I plotfuqishmi Rexhep Tajip Erdogan

13/07/2018 10:03 PM 0 komente

Erdogan përuron një epokë të re politike në Turqi. “Turqia e Re” do të jetë më shumë islamike, nacionaliste dhe autoritare

 

Mes një zhurme të madhe borish, një grua e re doli në xhamin e dritares së makinës së saj duke brohoritur, një nga qindra makinat që rrethonin selinë qendrore të partisë qeverisëse Drejtësi dhe Zhvillim në Ankara, duke bërë një përshëndetje islamike me dorën e saj të majtë ndërsa me të djathtën, një përshëndetje ultranacionaliste, shkruan The Economist. Mijëra mbështetës të partisë qeverisëse brohorisnin dhe këndonin duke pritur udhëheqësin e tyre, menjëherë pas fitores së madhe në votime.

“Ky është çlirimi i ri i Turqisë”, bërtiti me zë të ngjirur një prej tyre, duke valëvitur një flamur me imazhin e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe stemën e Perandorisë Osmane. “Perëndimi nuk do të na urdhërojë më”, tha një burrë tjetër, me profesion mësues. Kjo ishte atmosfera e 24 qershorit, një ditë nga ato që sipas Erdogan, janë ditët e Turqisë së Re, një sintezë e përkryer e nacionalizmit islamik dhe nostalgjisë osmane dhe ndoshta ditët e fundit të Republikës së vjetër të Kemal Ataturkut.

Në garën presidenciale, Erdogani e mundi kundërshtarin e tij kryesor, Muharrem Ince, me 53% të votave ndaj 31% të z. Ince. Ndërsa në votimin parlamentar, partia e tij AK dhe partia tjetër me të cilën është në koalicion, Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), fituan një total prej 54%, të mjaftueshme për të siguruar një shumicë të konsiderueshme prej 344 vendesh nga 600 gjithsej në Kuvend. Aleanca e opozitës, e udhëhequr nga Partia Republikane Popullore me në krye z. Ince dhe partia IYI, fituan vetëm 189 vende. HDP-ja, partia pro-kurde fitoi 12%, të mjaftueshme për të dërguar në Parlament 67 prej anëtarëve të saj.

Edhe pse të lira, këto ishin ndër zgjedhjet e zhvilluara në mënyrën më të padrejtë në Turqi. Nën presionin e mbështetësve të partisë qeverisëse, shumica e televizioneve dhe mediave vepruan sikur kandidati për President i partisë pro-kurde HDP, Selahattin Demirtas dhe kandidatja e partisë Iyi, Meral Aksener, nuk ekzistonin fare. Ndërsa televizioni kombëtar dhe disa kanale të tjera ndër më të ndjekurat, i kushtuan z. Ince më pak se një të dhjetën e kohës televizive krahasuar me z. Erdogan dhe madje tubimi i tij i fundit në prag të votimeve, në të cilin morën pjesë mbi qindra mijë mbështetës, nuk u transmetua fare. Sipas një raporti të publikuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, pjesëmarrja e lartë e votuesve prej afërsisht 88%, ishte një fakt që u vlerësua shumë, por gjithsesi, në fund të këtij raporti, thuhej se Erdogan dhe partia e tij AK kishin mbulim të tepruar mediatik në fushatën zgjedhore, ata keqpërdorën burimet shtetërore dhe përdorën gjendjen e jashtëzakonshme për të kufizuar liritë e Asamblesë.

Për z. Erdogan, fitorja ishte hapi i fundit në rrugën drejt një Kushtetute që zëvendëson sistemin parlamentar të vendosur nga Ataturku (babai themelues i këtij vendi), me një sistem presidencial. Sipas ndryshimeve të reja, të miratuara me shumicë të vogël në një referendum të vitit 2017 dhe që tani kanë hyrë në fuqi, z. Erdogan ka kontroll të plotë të ekzekutivit, duke përfshirë fuqinë për nxjerrjen e dekreteve, emërimin e kabinetit të tij, hartimin e buxhetit, shpërndarjen e Parlamentit, duke zhvilluar zgjedhjet më herët dhe të mbushë gjykatat dhe institucionet e tjera shtetërore me të emëruar politikë.

Posti i Kryeministrit nuk do të ekzistojë më. Mbështetësit e Presidentit thonë se sistemi i ri do të përshpejtojë vendimmarrjen, do të zvogëlojë të drejtat e ushtrisë për të ndërhyrë në politikë dhe të bëjë koalicione parlamentare të paqëndrueshme, dhe të gjitha këto tashmë do t’i përkasin së kaluarës. Ndërsa kundërshtarët thonë se z. Erdogan nuk do të drejtojë më një qeveri, por një regjim.

