Vjedhja e tretë e bankave gjatë transportit fizik të parave brenda 18 muajve ngre pikëpyetjet për masat e sigurisë. Ekspertët e sigurisë në banka shpjegojnë procedurat e transferimit të parave. Ja pse nuk mund të ruhet konfidencialiteti. Vetëm në 2015-n, bankat transferuan 204 milionë euro…
Transferimi i parave jashtë vendit është një procedurë normale e bankave, të cilat një pjesë të parave të lira nga depozituesit, i vendosin në institucionet financiare jashtë vendit, si formë alternative e investimit. Vitet e fundit, ky proces është përshpejtuar, pasi bankat kanë ngadalësuar kreditimin në ekonomi dhe kanë investuar më pak para në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, duke pasur më shumë fonde në dispozicion për t’i vendosur në bankat jashtë. Vetëm në vitin 2015, sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, zëri “depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera financiare” është zgjeruar ndjeshëm me 16% apo me gati 29 miliardë lekë në vlerë absolute (204 milionë euro). Transaksionet e këmbimit të kartëmonedhave jashtë vendit janë një tjetër veprim që kryhet shpesh nga bankat dhe kërkon transferim parash jashtë vendit.
Po si kryhet fizikisht ky transferim. Ekspertë të sigurisë bankare kanë shpjeguar për “Monitor” se kjo është një marrëdhënie që bankat e zgjidhin me shoqëritë private të sigurisë fizike. Korniza ligjore, që zbatohet, është një udhëzim i ministrit të Brendshëm dhe Ligji i Shërbimit Privat i Sigurisë Fizike (SHPSF), i 2014-s i bërë rishtazi. Mbi bazë të këtyre dy dokumenteve, bankat lidhin aktmarrëveshjet me SHPSF-të, pra legjislacioni është i qartë në këtë drejtim.
Përgjithësisht bankat, për të qenë të sigurta gjatë procesit të transferimit, çojnë edhe punonjës të tyre, ose ka të tjera që ia besojnë tërësisht kompanisë së sigurisë fizike. Kjo varet nga marrëdhënia kontraktuale. Policia e Shtetit nuk lajmërohet për këtë proces, vetëm Banka e Shqipërisë njofton policinë për lëvizjet e parave.
Ekspertët shpjegojnë se në rastin konkret, defekti duket te siguria e brendshme e pistës. Ata shtojnë se Komiteti i Sigurisë së Shoqatës së Bankave ka qenë i angazhuar pas vjedhjes së dytë për të përmirësuar masat e sigurisë. Rrethimi fizik i aeroportit nuk është i mjaftueshëm, jo vetëm për transport vlerash, pasi ai është objekt i sigurisë kombëtare. Ata ngrenë shqetësimin edhe më tej, pasi grabitësit mund të kishin hyrë lehtësisht edhe në avion.
Lidhur me konfidencialitetin e dërgimit të parave, ekspertët shpjegojnë se në njëfarë mënyre, ai është i pamundur të ruhet. Të gjitha veprimet, bankat i bëjnë përmes agjencive doganore.
Ndërkohë janë 5-6 punonjës të shoqërisë private që shoqërojnë blindin, kryesisht të enjte e të premte. Mjafton që dikush të rrijë 20 ditë te kafeja e Rinasit dhe vetëm nga itinerari i lëvizjes kuptohet se cilat janë veprimet, thonë punonjësit e sigurisë së bankave.
Këmbimet e cash-it dhe si kryhet transporti
Krahas dërgimit të tepricës së eurove apo dollarëve (kur nuk kanë mundësi kreditimi apo angazhimi në investime të tjera në Shqipëri për atë monedhë), bankat grumbullojnë edhe cash të një monedhe në treg. Zakonisht në Shqipëri grumbullojnë cash Paund ose Franga Zvicerane. Këto monedha i tregtojnë në Bankat Rajonale, zakonisht në Vjenë, por edhe Credit Swiss Zyrich, duke i konvertuar në Euro ose Dollar, të cilat ose i sjellin mbrapsht fizikisht në Shqipëri, ose i kreditojnë në llogaritë me bankat korrespondente në Austri apo Zvicër, në varësi të Bankës që bën marrëveshjen. Ky është një transaksion i thjeshtë këmbimi cash. Bankierët pohojnë madje se këto transaksione të këmbimit të kartëmonedhave janë më të shpeshta.
