Në një moment të caktuar të jetës, të gjithë ne e kemi thënë këtë shprehje: ‘Kjo punë po më vret’. Për fat të keq, një histori nga BBC konfirmon se ndoshta nuk është një ekzagjerim drastik.
Stresi është pjesë e pandarë e punës, por shumë kompani janë duke rrezikuar jetën e punonjësve si kurrë më parë. Pushime nga puna, punë me orë të zgjatura (ose të paparashikueshme), kushte pune jo të sigurta, sigurime të ulëta, drejtues jokompetentë janë disa nga rreziqet me të cilat përballen punonjësit në kohët e sotme.
Artikulli i BBC i referohet American Institute of Stress që pohon se “stresi në vendin e punës i kushton ekonomisë amerikane rreth 300 miliardë dollarë në vit”. Duke nisur që nga produktiviteti, xhiroja dhe ana morale e gjërave, shpenzimet shëndetësore për shkak të stresit janë tronditëse.
Janë 120,000 më shumë të vdekur në vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të politikave të dëmshme të menaxhimit, kurse shpenzimet shtesë për kujdesin shëndetësor ishin 190 miliardë dollarë në vit. Kjo do ta bënte vendin e punës shkaktarin e pestë kryesor të vdekjes, më keq se sëmundja e veshkave apo Alzheimer. Kujdesuni edhe për shëndetin dhe mirëqenien në vendin e punës, mos u përqendroni vetëm tek fitimet.
Pra, cila është përgjigjja? Ofrojuni punonjësve më shumë autonomi dhe fleksibilitet, kjo është një pikënisje e mirë. Sipas BBC, “prej dekadash, kërkimet kanë treguar se duke u dhënë njerëzve më shumë autonomi se si dhe kur ta bëjnë punën e tyre, rrisni motivimin dhe angazhimin e tyre”.
Kjo do të thotë të krijoni një kulturë që të promovojë (në mënyrë aktive) një ekuilibër të shëndetshëm mes jetës profesionale dhe asaj private. BBC përmend si shembull kompani si Patagonia, Collective Health, SAS Institute, Google, John Lewis Partnership dhe Zillow si të cilat u kanë krijuar punonjësve një mjedis të shëndetshëm pune dhe u japin ekuilibër punë-jetë.
“Njerëzit paguhen për kohën e lirë dhe duhet ta përdorin atë. Drejtuesit nuk dërgojnë email-e apo mesazhe në çdo orë: njerëzit punojnë, kthehen në shtëpi dhe kanë kohë për t’u çlodhur dhe për të rigjeneruar energjitë. Kompanitë ofrojnë strehim në mënyrë që njerëzit të kenë një jetë profesionale dhe personale. Njerëzit trajtohen si të rritur dhe kanë kontrollin në gjërat që bëjnë dhe si i bëjnë ato me përgjegjësi.
Gjëja më e rëndësishme është që kompanitë drejtohen nga njerëz që i marrin me përgjegjësi detyrimet që kanë ndaj punëmarrësve të tyre.
Natyrisht, asgjë nga këto nuk ndodh nëse drejtuesit nuk kanë ndjeshmëri dhe nuk i përdorin paratë së pari në shërbim të punonjësve të tyre. Siç thotë edhe një shprehje “Sipërmarrësit duhet të masin shëndetin e forcës së tyre të punës, jo vetëm të fitimeve”
Bizneset duhet të kuptojnë se oraret e gjata dhe kërkesat e paarsyeshme vetëm do të ulin produktivitetin e punonjësve dhe fitimet. Në vend që të vrisni punonjësit tuaj me stres, përpiquni të krijoni një kulturë pune më të ndjeshme dhe të kujdesshme që të marrë në konsideratë mirëqenien e punonjësve tuaj.
Marrë me shkurtime: BBC