Edhe Parlamenti, tani është në duart e partisë AK dhe aleatit të saj, MHP-së, i cili mori 11% të votave, rreth dy herë më shumë sesa kishin parashikuar sondazhet. Partia e Erdogan, për të cilën ai është lider absolut, do ta bëjë çdo dëshirë që del nga goja e Presidentit të shndërrohet në ligj. Lideri i partisë MHP, Devlet Bahceli, i cili ka qenë ndër të parët që e ka cilësuar Erdogan diktator, është shndërruar në një prej mbështetësve më të flaktë dhe do ta shtyjë atë më tej, drejt së djathtës nacionaliste.

Z. Bahceli i ka shprehur qartë bindjet ndaj kurdëve dhe pakicave të tjera, dhe se dëshiron që z. Demirtas të qëndrojë prapa hekurave. (Udhëheqësi i HDP-së është arrestuar që nga viti 2016 nën akuzën për përfshirje në zhvillimin e aktiviteteve terroriste dhe për këtë arsye e drejtoi fushatën presidenciale nga një qeli). Dy ditë pas zgjedhjeve, lideri i partisë MHP i bëri thirrje z. Erdogan për të vazhduar me gjendjen e jashtëzakonshme të Turqisë, e cila zgjat prej dy vjetësh, për të cilën Presidenti, ditët e fundit të fushatës, kishte premtuar se do ta hiqte.

“Erdogan mori presidencën e tij, kështu që ai duhet të ndihet shumë mirë, por tani ai do të ndikohet nga z. Bahceli, ndaj të cilit duhet të tregohet vigjilent”, thotë Soli Ozel, një komentator veteran turk. Edhe nëse z. Erdogan i jep fund gjendjes së jashtëzakonshme të Turqisë, ka pak arsye për të menduar se ai do të heqë dorë nga lufta e ashpër e ndaj kundërshtarëve (dhjetëra mijë u burgosën pas një grushti të përgjakshëm shteti në vitin 2016), do të heqë dorë nga ndikimi i shtypit që, kurrsesi nuk mund të konsiderohet i lirë (numri i gazetarëve që qëndrojnë pas hekurave do të ishte i mjaftueshëm për të krijuar stafin e disa redaksive) apo se ai do të heqë dorë nga luftërat me Perëndimin.

Kur ata erdhën për herë të parë në pushtet, në vitin 2002, z. Erdogan dhe partia e tij AK premtuan se qytetarët turq do të ndiheshin vërtet të lirë në këtë vend, dhe veçanërisht kurdët. Por gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar, të vetmet liri që ata kanë mbështetur janë ato të votuesve të tyre konservatorë. Ata madje kanë anuluar një ligj, që u ndalon grave e mbuluara myslimane pjesëmarrjen në universitete apo në institucionet shtetërore. Me Kushtetutën e re, z. Erdogan ka hedhur themelet për një sistem që nxjerr jashtë loje elitën laike, institucionet publike dhe Parlamentin si ndërmjetës midis Presidentit dhe popullit, thotë Karabekir Akkoyunlu, një studiues turk në Universitetin São Paulo.

Por Presidenti mund të përballet me faktin se ristrukturimi i një shoqërie që do të përbëhet nga një ndërthurje midis islamikëve, nacionalistë dhe një nostaligjie të madhe për një Perandori të zhdukur, mund të jetë më i vështirë sesa ristrukturimi i institucioneve. Turqia, të cilën z. Erdogan e kryeson sërish, fatkeqësisht mbetet e ndarë. Nga njëra anë janë myslimanët konservatorë dhe nacionalistë, për të cilët ai është simbol i prosperitetit, lirisë fetare dhe krenarisë kombëtare, ndërsa në anën tjetër qëndrojnë laikët, liberalët dhe kurdët e juglindjes, të cilët e shohin atë si një despot të korruptuar dhe represiv.

Pritshmëria se ndoshta Erdogan do të mundohet të bashkojë popullin e tij duke hequr këto ndasi për të cilat ai ka qenë pjesërisht përgjegjës, do të ishte thuajse naive, argumenton Soner Cagaptay, autori i cili ka publikuar së fundmi një libër rreth Erdogan. Ai thotë më tej se Erdogan nuk është autoritar, sepse është i çmendur, por sepse është racional, pasi kjo është e vetmja mënyrë, në fund të fundit, që ai të mos humbasë pushtetin.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz