Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) u rrit me 3.7 pikë gjatë tremujorit të parë të vitit 2018, duke vijuar të mbetet mbi mesataren afatgjatë të tij, raportoi Banka e Shqipërisë. Rritja e TNE-së, rreth nivelit 117.0, reflektoi përmirësimin e besimit në sektorët e tregtisë, të shërbimeve dhe të industrisë. Në të kundërt, besimi në sektorin e ndërtimit dhe besimi i konsumatorëve shënuan rënie në tremujorin në analizë.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në sektorin e ndërtimit është konstatuar rënie e balancës së kontratave të porosisë, duke reflektuar njw kwrkesw mw tw ulwt. Nga ana tjetër edhe konsumatorët kanë ulur blerjet e mëdha.
Pesimizëm në ndërtim
Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) vijoi të bjerë gjatë tremujorit të parë, duke rezultuar 1.4 pikë përqindje më poshtë nivelit të shënuar në tremujorin e mëparshëm. Si rrjedhojë, TBN-ja qëndron rreth 6.7 pikë përqindje nën mesataren historike të saj. Niveli më i ulët i TBN-së u përcaktua nga rënia e balancës së kontratave porositëse me 2.8 pikë përqindje, ndërsa balanca tjetër formuese e treguesit, aktiviteti ndërtues, qëndroi pothuajse në të njëjtin nivel si një tremujor më parë. Balancat e tjera të vrojtimit, si gjendja financiare, punësimi dhe pritjet për të në tremujorin e ardhshëm, shënuan gjithashtu rënie. Bizneset në këtë sektor vlerësohet të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre prodhuese me një shkallë rreth 63.0%, e cila qëndron 1.0 pikë përqindje nën mesataren historike të saj. Megjithatë, kjo normë e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi më e lartë, si krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ashtu edhe me të njëjtën periudhë një vit më parë (përkatësisht me 3.7 dhe 0.9 pikë përqindje).
Industri mbi mesataren historike
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) u rrit me 2.4 pikë përqindje, gjatë tremujorit të parë të vitit 2018. Kjo dinamikë e zhvendosi treguesin rreth 10.2 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Rritja e TBI-së pasqyroi përmirësimin e të tre balancave përbërëse të tij: prodhimit, me 4.8 pikë përqindje; gjendjes së inventarëve, me 1.5 pikë përqindje2; dhe kontratave porositëse, me 0.9 pikë përqindje. Edhe balancat e tjera, si kontratat porositëse nga eksportet, gjendja financiare dhe pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, u rritën. Ndërkohë, balanca e pritjeve për ecurinë e prodhimit në tremujorin e ardhshëm mbetet në të njëjtin nivel me tremujorin e mëparshëm. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi rreth 72.3%, duke qenë pothuajse në nivelin e shënuar në të njëjtin tremujor një vit më parë dhe rreth normës së mesatares historike të saj. Kundrejt tremujorit paraardhës, kjo normë shënoi një rënie të lehtë me 1.0 pikë përqindje.
Shërbimet pozitive
Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) vazhdoi tendencën rritëse edhe gjatë tremujorit të parë. TBSH-ja qëndron 3.6 pikë përqindje më lart nivelit të tremujorit të mëparshëm dhe rreth 20.0 pikë përqindje mbi mesataren historike të ti. Përmirësimi i treguesit pasqyroi rritjen e balancës së kërkesës me 8.5 pikë përqindje. Në të kundërt, balanca tjetër formuese e TBSH-së, ecuria e biznesit, ra me 1.2 pikë përqindje. Rënie shënuan edhe balancat e tjera të vrojtimit si: gjendja financiare, punësimi, si dhe pritjet për kërkesën dhe për punësimin në tremujorin e ardhshëm. Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi në 75.8%, rreth 5.2 pikë përqindje më lart nivelit të shënuar në tremujorin e mëparshëm dhe mbi mesataren historike të treguesit. Megjithatë, kjo normë mbetet nën nivelin e shënuar në të njëjtin tremujor një vit më parë.
Tregtia me rritje
Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) u rrit me 6.8 pikë përqindje gjatë tremujorit të parë. Kjo dinamikë rritëse e zhvendosi treguesin sërish mbi mesataren historike të tij, me 5.7 pikë përqindje. Ecuria e përmirësuar e TBT-së reflektoi rritjen e të dy komponentëve të saj formues: balancës së ecurisë së biznesit, me 7.0 pikë përqindje, dhe balancës së pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, me 6.6 pikë përqindje. Edhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi rritje me 4.0 pikë përqindje gjatë tremujorit në analizë, duke qëndruar rreth 71.2%. Kjo normë rezulton lehtësisht mbi nivelin e shënuar të njëjtën periudhë një vit më parë, por mbetet 5.2 pikë përqindje nën mesataren historike të saj. Ndërkohë, balanca të tjera të vrojtimit, si gjendja financiare, punësimi në tremujorin në analizë dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm, shënuan rënie.
Besimi konsumator në rënie, nuk ka blerje të mëdha
Treguesi i besimit konsumator (TBK) ra për të dytin tremujor radhazi, me 1.6 pikë përqindje. Megjithatë, TBK mbetet rreth 1.4 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Ecuria e TBKsë u ndikua kryesisht nga rënia e balancës së blerjeve të mëdha (-5.3 pikë përqindje), në një masë më të vogël nga rënia e balancave të situatës së përgjithshme ekonomike të pritur në vend (-0.7 pikë përqindje) dhe e situatës së të ardhurave dhe shpenzimeve (-0.2 pikë përqindje). Ndërkohë, balanca tjetër përbërëse e TBK-së – situata financiare e pritur e familjes – qëndroi pothuajse në të njëjtin nivel si tremujori i mëparshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.