Puna në shtet mbetet e preferuara e shqiptarëve. Vit pas viti, kërkesat mesatare për një pozicion të lirë pune kanë shënuar rritje, duke arritur kulmin në vitin 2018, me 22 të tilla për një vend vakant të shpallur nga institucionet. Departamenti i Administratës Publike raporton se kjo është mesatarja më e lartë e 18 viteve të fundit.
“Numri mesatar i kandidatëve për një pozicion për vitin 2018 llogaritet të jetë 22. Siç mund të vihet re nga grafiku i mëposhtëm, numri mesatar i aplikantëve për pozicion ka shënuar rritje në krahasim me vitet e mëparshme, gjë që tregon për një interesim në rritje për t’u bërë pjesë e shërbimit civil” thuhet në raport.
I njëjti nënvizon se gjatë vitit të shkuar në vlerë absolute, numri total i aplikimeve për të gjitha pozicionet e shpallura për vitin është 27067, nga të cilët rezulton se 13658 aplikantë i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në shpallje.
DAP ka nxjerrë edhe disa të dhëna lidhur me aplikantët duke nisur nga mosha mesatare, interesi më i madh sipas gjinisë.
Kështu, numri i aplikantëve unik llogaritet të jetë 5973, nga të cilët 57.6% femra, dhe 42.4% meshkuj. Mosha mesatare e aplikantëve është 32 vjeç. Mosha mesatare e aplikantëve për pranimin në shërbimin civil është 31 vjeç. Mosha mesatare e aplikantëve për ngritje në detyrë është 38 vjeç.
Në 2018, më shumë vende bosh prej dorëheqjeve dhe pezullimeve
Departamenti i Administratës Publike bëri të ditur se numri i pozicioneve të shpallura në vitin 2018 ishte më i madh se ai i pozicioneve të planifikuara. “Ky fakt është rrjedhojë e krijimit të vendeve të lira gjatë vitit, për shkak të dorëheqjeve, mobilitetit brenda shërbimit civil (lëvizjet paralele dhe ngritjet në detyrë të nëpunësve civilë), pezullimeve të paplanifikuara të nëpunësve civilë, etj.
Në funksion të rritjes së numrit të vendeve të lira të plotësuara, si dhe në zbatim të legjislacionit të nëpunësit civil, DAP-i, edhe gjatë vitit 2018, implementoi metodën e shpalljes së pozicioneve të kategorisë ekzekutive sipas grupimit të tyre mbi bazë qarku. Qëllimi i aplikimit të kësaj metode të shpalljes së vendeve vakante ishte orientimi i aplikantëve për të aplikuar në mënyrën e duhur sipas vendbanimit të tyre” thuhet në raport.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.