Brexit ndodhi! Britanikët vendosën të dalin jashtë Bashkimit Europian. Çfarë do të ndodhë pas kësaj? Përgjigjja e kësaj pyetjeje e ka çmimin, po aq sa kostot që do të krijojë ky vendim si në Britani, edhe në BE. Vetëm pak orë pasi u mësua rezultati, paundi britanik u zhvlerësua menjëherë deri në 6%. Tregjet europiane dhe aziatike u zunë në panik. Kuotat në bursa zbritën në nivelin e vitit 2008, kur Eurozona ra në krizën më të thellë financiare që pas Luftës së Dytë Botërore. Rënia në këtë pikë i bën afërmendsh edhe më të parashikueshme pasojat, por edhe kostot që duhen për të rikuperuar dhe që për shumë ekspertë dhe institucione ndërkombëtare e qeveri, megjithëse mbeten të paqarta në detajet e tyre, do të jenë të larta. Shumë gjëra do të varen se si do të menaxhohet faza tranzitore deri në shkëputjen përfundimtare që mund të zgjasë nga 2 deri në 10 vjet. Megjithatë, kryeministri i dorëhequr Cameron menjëherë pas referendumit, tha se është shumë e rëndësishme që vendi të ruajë stabilitetin financiar.
Që kostot për Britaninë dhe BE mund të jenë të mëdha, kjo bëhet e bindshme edhe nga fakti se të gjitha sondazhet e biznesit tregojnë se ata nuk kanë qenë pro daljes dhe më mirë se ata nuk ka kush t’i dijë përftimet, ndaj edhe humbjet kuptohen, ndonëse do të duhen kohë.
Nga ana tjetër, BE mori një goditje të fortë. Së pari, politike, pasi shkëputja e Britanisë fut në krizë ekzistencën e unionit në vetvete dhe mënyrën sesi është qeverisur deri tani ky union, i cili dështoi në lidhje me emigrantët dhe krizën financiare, çka solli edhe rritje të votës kundër të britanikëve. BE-së tani do t’i mungojnë një nga fuqitë më të mëdha ekonomike. Buxhetit të saj do t’i mungojnë 7 miliardë euro në vit, kontribut i Britanisë.
Së dyti, do të riformatohen të gjitha rregullat dhe marrëveshjet tregtare, çka lë shumë shteg për paqartësi dhe kriza të tjera të mundshme. Sepse edhe në shtetet shtyllë të BE-së si Gjermania, Franca, Italia, besimi te BE ka nënë në shkallën më të ulët, siç tregon revista “The Economist”. Prodhimi kombëtar i BE-së në rang global është më i ulët se ai i vendeve të Komonuelth (vendet që kanë qenë pjesë e perandorisë britanike), ndaj shkëputja e rëndon shumë rritjen e ardhshme ekonomike, e që fatkeqësisht po i ndodh BE-së në pikën e kthesës së saj të ringritjes. Të gjitha agjencitë e specializuara parashikojnë një rënie të PPB-së së euros dhe Britanisë, deri në 5%.
Kjo panoramë aspak shpresëdhënëse do të mund të ketë efekte negative edhe për Shqipërinë, ndonëse është një vend periferik dhe larg BE-së në integrim. Së pari, do të jetë emigracioni, veçanërisht ai nga Britania, të cilët do të rrisin dozën e kursimit e do të dërgojnë më pak para drejt Shqipërisë. Së dyti, efekti i punësimit. Trendi në rritje i kërkesës për vende si Shqipëria nga vendet e BE-së mund të bjerë. Kursi i këmbimit është një faktor i cili mund të ndikojë në llogaritë rrjedhëse të qeverisë. Sikundër ndodhi me krizën e 2008-s, kërkesa europiane për produktet shqiptare do të bjerë. Kjo do të fusë tregtinë, investimet e huaja, por dhe kapitalin në një kurbë tkurrje, e cila potencialisht risjell edhe një herë panoramën e krizës së kaluar edhe për ekonominë shqiptare.
Po a mund të ndikojë që largimi i Britanisë nga BE-ja të ngadalësojë edhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, i cili për ne është edhe një mekanizëm i fortë i konvergjencës në të ardhurat reale? Ndoshta po sepse energjia dhe vëmendja e Brukselit do të jetë e përqendruar nga boshllëku i madh që krijon Britania, Shqipëria sado e mirë të jetë, kurrë nuk e mbush këtë grup. Ndoshta largimi mund të jetë një reflektim i politikës europiane për të konsoliduar pozitat dhe për pasojë, të thërrasë “nën armë” edhe vende si Shqipëria. Këto janë pikëpyetje të mëdha, të cilat do të kërkojnë shumë energji dhe kapital të shtuar për t’u administruar e pozitivitet, jo vetëm nga BE dhe Britania, por edhe Shqipëria, për aq sa i takon asaj.
Ndaj “kryqëzojmë gishtat” dhe lutemi që të mos ndodhë ajo që shqiptarët rëndom bëjnë humor: “Se Shqipëria do të jetë në BE, kur të gjithë do të dalin prej saj”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.