Filip Gjoka, kryetari i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike Shqiptare, thotë se eksportet po zgjerohen me ritme dyshifrore pasi kërkesa botërore për bimët mjekësore është në rritje, por tregu po vuan pasojat e mungesës së organizimit.
Rënia e çmimit të sherbelës në mbi 100% në tregun ndërkombëtar ka vënë në vështirësi eksportet tha Gjoka, por rritja e gamës së produkteve që eksportohen i ka mbajtur shitjet në trend rritës. Ai tha se tregu u deformua nga kultivimi i sherbelës jocilësore, por shoqata i drejton fermerët në kultura si kultivimi i çajit të malit, melisës, rigonit me vaj sipas kërkesës së tregut dhe në bazë të kontratave.
Si ka qenë ecuria e industrisë së bimëve mjekësore vitet e fundit?
Që nga viti 2011 dhe në vijim, tregu është në trend rritës. Megjithëse nga 2016 e deri tani, aktualisht ka një rënie me 70% të çmimit të sherbelës në tregun ndërkombëtar, e cila zë një vend të madh në totalin e eksportit dhe rënia i ka ndikuar negativisht.
Me gjithë këtë rënie të çmimeve në tregjet e jashtme, eksporti i bimëve mjekësore pa një rritje me 11% për vitin 2016. Në vitin 2016, eksportet shënuan 3,4 miliardë lekë, ose sa 70% e vlerës së eksporteve të viteve 1990. Kjo do të thotë se tregu ka hapësira për zhvillim të mëtejshëm.
Çmimet në tregun ndërkombëtar kanë pësuar rënie për shkak të superprodhimit, por eksporti vijon të rritet, pasi përveç sherbelës janë edhe 87 artikuj në tregun e eksportit që po mbajnë trendin rritës. Në vitin 2008, eksportet e bimëve mjekësore nuk ishin më shumë se 5 milionë euro, teksa sot janë mbi 23 milionë euro.
Disa eksportues pohojnë se kultivimi i bimëve në fushë po dëmton imazhin e mirë të bimëve të egra. Si mendoni ju?
Para tre vitesh kishte një kërkesë të madhe për sherbelë, ndaj interesi i grumbulluesve u zhvendos edhe te kultivimi. Mirëpo përdorimi i farës holandeze të prodhuar në laborator e rriti rendimentin, por prishi brandin autokton shqiptar. Dhe duke parë këtë fenomen, të huajt nisën të ndryshonin destinacionin e importit. Ky fenomen tashmë është eliminuar, por vijon të mbetet problem mosorientimi i duhur i fermerëve.
A ka shanse për ta përmirësuar situatën?
Shoqata jonë ka plane konkrete në këtë drejtim. Qëllimi ynë është që të drejtojmë fermerët në kultura si në kultivimin e çajit të malit, melisës, të rigonit me vaj të lartë, të shtogut, kamomilit. rozmarinës etj., por prodhimi do të orientohet sipas tregut.
Vitin që vjen, bashkimi i operatorëve synon rritjen e eksporteve me 10% dhe ruajtjen e bimëve të cilat janë në zhdukje. Mbi të gjitha do të vendosim një konkurrencë të drejtë, kufij dysheme për çmimet e eksportit.
Cilat janë mundësitë për rritje të mëtejshme të sektorit?
E para është përmirësimi i produktit në eksport. E dyta, rritja e sasive në eksport e bimëve organike, ku potenciali i vendit shfrytëzohet në vetëm 10% të kapaciteteve që kemi.
Por, nga tjetër, shtimi i sipërfaqeve të kultivuara duke rritur gamën e shumëllojshmërinë e bimëve, duke ju përshtatur kërkesave të tregut është një mjet tjetër për rritjen e tregut.
Nëse Shqipëria merr asocimin në BE, shumica e kompanive në eksport do të kenë mundësi të rrisin teknologjinë në përpunim, pasi 80% e produkteve shiten si lëndë e parë.
Me çfarë vështirësish po përballet biznesi i bimëve mjekësore?
Plakja e popullsisë dhe emigracioni janë probleme të mëdha që nuk po marrin trajtimin e duhur. Është zbrazur popullsia e zonave malore pikërisht ku janë bimët e egra.
Nuk ka kush t’i grumbullojë. Vështirësitë e tjera lidhen me mungesën e kontratave në treg dhe orientimin jo shumë të drejtë të fermerëve për kultivimin. Duhet të orientohen kultivuesit për farat dhe t’u sigurohet tregu më parë se ata të nisin kultivimin, pasi tregu ende vuan nga konkurrenca e pandershme dhe çmimet shpeshherë abuzive.
Çfarë do t’i këshillonit qeverisë se re për të përmirësuar klimën e biznesit në sektor?
Cilado qeveri që do të vijojë me të njëjtat fonde ka pak shanse që të zhvillojë më tej si industrinë e bimëve mjekësore, si dhe sektorë të tjerë të agropërpunimit.
Duhen politika në drejtim të përmirësimit të cilësisë në lëndën e parë dhe të rriten mundësitë për përpunim në tregun vendas.
Duhet të vijojë të zbatohet ligji për eksportuesit 100% në rimbursimin e TVSH-së në afatin 30-ditor. Duhet të ulen kostot e skanimit. Koncesioni ka rritur kostot për sasi të vogla, duke rritur në shumë raste çmimin në 15 lekë për kilogram. Unë paguaj për skanimin si për një kamion sherbelë dhe po kaq për një bidon esence. Këto tarifa jologjike duhet të hiqen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.