Pasiguritë që ofroi Turqia si pasojë e sulmeve terroriste dhe përpjekjes për grusht shteti këtë vit e kanë riorientuar ofertën turistike drejt rajonit tonë, ku përfituese është edhe Shqipëria. Hotelet e mëdha në zonat kryesore turistike në vend pohojnë se kanë mbyllur prenotimet për verën e 2017-s, teksa investitorë të rinj po tentojnë të kapin momentin dhe investimet në hotele po kthehen në tendencën e momentit.
Nga Blerina Hoxha
Kroacia do të hapë të paktën 7 resorte luksoze në verën e vitit 2017, me një vlerë investimi prej 300 milionë eurosh, ndërsa Mali i Zi dy të tilla për turistët që do të vijnë gjatë verës së ardhshme. Dhjetëra të tjera do të nisin shumë shpejt punimet të cilat do të përfundojnë vitet e mëvonshme. Rikthimi i vrullshëm i investimeve në rajon po vjen për shkak të pasigurive që po jep Turqia nga sulmet terroriste, të cilat pritet të orientojnë ofertën drejt vendeve të tjera të Mesdheut. Vendet e Ballkanit kanë “përveshur mëngët” për të përfituar sa më shumë nga “torta e turizmit” që po shkëputet nga Turqia, por Shqipëria duket se është kapur në “flagrancë”.
Hotelet shqiptare, që një muaj më parë, janë përballur me prenotime jo të zakonshme për pushimet e verës 2017. Turistët çekë, polakë dhe sllovakë duket se janë shtuar dukshëm për verën e 2017. Menaxherët e Rafaelo Resort në Shëngjin thanë se gati gjysma e kapaciteteve, rreth 130 dhoma, janë tashmë të prenotuara nga agjencitë çeke dhe polake, duke pohuar se kërkesa këtë vit është dukshëm më e lartë. Të njëjtën tendencë pohuan edhe menaxherët e hoteleve të mëdha në zonën e Durrësit, Dolce Vita dhe Fafa Resort.
Por duket se hotelet dhe bujtinat shqiptare do të jenë të vetme në këtë rrugëtim, pasi qeveria shqiptare nuk e ka në strategjinë e saj të zhvillimit të turizmit ndërtimin e resorteve, edhe pse ka burimet natyrore, plazhin, malet dhe liqenet më të bukura në rajon për t’i zhvilluar ato.
Në vend të resorteve, që do t’i sillnin turizmin elitar dhe shtresat e mesme të Europës, bregu i Shqipërisë, perla e Jugut, po mbushet me fshatra turistikë që nuk kanë asnjë vlerë të shtuar në ekonomi. Këtë vit, të ardhurat nga turizmi në Turqi ranë me 12 miliardë dollarë. Sikur Shqipëria të kishte kapacitete akomoduese të bazuara në resorte për të gjitha kategoritë e klientëve si në vendet e tjera të rajonit do të fitonte një pjesë nga oferta turistike e Turqisë.
Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, Zak Topuzi, thotë se me kapacitetet aktuale, Shqipëria është totalisht e paaftë t’i përgjigjet një oferte surprizë. Hotelet shqiptare nuk po i bëjnë dot ballë edhe kërkesave normale, jo më një fluksi të papritur. Nga ana tjetër, disa biznese shqiptare kanë nuhatur zhvillimet në sektor dhe po mundohen individualisht të përfitojnë. Vas Tours, një nga agjencitë më të mëdha në vend për turistët e huaj që vijnë në Shqipëri, është duke ndërtuar një hotel në plazhin e Adriatikut, i cili do të operohet në kuadër të kërkesave në rritje për të pushuar vitin tjetër në Shqipëri. Gjithashtu, disa investitorë të sektorit të ndërtimit, po orientohen në shërbimet e turizmit për t’u përshtatur me kërkesat e kohës. Irfan Hysenbelliu do ta kthejë Mak Albanian në Durrës në një resort turistik të standardeve luksoze, të ngjashme me modelet turke të këtyre niveleve. Instinktet e biznesit për mundësi të reja fitimi shkojnë gjithnjë para qeverisë, por më pas këto të fundit e krijojnë infrastrukturën e nevojshme për t’i mbështetur ato.
