa natën ajo ndriçohet duke u bërë fluoreshente.
Kjo ndërtesë, shumë e dashur për ata që duan muzikën, i bën konkurrencë këpucës së kristaltë në Tajvan. Këpuca, e cila ndodhet në pjesën juglindore, është realizuar për të tërhequr vizitorë, veçanërisht femra, dhe për të rritur numrin e turistëve në këtë zonë pak të njohur dhe të eksploruar.