Së shpejti do të publikohet një mënyrë e re në vlerësimin e ekonomisë, e cila, me kalimin e kohës, do të ketë ndikim të thellë dhe të dukshëm pozitiv ndaj politikës ekonomike dhe politikës, shkruan Steve Forbes.*
Statistika quhet Produkti Bruto (GO) dhe do të publikohet nga Zyra e Analizës Ekonomike (vendosur në kuadër të Departamentit të Tregtisë), i cili gjithashtu bën publike shifrat e PBB. Të dy do të bëhen të njohur çdo tre muaj.
Pse është GO një çështje kaq e rëndësishme? Për shkak se e vlerëson ekonominë në një mënyrë shumë më të plotë dhe të saktë. Prodhimi i brendshëm Bruto (PBB) përfaqëson vlerën e të gjitha produkteve dhe shërbimeve përfundimtare. Ai injoron të gjithë hapat që nevojiten në realizimin e këtyre gjërave. Është sikur të shikosh kutinë e kartonit të qumështit dhe të mos konsiderosh asgjë që mori pjesë në krijimin e atij qumështi dhe të marrësh kutinë e kartonit në raftin e dyqanit.
PBB, në këtë mënyrë, jep një pasqyrë të shtrembëruar të ekonomisë. Sa herë lexojmë ne se konsumi përfaqëson 70 për qind të ekonomisë dhe si rrjedhojë është i rëndësishëm në ‘nxitjen e kërkesës’ duke rritur shpenzimet qeveritare?
Për të llogaritur PBB-në, shpenzimet e qeverisë caktohen të përfaqësojnë 20% të ekonomisë, investimet vetëm 13%. (Çuditërisht, importet llogariten si një shifër negative për ekonominë dhe zbriten 3% nga PBB. Proteksionistët e dashurojnë këtë absurditet).
GO llogarit të gjithë hapat e ndërmjetëm në realizimin e produkteve dhe shërbimeve. Rezultatet janë mahnitëse: Konsumi është 40% i ekonomisë, jo 70%, shpenzimet e qeverisë zbresin në 9% dhe shpenzimet e biznesit arrijnë në 50%.
Kjo statistikë e re do të reflektojë më mirë paqëndrueshmërinë në ulje-ngritjet e aktivitetit ekonomik. Recesioni i viteve 2007-‘09 ishte më i thellë se sa reflektuan shifrat e PBB-së, rimëkëmbja disi më e mirë.
Ekonomisti i shquar Mark Skousen ka kohë që kërkon për një mënyrë më të saktë në matjen e ekonomisë dhe kështu meriton një ‘Nobel’ për punën e tij. Skousen është i vetëdijshëm për çka do të thotë GO. Sikundër ai shkroi në ‘Forbes.com’, ‘shpenzimi i konsumatorit është kryesisht pasoja dhe jo shkaku i prosperitetit’.
GO pozicionon drejt investimet dhe biznesin aty ku i takon.
GO ka defekte. Ai nuk përfshin disa shitje në nivelet e shitjeve me shumicë dhe pakicë, për arsye që vetëm disa teologë të caktuar mund t’i duan. Kjo mënyrë llogarit ende shpenzimet e qeverisë si një shifër pozitive plus në vend të një negative. Megjithatë, GO është një hap i madh përpara për botën.
Debati ekonomik tanimë do të ketë një fokus më të mirë. Kejnsianistët do të çirren dhe ulërasin, teksa fokusi i tyre i kërkesës do të duket qesharak dhe i gabuar.
Si përfundim, rezultati do të jetë politika më të ndjeshme të taksave.