Qeveria ka prezantuar Paketën Fiskale 2018, që duhet të ishte më e rëndësishmja në këtë fillim mandati. Ajo duhet të përfaqësonte disa piketa për sektorët që do të mbështeteshin përmes politikave fiskale. Por, në fakt, me përjashtim të reformimit të taksës së pronës, paketa të lë përshtypjen e “korrigjimeve” dhe kthimin e Shqipërisë në një “parajsë fiskale” për investitorët me status special.
Kryefjala e gjithë paketës është joshja e investitorëve potencialë në hotele me 5 yje, që nuk do të paguajnë taksë infrastrukture, do të kenë zero tatimfitim (këtu përfitojnë dhe ata me 4 yje) për 10 vjet dhe do të ofrojnë furnizimin e shërbimeve me 6% TVSH, por që qeveria e pranon se nuk ka një efekt të matshëm për këtë masë.
Në raport me paketën e 2014-s, që ishte e para e qeverisë Rama, piramida është përmbysur: kjo nuk është paketa e qytetarit, as e biznesit në tërësi.
Nga Nertila Maho
Ka diçka që qeverive tona ju mungon vazhdimisht dhe kjo është përpjekja për qëndrueshmëri të një reforme të nisur. Kjo nuk ndodh edhe në mënyrë aq të habitshme, po të kemi parasysh që secila palë u bindet “doktrinave” krejt të ndryshme politike, por ekonomia moderne, në logjikë, nuk po zhvillohet shumë në bazë të këtyre bindjeve, por në bazë studimesh. Jo krejt rastësisht, qeveritë mendojnë se Investimet e Huaja Direkte në disa sektorë, zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, gjallërimi i bujqësisë dhe nxitja e turizmit janë disa shtylla ku duhet të investohet seriozisht nga klasa politike me masa dhe paketa të plota. Në fakt, kjo ka munguar.
Qysh nga viti 2013, kur patëm një ndryshim themelor tek sistemi fiskal i vendit dhe vit pas viti pamë taksa të reja, taksa që riformatohen, taksa që hiqen e të tjera që rivendosen, duket se qeveria e re në mandat, por jo në parti, e ka të vështirë të mbajë edhe trendin e vetvetes, qëndrueshmëri të politikave të saj. Paketa Fiskale 2018 është paketa e radhës që shoqëron edhe buxhetin e vitit të ardhshëm, por që nuk ka një mesazh të qartë se çfarë po përpiqet të bëjë qeveria me të. Dy janë shtyllat që përbëjnë: një ofertë joshëse për investitorët e ardhshëm në turizëm që do të “bekohen” nga qeveria me statusin special, si dhe reformimi i taksës së pronës.
Në raportin paketa e biznesit apo e qytetarit, kjo paketë më shumë anon në favor të biznesit. Qytetari është ai që rëndohet nga barra e taksave ku do të paguajë të paktën 2.4 miliardë lekë më shumë nga taksimi i reformuar i pronës, 19 milionë lekë më shumë nga taksimi i makinave të luksit, 1 miliard lekë më shumë nga taksimi i ri i cigareve.
Biznesi, nga ana tjetër, lehtësohet por kjo vetëm nëse ata i përkasin njërës nga dy kategoritë, investitorë në turizëm dhe biznese që operojnë në teknologji dhe informacion. Në thelb, masat nuk japin një shtysë domethënëse ose orientim sektori por vetëm sa korrigjojnë tek-tuk reflektime të qeverisë dhe nevojën për më shumë para.
Modifikohet taksa për makinat e luksit, një vit pas vendosjes
“Asgjë nuk mund të jetë e sigurt me përjashtim të vdekjes dhe taksave”. Është një shprehje e famshme e Benjamin Franklin. Por duket se shqiptarët arrijnë të gjejnë lloj-lloj mënyrash për t’i shpëtuar taksave. Në draftin e ri të qeverisë “Për taksat kombëtare” bëhet një ndryshim pikërisht te neni për taksimin e makinave të luksit. Që të taksohet një automjet për këtë arsye duhet të përmbushë një nga dy kriteret: ose të ketë cilindratën e barabartë/ mbi 3000 cm³ ose të ketë vlerën, çmimin të barabartë/ mbi 5 milionë lekë.
Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Qytetarët kanë modifikuar të vetmen gjë që mund të ndërhyhej, që ishte përcaktimi automjet 4+1. “Sipas DPTSHRR, janë rreth 909 autovetura të regjistruara aktualisht me kapacitet 6+1, të cilat u janë nënshtruar modifikimeve për arsye të shmangies së kësaj takse. Efekti negativ në buxhetin e shtetit është 19.000.000 lekë nga mostaksimi i këtyre automjeteve, të cilat duhet të konsiderohen makina luksi. Për këtë qëllim propozohet me anë të këtij ligji, rritja e kapacitetit të vendeve nga 4+1 në 6+1”, thuhet në relacionin e projektligjit.