Tendenca
Vas Tours, një nga agjencitë më të mëdha në vend për turistët e huaj që vijnë në Shqipëri, është duke ndërtuar një hotel në plazhin e Adriatikut, i cili do të operohet në kuadër të kërkesave në rritje për të pushuar vitin tjetër në Shqipëri. Gjithashtu, disa investitorë të sektorit të ndërtimit, po orientohen në shërbimet e turizmit për t’u përshtatur me kërkesat e kohës. Irfan Hysenbelliu do ta kthejë Mak Albanian në Durrës në një resort turistik të standardeve luksoze, të ngjashme me modelet turke të këtyre niveleve. Instinktet e biznesit për mundësi të reja fitimi shkojnë gjithnjë para qeverisë, por më pas këto të fundit e krijojnë infrastrukturën e nevojshme për t’i mbështetur ato.
Hysenbelliu Group diversifikohet në turizëm
Pas maturimit të sektorëve të tregtisë, ndërtimit dhe plogështisë që po tregon industria e rëndë, investitorët vendas po shohin perspektivën nga turizmi. Për shkak të bukurive natyrore ende të paprekura deri diku dhe perspektivës së kërkesës gjithnjë e në rritje, grupet e mëdha të biznesit tashmë të formësuara po shkojnë drejt turizmit. Së fundmi, Hysenbelliu Group synon të shndërrojë Mak Albanian, një hotel ekzistues në zonën e malit të Robit, në një nga resortet më luksoze të Ballkanit.
Presidenti Irfan Hysenbelliu shpjegoi se, kërkimet e tregut treguan për një kërkesë në rritje për shërbimet turistike në Shqipëri. Ky fakt dhe perspektiva që ka sektori për t’u shndërruar në industri i kanë orientuar investimet e kompanisë drejt turizmit, tha zoti Hysenbelliu.
Dikur njihej me emrin Mak Albania, por tashmë është bërë pjesë e Hysenbelliu Group dhe mban emrin Prestige Holiday Resort, me vendndodhje në Golem, buzë detit Adriatik. Shtrihet në një nga plazhet më të bukur në Shqipëri. Ky kompleks turistik u përurua në vitin 1998. Për shumë vite, ky resort turistik, i konceptuar me vila të vogla, ka qenë destinacioni më i frekuentuar në vend. Në vitin 2014, kompleksi u ble nga grupi Hysenbelliu Group. Pas një rikonstruksioni total të ambienteve të mëparshme dhe pas një rikonceptimi modern, Prestige Holiday Resort synon të jetë destinacioni turistik më i frekuentuar në rajon.
Hysenbelliu tha se në verën e vitit 2017, hoteli do të funksionojë me një kapacitet akomodues me 150 dhoma, me perspektivë zgjerimi në 700 dhoma. Synimi është për tërhequr turistët elitarë me paketa gjithëpërfshirëse. Teksa rikonstruksioni i hotelit është drejt fundit bashkë me një park të madh ujor, po diskutohet mënyra se si do të veprohet. Hysenbelliu thotë se gjasat janë që edhe menaxhimi i resortit të bëhet nga grupi i tij.
Për të mbështetur biznesin vendas në këtë rrugëtim, Hysenbelliu thotë se qeveria, së pari duhet të krijojë një sistem fiskal të përshtatshëm dhe konkurrues. Tatimi mbi fitimin duhet të kthehet në nivelin e 10% aq sa e kanë edhe fqinjët tanë Maqedonia dhe Mali i Zi. Barra e lartë fiskale nuk e bën vetëm biznesin jokonkurrues për të gjithë ekonominë, tha Hysenbelliu.
