7 bashki: Mirditë, Pukë, Gramsh, Belsh, Përmet, Këlcyrë, dhe Kolonjë, të mbështetur financiarisht nga Qeveria kanë nisur punën për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore.
Për vitin 2017 janë planifikuar 106.6 mln lekë për hartimin e planeve të përgjithshme vendore në 7 bashki, të cilat do t’i bashkëngjiten 26 bashkive që u mbështetën nga Qeveria, gjatë vitit që kaloi.
Procesi i “Hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore” për këto bashki, të ndara në 3 lote (Mirditë-Pikë; Gramsh-Belsh; Këlcyrë-Përmet-Kolonjë) do të realizohet në një periudhë prej 25 javësh.
Pas përfundimit të procedurës së prokurimit në lidhje me hartimin e PPV për këto 7 bashki, 3 subjektet fituese që do të punojnë me bashkitë për këto plane janë:“GAIA S.A Meleton”, për lotin Mirditë – Pukë; “Metropolis dhe Universiteti Polis” për lotin Gramsh – Belsh dhe “Atelier 4”, për lotin Këlcyrë – Përmet – Kolonjë.
Një vit me parë, në janar 2016, MZHU, në emër të Qeverisë Shqiptare, firmosi marrëveshje me 26 bashki dhe studiove vendase dhe ndërkombëtare për hartimin e PPV, me një fond prej 560 mln lekësh.
Ndërkohë, 5 bashki të tjera: Fier, Lushnjë, Berat, Kuçovë dhe Elbasan u asistuan nga USAID për planet vendore, plane të cilat u miratuan në KKT në fund të vitit të kaluar.
Gjatë vitit 2017 Qeveria Zvicerane, përmes Programit Për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (DLDP),ka dhënë mbështetjen financiare dhe teknike për 5 bashki në Veri të Shqipërisë, për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor, konkretisht për: Malësinë e Madhe, Tropojën , Matin, Klosin dhe Vaun e Dejës.
Në total, 44 bashki, brenda këtij viti, pritet që t’i kenë të hartuara planet e tyre të përgjithshme vendore. Sa i takon vitit të ardhshëm, Ministria e Zhvillimit Urban ka parashikuar 106, 641, 667 lekë për 17 bashki të tjera dhe kësisoj, në fund të vitit 2018, 61 bashki, të krijuara mbas reformës territoriale administrative të kenë planet e përgjithshme vendore. Këto plane janë platforma zhvillimi për këto bashki të reja, japin piketat e zhvillimit për 15 vitet e ardhshme, janë një dokument i cili parashikon mënyrën sesi do të zhvillohen bashkitë, zonat rurale dhe urbane, janë një garanci më shumë për investitorët vendas dhe të huaj si dhe pa dyshim lehtësojnë edhe procesin e lejeve të ndërtimit.
Për vitin 2017, Fondi limit për 7 Bashkitë (Mirditë-Pikë; Gramsh-Belsh; Këlcyrë-Përmet-Kolonjë), e ndarë në tre Lote është 106, 641, 667 lekë. Procesi i “Hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore” për këto bashki do të realizohet në një periudh prej 25 javësh.
Lot 1 me Fond limit: 30,252,888.85 (tridhjetë milion e dyqind e pesëdhjetë e dy mijë e tetëqind e tetëdhjetë e tetë presje tetëdhjetë e pesë) lekë (pa TVSH), dhe fitues subjekti “GAIA S.A Meleton”, përfshin bashkitë Mirditë dhe Pukë.
Kontrata me këtë subjekt është lidhur më datë 04.07.2017 me vlerë 23,000,320 ( njëzet e tre milion e treqind e njëzet) lekë (pa TVSH)
Lot 2 me Fond limit: 28,971,582.79 ( njëzetë e tetë milion e nëntëqind e shtatëdhjetë e një mijë e pesëqind e tetëdhjetë e dy presje shtatëdhjetë e nëntë) lekë (pa TVSH), dhe fitues subjekti “Metropolis dhe Universiteti Polis”, përfshin bashkitë Gramsh dhe Belsh.
Kontrata me këtë subjekt është lidhur më datë 03.07.2017 me vlerë 27,275,000 ( njëzet e shtatë milion e dyqind e shtatëdhjet e pesë mijë) lekë (pa TVSH)
Lot 3 me Fond limit: 47,417,195.03 (dyzetë e shtatë milion e katërqind e shtatëmbëdhjet mijë e njëqind e nëntëdhjet e pesë pikë zero tre) lekë (pa TVSH) dhe fitues subjekti “Atelier 4”, përfshin bashkitë Këlcyrë, Përmet dhe Kolonjë.
Kontrata me këtë subjekt pritet të lidhet më 28.08.2017 me vlerë 46,800,000 ( dyzet e gjashtë milion e tetëqind mijë) lekë (pa TVSH)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.