Transporti bëhet me Cargo Ajrore, që është shërbim që e ofrojnë kompanitë ajrore e quhet “High Value Cargo Service”. Ky është një shërbim i shtrenjtë, si rrjedhojë transaksioni i këmbimit bëhet me vlera të mëdha që të jetë i leverdishëm. Në të tre rastet, grabitjet janë kryer kur paratë po dërgoheshin në avion dhe probabiliteti më i lartë është që të kenë marrë paund dhe franga zvicerane. Bankierët shpjegojnë se këto monedha është edhe më e lehtë për t’i kapur edhe më vonë, se janë sasi cash të tilla që i ndjek edhe tregu informal pas Bankës.
Bankierët shpjegojnë se është e pamundur të ruhet elementi i sekretit, kur do të shkojnë paratë në Rinas, pasi linjat ajrore nisen me orare fikse. Në të tre rastet e grabitura, kanë qenë fonde në nisje, sepse grabitësit i dinë të sakta oraret e transportit dhe me sa duket, edhe faktin që shumat janë të mëdha.
Siguria në Rinas
Ngjarja e fundit pritet të krijojë probleme për standardin e sigurisë së Aeroportit, pasi u pa fare mirë se grabitësit mund të hynin lehtësisht deri në avion.
Ajo mund të rrezikojë deri edhe shërbimin “High Value Cargo Transport Service”, duke e futur Shqipërinë në listën e pak vendeve ku ai nuk ofrohet, të tilla si Bagdadi, apo Mogadisho.
————
Brumbulli i Shoqatës së Bankave:
Kur vjedhjet e parave ndodhin tre herë brenda 18 muajve nuk është më rastësi
Duhet parë një analizë më e thelluar, pasi kur bëhen tre raste brenda një kohe të shkurtër, nuk është më rastësi. Mund të bëhej gjëmë më e madhe, grabitësit mund të futeshin edhe në avion…
Vjedhja e një shume të madhe parash, që po transferohej nga një bankë në Aeroportin e Rinasit, ka shqetësuar ndjeshëm bankierët. Kjo është hera e tretë brenda 18 muajve që vidhen paratë, që transportohen nga bankat dhe po cenon mënyrën e të bërit biznes të një prej sektorëve më të rëndësishëm në vend.
I kontaktuar nga “Monitor”, Spiro Brumbulli, kryetar i Shoqatës së Bankave, tha se ky është një shqetësim i madh për sistemin, pasi krijon pasiguri të lartë dhe rrit kostot, pasi këto janë humbje të drejtpërdrejta.
“Me të dhënat e deritanishme nuk mund të paragjykojmë lidhur me këtë ngjarje të rëndë, që policia e ka nën hetim”, thotë ai. Gjithsesi ai shton se “mirë kur ndodhi në të dalë të bankës, e pastaj në rrugë, por kjo brenda në aeroport të lë pa fjalë”.
“Duhet parë një analizë më e thelluar, pasi kur bëhen tre raste brenda një kohe të shkurtër, nuk është më rastësi, – thotë ai. – Mund të bëhej gjëmë më e madhe, grabitësit mund të futeshin edhe në avion”.
Brumbulli shton se bankat nuk kërkojnë gjëra të mëdha, por elementet bazë të sigurisë.
Ai thotë se duhet bashkëpunim për të diskutuar nëse ka dobësi ligjore apo dhe arsye të tjera. “Ka diçka që nuk shkon. Për një vit e gjysmë është vjedhja e tretë, edhe pse bankat mundohen të respektojnë kushtet e të ruajnë konfidencialitin”.
Kjo rrit pasigurinë e bërjes së biznesit dhe e shoqëron atë me kosto shtesë.
Javën e kaluar, tre persona me armë hynë në pistën e avionëve të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, rrëmbyen disa thasë me para që do të transferoheshin jashtë me avionë dhe u larguan pa arritur të kapeshin nga policia.
Transferimi i parave jashtë vendit është një procedurë normale e bankave, të cilat një pjesë të parave të lira nga depozituesit, i vendosin në institucionet financiare jashtë vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.