Gjithashtu, burimet nga agjencia e udhëtimeve Vas Tours, bënë me dije se ka një rritje të kërkesës për pushime në Shqipëri. Për të përfituar nga momenti, Agjencia ka nisur ndërtimin e një hoteli në bregun e Adriatikut. Vitin e kaluar, zoti Mehmeti regjistroi në QKR, kompaninë Premier Group, e cila do të ketë objekt ndërtimin e hoteleve dhe fshatrave turistikë. Hoteli është duke u ndërtuar në Kryemëdhenj në Zonën e Kavajës.
Me këtë investim, Mehmeti krijoi ciklin e mbyllur në biznesin e turizmit duke qenë se operon në shërbimet e udhëtimit që nga viti 1994.
Hotelet pohojnë rritje kërkese për vitin 2017
Hotelet në plazhet kryesore të vendit pohuan se ka një rritje të kërkesës për të pushuar në Shqipëri verën e ardhshme. Vala e prenotimeve ka ardhur nga Çekia, Polonia dhe Sllovakia.
Zef Pemati, një nga menaxherët e Rafaelo Resort, me kapacitet akomodimi mbi 2000 persona në natë, thotë se gati gjysma e kapaciteteve të hotelit është prenotuar nga agjencitë çeke dhe sllovake. Pemati tha se verën e shkuar, resorti aplikoi paketën të gjitha të përfshira “all inclusive” kundrejt një çmimi 35 euro në ditë. Duket se përfitimet nga produktet kanë qenë të mira për të dyja palët. Duke pasur ofertën e garantuar, fitimi ka qenë i sigurt dhe gjithashtu, përderisa prenotimet janë bërë për verën e ardhshme, vizitorët kanë mbetur të kënaqur. Pemati pohon se, rritja e kërkesës për të pushuar në Shqipëri po vjen edhe për shkak të pasigurisë që po shfaq Turqia. Ai pohoi se agjencitë e Europës Lindore kanë shtuar interesin për prenotime në Shqipëri. Pas një reklame pozitive që i është bërë vendit nga mediat prestigjioze ndërkombëtare, të huajt kanë rritur preferencat për pushime në Shqipëri. Pemati tha se çmimet e ulëta e bukuritë natyrore janë ato që tërheqin dhe me të cilat Shqipëria konkurron aktualisht me rajonin. Për më tepër, ai shpjegon se tashmë resorti Rafaelo ka krijuar një traditë dhe klientelë të vazhdueshme, të cilat bëjnë prenotime vit pa viti.
Menaxheri i hotelit Dolce Vita në Durrës, një nga më të mëdhenjtë në brigjet e Adriatikut, pohoi se pothuajse i gjithë kapaciteti është prenotuar që javën e kaluar. Ai pohoi se prej tre-katër vitesh ka një kërkesë në rritje për të pushuar në Shqipëri, por për verën e ardhshme, kërkesa ka qenë e lartë. Ai pohoi se Çekia, Sllovakia, Polonia, madje edhe Ukraina kanë rritur prenotimet në Shqipëri. Hoteli ka një kapacitet akomodues 280 persona dhe tashmë pothuajse është zënë. Menaxherët thanë se po u përshtaten edhe kërkesave të agjencive të huaja, duke ofruar paketa të posaçme.
Të njëjtën tendencë pohuan edhe menaxherët e hotelit Fafa në zonën e malit të Robit. Menaxheri tha se, kërkesa këtë vit nga agjencitë e huaja është më e lartë. Ndaj, për të përfituar vlera më të larta nga kërkesa në rritje, ambientet e hotelit janë restauruar totalisht, si nga brenda dhe nga jashtë. Ai tha se pjesa më e madhe e prenotimeve janë bërë nga turistët çekë dhe polakë. Menaxheri shtoi se hoteli ka nisur të ofrojë paketat all inclusive dhe ka investuar edhe në përmirësimin e shërbimit.
Edhe menaxheri i Divjaka Resort, në zonën e Divjakës, konfirmoi një rritje të kërkesës këtë vit. Ashtu si dhe menaxherët e hoteleve të tjera, ai pohoi se pjesa më e madhe e kapaciteteve është e zënë nga agjencitë çeke dhe polake. Përveç çmimeve të ulëta, Divjaka tërheq edhe dashamirësit e shpendëve.
Kroacia dhe Mali i Zi i paraprijnë situatës
Mali i Zi dhe Kroacia po rinisin investimet në turizëm me disa resorte të mëdha që pritet të përurohen verën e ardhshme, me qëllim që të marrin një pjesë të ofertës turistike që po shmang Turqinë. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Turizmit në Kroaci, sezoni 2017 i turizmit do të jetë një nga më të mirët për shkak të angazhimit të investimeve të mëdha.
Ministria e Turizmit ka konfirmuar se rreth 50 projekte të mëdha do të përfundojnë deri në fillim të sezonit të ardhshëm.
Bëhet fjalë për 50 hotele të reja në bregun kroat, nga të cilat 7 janë projekte strategjike dhe 12 janë kandidate për t’u kualifikuar si të tilla. Kroacia do të shfrytëzojë territoret që dikur kanë qenë në përdorim nga ushtria, të cilat do të vihen në shërbim të turizmit, konfirmoi pak kohë më parë ministri i Turizmit, Anton Kliman.
Sipas listës së investimeve, vlera e projekteve që përfundojë për sezonin 2017 është mbi 300 milionë euro. Kompanitë e ndërtimit në Kroaci kanë vendosur t’i përqendrojnë investimet në fushën e turizmit, pasi kanë kuptuar se ky është sektori më i mirë aktualisht për të bërë të ardhura. Kroacia ka konfirmuar se vitin e ardhshëm do të mund të angazhohen në sektorin e turizmit më shumë se 500 milionë euro investime private, vendase dhe të huaja.
Një nga projektet më interesante është West Gate Split, i dyti Marriott.
Istrias Maistra në Rovinj është një tjetër investim 58 milionë euro. Një investim tjetër është duke u bërë në kompleksin turistik Romana, me vlerë 50 milionë euro. Kompania Valamar ka bërë të ditur se ka në plan të investojë deri në vitin 2020 rreth 2 miliardë kuna në ngritjen e cilësisë së ofertës në Rabac. Kompania Family Life Resort në Rabac do të investojë 25.8 milionë euro nga viti i ardhshëm, për të rrumbullakosur investimin në 60 milionë në vitin 2018, duke pasur qëllim të tërheqë një numër sa më të madh turistësh. Mirëpo teksa këto investime të mëdha janë në përfundim, autoritetet kroate duhet të gjejnë 30 mijë persona për të punuar në hotelet e reja.
Në të njëjtën linjë është edhe Mali i Zi. Azmont Investment, një filial i Azerbaijan Global Investments (AGI) përfundoi këtë vit fazën e parë të investimit në Malin e Zi ku u ndërtuan dhe u shitën 113 prona në resortin luksoz në Portonovi në Mal të Zi me vlerë 650 milionë euro.
Njoftimet zyrtare nga Ministria e Turizmit të Malit të Zi bëjnë me dije se resorti i Portonovit do të shtrihet në një sipërfaqe prej 26 hektarësh. Në të do të ngrihet hoteli luksoz One&Only, 290 shtëpi, apartamente dhe vila. Në pjesën e portit parashikohet të ankorohen 220 super jahte, klube, Spa dhe restorante.
Në dhjetor të 2015-s, Azmont deklaroi nënshkrimin e një marrëveshjeje 305 milionë euro me kompaninë Impresa Pizzarotti & C.S.P.A për ndërtimin e resortit. Azmont së fundi hapi edhe një bankë në Podgoricë. Kompania azere ka lidhje me kompaninë Socar, e cila është aksionerja kryesore e gazsjellësit TAP. Mësohet se azerët e Azmont janë interesuar fillimisht që të ndërtojnë resortin në Shqipëri. Hoteli One&Only pritet të bëhet funksional në verën e vitit 2017.
Gjithashtu Mali i Zi është duke kthyer në një parajsë turistike ishullin famëkeq që përdorej që në kohën e Musolinit si burg. Me një diametër prej vetëm 200 metrash, ishulli i pabanuar shkëmbor Mamula ndodhet në gjirin e Kotorrit, në kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë në të cilin ndodhet edhe një kala e shekullit të 19. Ishulli që shërbeu si burg gjatë regjimit fashist për 2300 persona tani do të kthehet nga autoritetet malazeze në një resort luksoz.
Qeveria malazeze ka ndezur dritën e gjelbër për këtë projekt për ta transformuar Mamulan në një vendpushim plot me pishina, jahte, Spa, restorante dhe salla vallëzimi.
Ishulli i është dhënë me qira për 49 vjet kompanisë zvicerano-egjiptiane Orascom, me çmim nominal prej 1.64 USD për metër katror. Orascom ka pohuar se rinovimi i Mamula do të respektojë peizazhin, arkitekturën ekzistuese dhe do të ruajë tërësisht vlerën historike të ishullit.
Turqia humb 12 mld USD të ardhura nga turizmi këtë vit
Sektori i turizmit në Turqi u dëmtua këtë vit për shkak të tensioneve me Rusinë dhe një valë shpërthimesh që frikësuan turistët tradicionalë të vendit. Ekonomistët kanë parashikuar se të ardhurat nga turizmi do të bien me rreth 12 miliardë dollarë këtë vit, ekuivalente me 1.5% të PBB-së.
Numri i vizitorëve në Turqi ra 33% për gjatë vitit 2016, referoi Ministria turke e Turizmit. Turistët nga Gjermania ranë me 29%. Rënie janë regjistruar edhe nga Mbretëria e Bashkuar. Agjentët e biznesit thonë se 2016 ka qenë shumë më keq se parashikimet e pranverës. Sipas së përditshmes ‘Turke Hurriyet’, problemet aktuale kanë ndikuar jo vetëm në turizën, por edhe në bujqësi. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Antalias, Davut Cetin, tha se numri i turistëve rusë ka qenë pothuajse zero gjatë këtij viti dhe ka një rënie të konsiderueshme në numrin e të ardhurve nga Europa, kryesisht nga Gjermania, pas një serie sulmesh terroriste, të cilat kohët e fundit kanë goditur Turqinë. “Ne jemi në një pikë, e cila është shumë më e keqe se sa ajo që kishim parashikuar në skenarin tonë më të keq”, tha Cetin. Kryetari i Shoqatës së Hotelierëve Turistikë të Mesdheut (AKTOB), Jusuf Hacısüleyman, tha se industria e kishte parashikuar një humbje prej 8 miliardë USD në të ardhura në skenarin fillestar, por humbjet, sipas tij, janë më shumë se 12 miliardë dollarë.
Ai vuri në dukje se numri i turistëve europianë kanë rënë pothuajse përgjysmë në vitin 2016. Cetin tha se shumë hotele nuk do të hapen dhe rreth 80,000-100,000 vende pune u mbyllën vetëm në Antalia.
Gjatë viteve të fundit, në vend është rritur pasiguria për shkak të sulmeve vdekjeprurëse me bomba.
Turqia ka shënuar të paktën pesë sulme të mëdha me bomba që nga korriku i kaluar, kur ajo filloi një fushatë ushtarake kundër militantëve të Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK) në zonat kufitare juglindore.
Shqipëria nuk është gati për një ofertë surprizë
Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, thotë se Shqipëria nuk e përballon dot rritjen e ofertës së zakonshme me kapacitetet akomoduese që ka në dispozicion. Ai lë të kuptohet se vendi e ka të pamundur të përfitojë nga një ofertë e papritur nga rënia e preferencave për Turqinë, e cila ka dominuar turizmin në Mesdhe vitet e fundit. Ndër vite, qeveritë shqiptare nuk kanë hartuar një strategji të integruar, për të zhvilluar sektorin. Nuk ka njësi të mëdha akomodimi e, për rrjedhojë, ne nuk mund të jemi një treg i organizuar për të përballuar kërkesën e madhe dhe cilësore të turizmit europian. Topuzi tha se veç kësaj, Shqipëria ofron vetëm dy muaj shërbime për agjencitë e huaja, të cilat, në fakt, kërkojnë të paktën tetë muaj të vitit. Ai shtoi se vendi nuk ka infrastrukturën e mjaftueshme për të mirëpritur turistë të shtresës së mesme dhe të lartë nga Europa Perëndimore. Edhe për shumë kohë ne do të jemi pritës të turizmit të aventurës. Por ai tha se kjo kategori shpenzon shumë pak, teksa Shqipëria ka burime natyrore që së paku të arkëtojë 3 miliardë euro në vit të ardhura vetëm nga turizmi.
Sipas të dhënave zyrtare, mbizotërojnë hotelet me kapacitet të vogël. Mbi 80% e hoteleve të regjistruara kanë më pak se 20 dhoma dhe vetëm 7% kanë më shumë se 40 dhoma. Vetëm 30 hotele janë klasifikuar zyrtarisht (kategorizimi me yje). Duke iu referuar vendndodhjes së tyre, 80% e hoteleve ndodhen në zonat bregdetare dhe liqenore (Velipojë, Shëngjin, Durrës, Kavajë, Vlorë, Sarandë, Pogradec), 10% e hoteleve janë në Tiranë dhe 10% në zona të tjera. Shumë struktura akomodimi, veçanërisht në zonat bregdetare, menaxhohen si biznese familjare, ku dhomat u ofrohen tregjeve të turistit vendas dhe atij të pavarur. Oferta e akomodimit në zonat rurale që u shërben turistëve të natyrës është zhvilluar në mënyrë modeste. Në zonat natyrore malore janë ngritur shumë pak hotele dhe një numër i kufizuar bujtinash. Vlerësimi për vitin 2012 ishte rreth 150 bujtina në zona si Thethi, Kelmendi, Tropoja dhe Voskopoja.
Aktualisht, Ministria e Turizmit numëron 850 struktura akomodimi në të gjithë vendin, të cilat janë në proces inventarizimi me dixhitalizim. Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Turizmit, regjistri qendror është një bazë të dhënash kombëtare, që përfshin të gjithë sipërmarrjet që kryejnë veprimtari turistike sipas legjislacionit të turizmit. Kjo databazë do të shërbejë për të gjitha palët e interesuara, përfshirë institucionet shtetërore, njësitë e qeverisjes vendore, sektorin privat, zhvilluesit dhe investitorët, studiuesit, për të siguruar një informacion të detajuar mbi organizimin e industrisë së turizmit në rang kombëtar, rajonal dhe lokal. Ky regjistër do të lehtësojë procesin e planifikimit të politikave shtetërore në disa nivele, si dhe do të krijojë mundësi të reja për të siguruar bashkëpunimin mes palëve. Por gjithsesi plotësimi i Regjistrit Qendror të Turizmit do të fillojë pas nisjes së procesit të klasifikimit të strukturave turistike, licencimit të agjencive të udhëtimit dhe operatorit turistik, si dhe certifikimit të udhërrëfyesit turistik njofton Ministria.
Të ardhura nga turizmi, rritja me 6%
Shërbimet e udhëtimit, të cilat në statistikat tona, simbolizojnë të ardhurat dhe daljet valutore nga turizmi u mbyllën me një bilanc pozitiv prej 76 milionë eurosh në tremujorin e dytë të vitit, kundrejt një deficiti 11 milionë euro për të njëjtën periudhë të vitit 2014.
Shërbimet e udhëtimit zënë peshën më të madhe në të ardhurat dhe shpenzimet e shërbimeve, me përkatësisht 74% dhe 78% të totalit. Banka e Shqipërisë bëri të ditur se në periudhën prill-qershor, të ardhurat janë rritur me 6%, ndërsa shpenzimet e udhëtimit kanë pësuar rënie me 15%, kundrejt një viti më parë.
Sipas vlerësimeve të BSH, në tremujorin e dytë të 2015, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 332 milionë euro. Rritja vjetore e të ardhurave gjatë kësaj periudhe ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së numrit të vizitorëve të huaj në vend, me rreth 17%.
Ndërkohë, kanë pësuar rënie shpenzimet mesatare për person dhe ditë-qëndrimi mesatar, përkatësisht 21% dhe 5%. Nga ana tjetër, rezidentët kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit rreth 256 milionë euro ose 15% më pak se një vit më parë. Ndonëse, numri i rezidentëve që kanë udhëtuar jashtë vendit vlerësohet në rritje prej 7%, dinamika e strukturës mes udhëtimeve për qëllime biznesi dhe personale ka ndikuar që shpenzimet mesatare për person të jenë pranë të njëjtit nivel me një vit më parë. Banka e Shqipërisë ka llogaritur shpenzime mesatare ditore 76-81 euro në ditë për periudhën 2008-2010, me një ulje në 70 euro në ditë gjatë vitit 2011, çka reflekton frenimin ekonomik. Më tej, sipas “Studimit të sistemit të statistikave të turizmit” të vitit 2010, vizitorët ndërkombëtarë shpenzonin 82 euro në ditë me një kohëzgjatje mesatare prej 5 ditësh, ndërsa për turistët e argëtimit, koha mesatare e qëndrimit ishte më e shkurtër – rreth 2,8 ditë. Studimi tregon që shpenzimi mesatar në destinacionin vendor është 79 euro ose nëse detajohet: 36 euro në ditë ose 25% të shpenzimeve për akomodimin në hotel, 23% të shpenzimeve për udhëtimin dhe 19% për ushqimin. Qytetarët shqiptarë me banim jashtë vendit shpenzojnë afërsisht sa edhe qytetarët e tjerë të huaj: 77 euro në ditë, por ata qëndrojnë mesatarisht më gjatë – 10 ditë. Vizitorët vendas vlerësohet të shpenzojnë 48 euro në ditë, ndërsa për turistët nga Kosova nuk ka informacion por pritet që ata të shpenzojnë jo më shumë se turistët vendas. Që prej vitit 2001, numri i vizitorëve ndërkombëtarë në Shqipëri është rritur ndjeshëm në një nivel të përgjithshëm prej 100% duke çuar numrin e vizitorëve në 3,45 milionë në 2012. Rritja ishte veçanërisht e fuqishme nga Europa dhe Ballkani Jugor (Kosova dhe ish- Republika Jugosllave e Maqedonisë) midis viteve 2008 dhe 2012. Rruga e Kombit ka ndikuar ndjeshëm në numrin e vizitorëve, duke rritur numrin e personave që vijnë nga Kosova nga 473.422 në vitin 2009 në 1.179.327 në vitin 2010 (treguesi i rritjes 149% në vitin 2010) duke dominuar “pjesën tjetër të botës”, me rreth 1,18 milionë turistë të ardhur nga Kosova që llogariten në 49% të të gjithë mbërritjeve të turistëve ndërkombëtarë në 2010. Pas vitit 2010, numri vazhdon të rritet me rreth 260.000 në vit ose rreth 18%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.