Çmimi Turing 2018, i njohur si “Çmimi Nobel në Informatikë” u është dhënë tre kërkuesve, të cilët kanë krijuar themelet për zhvillimin e vrullshëm sot të Inteligjencës Artificiale.
Yoshua Bengio, Geoffrey Hinton dhe Yann LeCun – ndonjëherë të cilësuar edhe si ‘baballarët e Inteligjencës Artificiale’ – e fituan çmimin e përvitshëm prej 1 milion dollarësh për punën e tyre në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe deep learning. Falë teknikave që tre studiuesit kanë zhvilluar në vitet 1990 – 2000 janë bërë hapa të mëdha në computer vision dhe njohjen e zërit. Puna e tyre është baza e zhvillimit të teknologjive që përdorin IA, nga makinat me vetëdrejtim te diagnozat mjekësore automatike.
Të tre studiuesit zënë role të rëndësishme në ekosistemin e kërkimit mbi Inteligjencën Artificiale, mes fushës akademike dhe industrisë. Hinton e shpenzon kohën e tij mes Google dhe Universitetit të Torontos; Bengio është profesor në Universitetin e Montrealit dhe ka krijuar një kompani për zhvillimin e Inteligjencës Artificiale të quajtur Element Ai, ndërsa LeCun është drejtues në departamentin e IA në Facebook dhe profesor në NYU.
“Ky është një nder i madh” – tha LeCun për “The Verge”. “Arritja më e madhe në informatikë. Dhe është një kënaqësi edhe më e madhe që e ndaj këtë çmim me miqtë e mi Yoshua dhe Geoff”.
Jeff Dean, Drejtues në Departamentin e Inteligjencës Artificiale në Google i vlerësoi lart arritjet e tre studiuesve: “Rrjetet e thella nervore janë përgjegjëse për disa nga progreset më të mëdha në informatikën moderne”. “Në qendër të këtij progresi janë teknikat themelore të zhvilluara nga fituesit e çmimit Turing këtë vit, Yoshua Bengio, Geoff Hinton dhe Yann LeCun.” – tha Jeff Dean në një deklaratë.
Rezultatet e tre hulumtuesve janë veçanërisht të rëndësishme, pasi ata nuk e humbën asnjëherë besimin tek Inteligjenca Artificiale në një kohë kur perspektivat në teknologji ishin të këqija.
Burimi: Marrë me shkurtime nga “The Verge”