Plani për të rritur të ardhurat me 200 milionë euro, sa do të paguhet për pronën. Shpenzimet kapitale pritet t’i rikthehen niveleve të larta mbi 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto…
Ministria e Financave ka hartuar tabelat paraprake të buxhetit të vitit 2018. Sipas planit, totali i të ardhurave për vitin 2018 pritet që të arrijë 464.3 miliardë lekë (rreth 3.4 miliardë euro), me një rritje prej 6.4% në krahasim me aktin normativ 2017, apo rreth 200 milionë euro më shumë se të ardhurat që pritet të mblidhen këtë vit.
Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, të ardhurat pritet të arrijnë që në vitin 2017 një nivel rekord prej 28.1% të PBB-së dhe ky nivel pritet që të ruhet edhe përgjatë vitit 2018. Parashikimi i fundit zyrtar për rritjen ekonomike, sipas programit afatmesëm të qeverisë është për një rritje ekonomike prej 4.1% dhe një inflacion prej rreth 2%, çka nënkupton që projektimi real për rritjen e të ardhurave, duke hequr rritjen ekonomike dhe inflacionin, është minimal.
Të ardhurat tatimore, të cilat sigurojnë 91.5% të totalit të të hyrave në buxhet, pritet që të rriten me 6.7% (+26.8 miliardë lekë), për të arritur në 425 miliardë lekë.
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat, që do të sjellin 63% të totalit të buxhetit, pritet të rriten me 5.9% (17.8 miliardë lekë), duke arritur në 317.2 miliardë lekë.
TVSH-ja, si gjithmonë, do të mbajë peshën kryesore në të ardhurat nga tatimet e doganat, duke siguruar 47.5% të tyre. Në vlerë absolute, të ardhurat
nga Tatimi i Vlerës së Shtuar pritet të arrijnë në 150.7 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 6.8% në raport me pritshmërinë e këtij viti. Qeveria ka në plan që këtë vit të zgjerojë skemën e TVSH-së edhe tek biznesi i vogël. Megjithatë, në buxhet, plani për TVSH-në mbetet në 9.1% të PBB-së, njësoj si në vitin 2017.
Të ardhurat nga tatimfitimi do të arrijnë në 33.4 miliardë lekë, me një pritshmëri për një zgjerim të ndjeshëm prej 14.4% me bazë vjetore.
Nga akciza pritet të grumbullohen 50.4 miliardë lekë, me një rritje me bazë vjetore prej 7.9% në raport me pritshmëritë e 2017-s.
Tatimi mbi të ardhurat personale pritet me një rritje modeste prej 3%, për të arritur në 37.3 miliardë lekë. Qeveria ka bërë publik planin për të ulur tatimin mbi pagat e larta nga 23% në 18%, por deri tani nuk ka sinjale se kjo do të ndodhë brenda vitit 2018.
Të ardhurat nga taksat nacionale janë të vetmet që parashikohen me ulje prej 3.4%, për të arritur në 38.3 miliardë lekë.
Taksat doganore, pesha e të cilave në buxhet mbetet e ulët, pritet të arrijnë në 7 miliardë lekë.
Taksa e pronës, do të paguhet 21 milionë euro më shumë në 2018-n
Qeveria ka bërë publik planin për të ndryshuar taksimin mbi pronën, nga fikse, në bazë të vlerës, ndonëse ende nuk është bërë i qartë projekti final. Në projektbuxhetin 2018, pritshmëria për të ardhurat nga taksa e pronës është rritur ndjeshëm në raport me programin afatmesëm të financave. Arkëtimi nga taksa e pronës pritet të rritet me 54%, për të arritur në 8.1 miliardë lekë në raport me pritshmëritë e 2017-s. Pra shqiptarët do të paguajnë rreth 60 milionë euro taksë për pronën, apo rreth 21 milionë euro më shumë se këtë vit.
Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, të ardhurat nga taksa e pronës pritet të arrijnë në 0.5% të PBB-së, në linjë me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Në programin fillestar afatmesëm, parashikimi për të ardhurat nga taksa e pronës ishte 5.6 miliardë lekë (pothuajse njësoj me 2017-n), në rreth 0.3% të PBB-së.
Të ardhurat nga taksat lokale pritet me rënie në krahasim me 2017-n, me 11.3% më pak, për të arritur në 10.3 miliardë lekë.
Fondet speciale
Të ardhurat nga sigurimet shoqërore pritet të rriten me 6.2%, në 74.6 miliardë lekë. Të hyrat nga sigurimet shoqërore do të zgjerohen me 7% në 11.9 miliardë lekë.
Për kompensimin e pronarëve parashikohen 1.5 miliardë lekë, apo 500 milionë lekë më pak se një vit më parë.
Të ardhurat jotatimore pritet të zgjerohen me 5.6% në 25.7 miliardë lekë.
Ulet ndjeshëm fondi për rritje pagash e pensionesh, shtohen shpenzimet kapitale
Qeveria shqiptare pritet që të shpenzojë gjatë vitit 2018 rreth 497 miliardë lekë (rreth 3.7 miliardë euro) për pagat e punonjësve, pensione, shpenzimet administrative të përditshme, investime në rrugë, shkolla, rikonstruksione, mbështetje për pushtetin lokal, interesa borxhi e pagesa papunësie.
Sipas tabelave paraprake të draft-buxhetit 2018, shpenzimet pritet të rriten me 5.8% në krahasim me pritshmërinë e këtij viti. Në krahasim me atë që prodhon ekonomia në një vit, shpenzimet kapitale pritet të jenë 30.1% e PBB-së.
Teksa e gjithë administrata është përfshirë në një proces të ethshëm ristrukturimi, nisur dhe nga riorganizimi i ministrive, buxheti nuk duket se do të arrijë të kursejë për të paguar punonjësit. Fondi i planifikuar për pagat është 65 miliardë lekë, me një rritje me 10.5% në krahasim me 2017-n. Kjo do të thotë që buxheti do të shpenzojë 6.1 miliardë lekë, ose rreth 45 milionë euro më shumë për punonjësit.
Në buxhetin afatmesëm, i cili është hartuar në fillim të 2017-s, përpara se qeveria e dalë pas zgjedhjeve të qershorit të deklaronte planet e saj të riorganizimit, fondi i parashikuar për paga për 2018-n ishte parashikuar të arrinte në 60.8 miliardë lekë, pra rreth 4.2 miliardë lekë më pak sesa u vendos aktualisht.
Në të kundërt, është ulur ndjeshëm fondi i planifikuar për politika të reja pagash, nga 5.5 miliardë lekë në 2017-n, në vetëm 1 miliard lekë në draft-buxhetin 2018. Në projektbuxhetin e mëparshëm afatmesëm, si fond për politika të reja pagash në vitin 2018 ishte parashikuar një shumë prej 7.2 miliardë lekësh.
Edhe fondi për politika të reja pensionesh është ulur në 1.8 miliardë lekë, nga 2.6 miliardë lekë në 2017-n dhe 3.1 miliardë lekë që ishte parashikuar në buxhetin fillestar afatmesëm (për 2018-n).
Pas një periudhe, kur qeveria përfitoi nga rënia e interesave në treg, që e lehtësoi atë në pagesën e borxheve, shpenzimet për interesa pritet të rriten me 9.5% për të arritur në 41.5 miliardë lekë.
Qeveria do ta rrudhë dorën për shpenzimet operative të mirëmbajtjes, teksa ato do të rriten me 1.3% në 45.5 miliardë lekë.
Rritje e ndjeshme e shpenzimeve kapitale
Në linjë me ambicien për të filluar një program të madh investimesh, të financuar edhe përmes projekteve të partneritetit publik-privat, shpenzimet kapitale pritet të kenë rritje të ndjeshme, sipas draft-buxhetit 2018. Fondet për investime parashikohet të arrijnë në rreth 86 miliardë lekë, me një zgjerim prej 16% në krahasim me pritshmëritë e 2017-s.
Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ato pritet të arrijnë në 5.2% të PBB-së, duke iu afruar niveleve të larta të para në periudhën 2008-2010. Efekt në këtë rritje do të kenë edhe shpenzimet për koncesionet aktuale që kanë nisur vitet e fundit.
Pjesa më e madhe e financimit, rreth 62%, do të vijë nga burime të brendshme. Deficiti buxhetor pritet që të qëndrojë në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në nivele të njëjta me 2017-n.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.