Turizmi pa taksa, por vetëm për ata që s’kanë ardhur ende
Nëse ke hedhur qoftë dhe vetëm një gur në themelet e hotelit, resortit apo çdo lloj strukture tjetër akomoduese, mund të kesh humbur mundësinë që të përfitosh nga “parajsa fiskale” që ka vendosur të ofrojë qeveria për investitorët e rinj të cilët do të marrin statusin special. Paketa Fiskale e këtij viti ka kryefjalë të saj lehtësimin për hotelet me 4&5 yje me status special. Kushtet për përfitimin e statusit ende mbeten për t’u përcaktuar, ndërkohë që lehtësia nis me pjesën e tatimfitimit. Për 10 vitet e para, tatimfitimi do të jetë zero nga 15% që është aktualisht. “Përjashtimi nga tatimfitimi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë autorizimin nga Këshilli i Ministrave deri në dhjetor 2024.
Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special. Parashikimi është bërë me qëllim dhënien e incentivës në momentin e fillimit të aktivitetit ekonomik, atëherë kur ky aktivitet realizon fitim”, – sqarohet në relacion. E njëjta kategori hotelesh me 5 yje, përfitojnë edhe heqje të taksës së infrastrukturës. Sipas legjislacionit në fuqi, çdo biznes që ka një projekt ndërtimi, kur ky i fundit është me orientim aktivitet ekonomik duhet të paguajë 4% të vlerës së projektit si taksë infrastrukture.
Kjo nëse projekti zbatohet në Bashkinë e Tiranës, për pjesën tjetër të vendit kjo taksë varion nga 1-3% të vlerës së projektit. Pra, për një resort me vlerë 100 milionë euro në zonën e Jugut do të duhet të paguhet 3 milionë euro që në fillim. Kjo taksë tashmë zerohet për hotelet me status special. Por oferta e parajsës pa taksa nuk mbaron këtu.
Të gjithë hotelet me status special dhe që janë me 5 yje, do të përfitojnë trajtim të veçantë edhe te TVSH-ja. Aktualisht për gjithë sektorin ofrohet me një shkallë 6% furnizimi i shërbimit të fjetjes. Për hotelet me status special me 6% do të ofrohet edhe furnizimi i shërbimeve të tjera që përfshin nga bar-restorant tek sauna, pishinë, masazhe, sallë konferencash, shezlonge. Në një rishikim të dytë të projektit të parë të paketës fiskale qeveria shtoi edhe më tej listën e lehtësive duke përjashtuar hotelet me 5 yje me status special edhe nga pagesa e taksës për ndërtesat e cila në vitin 2018 do të llogaritet sipas një formule të re. Tani mbetet që qeveria të gjejë vetëm emrat që do t’i pagëzojë me statusin special.
Qeveria e mban fjalën për trajtim të diferencuar për teknologjinë
Teknologjia dhe inovacioni duket të jetë një togfjalësh shumë i rëndësishëm në konferenca dhe forume biznesi, ku qeveria i përsërit vetes herë pas here se ka nevojë për përmirësim. Në Paketën Fiskale të vitit të ardhshëm duket se kemi një start që synon lehtësimin e tyre.
“Për personat fizikë dhe juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet në prodhimin e software-ve, tatimi mbi fitimin është në masën 5%”, thuhet në projektligj. Efekti negativ në buxhet për këtë pjesë parashikohet që të jetë 93 milionë lekë, një efekt relativisht modest në raport me efektet e përgjithshme të politikave fiskale të qeverisë.
Por përveç një shkalle të reduktuar për tatimfitimin, qeveria ka vendosur që të zerojë tarifën doganore për importin e mbi 60 produkteve me kode të veçanta doganore që i përkasin fushës së teknologjisë dhe inovacionit. Në listën e produkteve hyjnë, mes të tjerave, pllaka për filmat kinematografikë, kasat, makina që kryejnë më shumë se dy funksione printimi, kopjimi, transmetim fakti, anijet e hapësirës (përfshi satelitët) dhe mjetet që lëshojnë anije në hapësirë dhe mjetet suborbitale, si dhe aeroplanët për stërvitje mësimore tokë dhe pjesët e tyre.
Biznesi i vogël në TVSH, do të paguajë 13 milionë USD
Debati që i parapriu Paketës Fiskale dhe me një ndjeshmëri të lartë ishte ai për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ku u deklarua se futja në regjim do të ishte për bizneset me qarkullim nga zero. Por duke parë rezistencën e biznesit me një theks të vazhdueshëm te rritja e kostove të administrimit, si dhe rrezikut të falimentit, duket se qeveria u tërhoq nga ky plan. Në një takim me Dhomën Amerikane të Tregtisë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi se pragu për TVSH-në do të ulej në 2 milionë lekë. Tashmë në skemë do të futen gjysma e atyre që mendohej.
Të paktën 65 mijë subjekte mbeten jashtë, sepse u përkasin disa kategorive specifike që qeveria ka gjykuar, që nuk duhet të jenë në TVSH. Kjo nis me fermerët, zejtarët, tregjet nën menaxhimin e bashkive apo taksistët dhe berberët. Argumenti i qeverisë për shtrirjen e pragut të TVSH-së në një nivel më të ulët sesa aktuali lidhet me kontrollin e më të mëdhenjve.
Pavarësisht sesa pa ndikim do të jetë kjo masë që nga qeveria deklarohet se s’do të ketë kosto, në projektbuxhetin e 2018-s është parashikuar efekt pozitiv tek TVSH prej 13 milionë dollarësh. Por qeveria nuk ka llogaritur koston tjetër për biznesin, që lidhet me deklarimet dhe plotësimin e dokumenteve tatimore, që duhet të bëhen nga profesionistë që kanë edhe tarifat e tyre. Në projektligjin për TVSH-në, qeveria nuk ka përcaktuar detaje për pjesën e biznesit të vogël, por ka nënvizuar se “kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në, rastet e përjashtimit apo kufiri minimal i regjistrimit për kategori të veçanta, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Rritet akciza për cigaret, efekt 1 miliard lekë
Ligji i akcizës është prekur sërish për të sjellë një ndryshim. Këtë herë në draftin e projektligjit është menduar që të ketë rritje të nivelit të taksës që aplikohet për një kategori të veçantë cigaresh të njohur si cigarillo. Këto të fundit janë cigare të mbështjella me duhan apo të njohura rëndom si “puro” dhe që do të taksohen më shtrenjtë në vitin 2018. Konkretisht, drafti parashikon rishikimin e nivelit të akcizës së cigareve, nga 5750 lekë/1000 copë që ishte parashikuar në kalendar, në 5850 lekë/1000 copë. Ky rishikim, sipas qeverisë, vjen në kushtet e përafrimit me nivelin që aplikojnë vendet e rajonit, si dhe me respektimin e logjikës që imponojnë direktivat e Bashkimit Europian. Buxheti nga kjo masë do të arkëtojë më shumë se 1 miliard lekë, ose të paktën ky është efekti që ka parashikuar Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Taksa e tabelës, shtohen kategoritë, ndryshon llogaritja
Taksa e tabelës funksionon në çdo bashki të vendit dhe paguhet nga biznesi si pjesë e taksave vendore. Qeveria ka ndryshuar mënyrën sesi llogaritet kjo taksë në projektligjin “Për taksat vendore”, duke huazuar modelin e Malit të Zi dhe duke theksuar në relacionin shoqërues se kjo mënyrë do të ndikojë në uljen e barrës fiskale të bizneseve që paguajnë këtë taksë. Në themel të logjikës së re të taksës së tabelës janë marrë parasysh tre faktorë: lloji i tabelës së vendosur, sipërfaqja që zë tabela, ruajtja dhe kategorizimi i ndarjes aktuale që kanë bashkitë. “Kështu, tabelat deri në një sipërfaqe të caktuar, taksohen në nivelin 100% të taksës. Mbi këtë sipërfaqe, për çdo diapazon rritje nga një sipërfaqe në tjetrën, niveli i taksës ulet në masat 85%, 75%, 55% dhe 40% ndaj nivelit 100%.
Gjithashtu, duke qenë se përgjithësisht tabelat ndahen në të thjeshta, me ndriçim dhe elektronike, niveli i taksës ndryshon me rritje sipas këtyre ndarjeve. Niveli më i lartë është për taksën e tabelës elektronike 100%, duke u ulur në nivelet 77% për tabelat me ndriçim dhe 44% për tabelat e thjeshta”, – thuhet në relacionin e qeverisë. Në draftin e qeverisë është bërë një ndarje më e detajuar e kategorive të tabelave. Nga tre kategori që është ndarja aktualisht, ajo ka shkuar në katër, ndërkohë që vetëm për kategorinë e parë që është “tabelë për qëllime identifikimi, të trupëzuara, ose jo brenda territorit, ku zhvillohet veprimtaria e biznesit dhe nuk përdoret për të reklamuar veprimtaritë e të tretëve (ku shënohet emri/ose aktiviteti i biznesit)” ka të paktën pesë nënndarje të tjera.
Për të gjitha këto, deri më tani nga ana e biznesit, paguhej 120 lekë në vit, duke mos përcaktuar detajime mbi sipërfaqen. Me kategorizimin e ri për një tabelë të thjeshtë (pa ndriçim) 2 m² deri në 10 m² taksa në Bashkinë e Tiranës dhe Durrësit është 15 mijë lekë m². Për Bashkinë e Shkodrës dhe gjithë ato të renditura në kategorinë 2, taksa vjetore është 10 mijë lekë m²/vit. Shembull: Një biznes në Tiranë ka të vendosur një tabelë të thjeshtë pa ndriçim, e cila është 15 metra katrorë. Shuma e taksës që ky biznes do të paguajë është (10 m² x 15 000 lekë) + (5m² x 12 750 lekë) = 150 000+63 750 = 213 750 lekë në vit ose (17 812 lekë/muaj). E njëjta logjikë do të ndiqet edhe për sipërfaqet e tabelave mbi 20 m² dhe mbi 40 m².
Për subjektet tatimpaguese që vendosin më shumë se një tabelë identifikuese vetëm njëra prej tyre do të konsiderohet si e tillë ndërsa tjetra do të konsiderohet si reklamë. Çdo tabelë reklamimi që kalon sipërfaqen 35m2 do të konsiderohet sikur është 35 m2 dhe shuma e taksës llogaritet dhe paguhet vetëm për këtë sipërfaqe pavarësisht madhësisë së saj në m2. Financat kanë sqaruar se në kategorinë e reklamës duhet të kuptohet çdo publicitet, formë promovimi që shërben për të njoftuar, tërhequr, vëmendjen, joshur blerësit, të vendosur në pamje jo ballore, në tarraca lozhe, ballkone në pjesën e rrugës, shtylla, që kanë përmbajtje me qëllime reklamimi për vete ose për të tretë.
Qeveria harron premtimin e progresivitetit të ri tek të ardhurat nga pagat
Mazhoranca aktuale, që është e njëjta edhe e qeverisë së kaluar, theksoi pak para zgjedhjeve një thellim të progresivitetit në taksën tek të ardhurat personale. Qeveria Rama 1 e përdori këtë taksë si boshtin e politikës së vet, që do të sillte ndryshime domethënëse për 97% të shqiptarëve që do t’ju mbeteshin më shumë para në xhep.
Premtimi në këtë mandat të dytë ishte rishikimi i progresivitetit në funksion të uljes së përqindjes që mbahet si tatim për të ardhurat në kufirin e sipërm. Konkretisht, ministri aktual i Financave dhe Ekonomisë do të premtonte se shkalla e sipërme e taksimit nuk do të ishte më 23% por 18%.
Aktualisht taksa mbi të ardhurat personale ndahet në tre fasha. Për të ardhurat nga zero në 30 mijë lekë nuk ka taksim. Për të ardhurat nga 30 001 lekë deri në 130 mijë lekë, taksa që paguhet është 23% e shumës mbi 130 mijë lekë. Pavarësisht “harresës” së qeverisë për këtë pikë, programi ekonomik i paraqitur para zgjedhjeve përfshin në vetvete masat që do të merren në katër vjet, duke lënë të hapur opsionin për paketat fiskale të viteve në vijim.
Bashkitë mund të rrisin taksën me 30%
Taksa mbi pasuritë e paluajtshme, ku përfshihen edhe ndërtesat në një pjesë të mirë shkon te buxheti i pushtetit vendor. E vetmja vlerë që zbritet është ajo e agjentit tatimor që, sipas gjasave, në vitin 2018 do të jetë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe që do të përfitojë 2% të të ardhurave. Por edhe pse drafti i qeverisë ka përcaktuar si shkallë të taksës 0.05% e vlerës së pronës për individët dhe 0.15% të vlerës së pronës për bizneset referuar ligjit “Për financat e vetëqeverisjes vendore” bashkitë mund të rrisin këtë shkallë.
“Për taksën e pasurisë së paluajtshme, këshilli bashkiak vendos nivelin e taksës në kufijtë plus 30% dhe minus 30% të nivelit tregues të taksës për kategorinë përkatëse”, thuhet në ligj. Duke qenë se synimi është që të mblidhen më shumë të ardhura, gjasat që bashkitë të marrin një vendim për ulje me 30% janë pothuajse zero. Ky përcaktim në ligj pritet që ta çojë shkallën e sipërme të taksimit të mundshëm për ndërtesën për individët në 0.065% të vlerës së pronës.
Kurse për bizneset, shkalla e sipërme mund të shkojë në 0.2% të vlerës së pronës. Gjithsesi, duke qenë në vitin e parë të mbledhjes së taksës me këtë bazë, duket se edhe bashkitë do të kenë tendencën të jenë në unifikuara në funksion të rritjes së bazës, si dhe efektivitetit në mbledhjen e të ardhurave. Në draft, efekti financiar i parashikuar është rreth 21 milionë dollarë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.