Flet zoti Pietro Tafuni, administrator i Conad Albania
Të ardhurat e gjeneruara nga shitjet në rrjetin e supermarketve Conad në 2017-n arritën në 2.2 miliardë lekë, duke u renditur të tretët më të mëdhenj në vend. Sipas zotit Pietro Tafuni, rrjeti ka njohur zgjerim të vazhdueshëm në treg, ndërsa konkurrenca e pandershme mbetet shqetësimi kryesor. Fasha e konsumatorëve të tyre, sipas z. Tafuni, është me fuqi blerëse mbimesatare. Për sa i përket ekonomisë informale, duhet të peshohet shëndeti i konsumatorëve me ekonominë informale, që shpesh shërben për punësimin e bizneseve familjare
Rrjeti i supermarketeve Conad në vitin 2017 pati rënie të lehtë sipas të ardhurave të gjeneruara nga shitjet. Si e shikoni tregun e shitjeve me pakicë në segmentin që përfaqësoni?
Të ardhurat e gjeneruara nga shitjet e supermarketeve Conad në 2017 kanë qenë 2.2 miliardë lekë, ndërsa në 2016 ishin në vlerën 2.3 miliardë lekë, me rënie prej 62.8 milionë lekësh. Në muajin janar të vitit 2017, kemi mbyllur supermarketin në Qendrën Tregtare City Park, për shkak të peripecive, të cilat dihen, që ka pasur City Park. Të ardhurat e gjeneruara nga supermarketi City Park në 2016 ishin 287 milionë lekë.
Si rrjedhojë, të ardhurat në vitin 2017, në vlerën neto të City Park, janë rritur në 210 milionë lekë në krahasim me vitin 2016, me rritje prej 10%.
Në një intervistë të mëparshme për “Monitor” keni deklaruar se përllogariten se janë rreth 800 supermarkete që veprojnë në vend. Në një treg ku konkurrenca është kaq e fortë, si e shikoni potencialin për t’u zgjeruar?
Në Shqipëri, në tregun e shitjes me pakicë, veprojnë disa konkurrentë:
- supermarkete të organizuara (ndër më të mëdhenjtë: Conad, Spar, Big Market, Eco Market)
- supermarkete të pavarura, minimarkete
- dyqane tradicionale
Çdo lloj tipologjie dyqani formulon propozimin e vet tregtar (asortimentin, çmimin e shitjes) sipas konsumatorit të tij. Lloji i konsumatorit nuk varet vetëm nga fuqia blerëse (konsumatorët që shpenzojnë shumë, mesatarisht, apo që shpenzojnë pak), por edhe nga prirjet ndaj llojeve të ndryshme të konsumit (vëmendje ndaj cilësisë së produkteve, organike, të shëndetshme, etj.)
Supermarketi Conad ka për qëllim një grup konsumatorësh që kërkojnë cilësi (që nuk do të thotë ekskluzivisht një produkt i cilësisë më të lartë, por mbi të gjitha, një produkt i sigurt në këndvështrimin higjieno-sanitar); gjithashtu po rritet numri i konsumatorëve që kërkojnë produkte të shëndetshme (biologjike, vegane, produkte me vlera të ulëta yndyrore, etj.)
Mbi 80% e asortimentit të supermarketeve Conad janë produkte italiane (të prodhuara në Itali ose të prodhuara për tregun e Europës Perëndimore), duke garantuar cilësinë dhe respektimin e normave higjieno-sanitare të përcaktuara nga Bashkimi Europian, dhe kjo është ajo çka kërkojnë klientët që zgjedhin Conad. Çmimet e produkteve tona reflektojnë kosto më të lartë, si pasojë e cilësisë dhe nga kostot logjistike (80% e produkteve vijnë nga Italia)
Për këtë arsye, klientela jonë përbëhet vetëm nga fasha e konsumatorëve, me fuqi mesatare dhe të lartë blerëse. Çdo vit e më shumë, fasha e klientelës sonë rritet, edhe për shkak të të ardhurave më të mëdha të disponueshme, por edhe për ndjeshmërinë më të madhe të konsumatorit për të kërkuar produkte të sigurta. Për këtë arsye, Conad ka një trend të vazhdueshëm në rritje. Në vitin 2018, xhiroja vjetore krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 është rritur me 14%.
Cilat janë disa nga vështirësitë që hasni si kompani dhe disa nga problematikat e tregut?
Në Shqipëri, aplikohet TVSH 20% mbi gjithçka. Ndërkohë që në Itali dhe në të gjitha vendet e Europës Perëndimore, TVSH-ja për produktet ushqimore është nga 4% deri në 12%. Në qoftë se do të bënim një llogaritje të thjeshtë, produktet që ne importojmë nga Italia, në tregun tonë kanë një çmim më të lartë, afërsisht 12% më shumë, vetëm si efekt i TVSH-së, pa llogaritur kostot logjistike apo taksat doganore. Shumica e produkteve (mbi 80%) vjen nga Italia (pra nga BE), ku zbatohen kontrolle rigoroze në lidhje me normativat higjieno-sanitare.
Importet tona, për të respektuar legjislacionin shqiptar (identik me atë të Bashkimit Europian), u nënshtrohen sërish kontrolleve higjieno-sanitare, duke shkaktuar përveç kostove monetare të kontrolleve, edhe humbje kohe të padobishme për kryerjen e procedurave të kontrollit. Sipas këndvështrimit tonë, duhet të ketë thjeshtim të kontrolleve, duke u limituar vetëm në rastet kur evidentohen parregullsi. Një aspekt tjetër kritik për ne është konkurrenca e padrejtë, që do të thotë mungesa e respektimit të Ligjit mbi Ushqimin (etiketat, afatet e skadencës dhe kushtet e ruajtjes së produkteve ushqimore), nga shumë prej konkurrentëve tanë.
Conad përballon kosto të larta për të zbatuar legjislacionin shqiptar. Nëse të tjerët nuk e bëjnë, kjo do të thotë që ata do të kenë më pak kosto. Për këtë arsye, do të jenë në gjendje të shesin me çmime më të ulëta, që do të thotë për ne, pikërisht, konkurrencë e pandershme. Është rritur angazhimi i autoriteteve shqiptare për të normalizuar tregun. Ne e kuptojmë se pajtueshmëria me ligjin do të krijonte probleme për ekonominë informale (e përbërë nga shumë biznese të vogla, shpesh me dimension familjar), por duhet të shtohet vëmendja edhe për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
Kjo është një detyrë e politikës dhe jemi të sigurt se do ta gjejë vijën e mesme, duke shpresuar ta bëjë këtë në një kohë të shkurtër, sepse shëndeti është një e mirë që nuk mund të ndërmjetësohet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.