Polic, bankier dhe operator ekologjik. Punët që robotët kanë mësuar t’i bëjnë

04/08/2018 10:14 AM 0 komente

A do t’i humbim vërtet vendet tona të punës, të cilat do të zëvendësohen nga robotët? Ka nga ata që thonë jo, por në disa sektorë, kjo tashmë po ndodh

Banka, dyqane e natyrisht fabrika. Bota e punës po ndryshon me shpejtësi. Hipoteza se mund të humbim punën për shkak të automatizimit duket se nuk është kaq e largët.

McKinsey vlerëson se brenda 15 vitesh, automatizimi mund të eliminojë deri në 50% të vendeve të punës. Kërkuesit e MIT, Daron Acemoglu e Pascual Restrepo, kanë llogaritur se çdo robot i ri që ka hyrë në një zyrë, bën të panevojshëm deri në 6 punonjës.

Ndërsa PwC raporton se, në Mbretërinë e Bashkuar, Inteligjenca Artificiale mund të eliminojë 7 milionë vende pune, por do të rrisë produktivitetin dhe do të krijojë 7,2 milionë vende të reja, me një ndikim pozitiv. E, nëse gjiganti kinez Foxconn, të cilit Apple i besonte prodhimin e iPhone-ve njoftoi pushimin nga puna të dhjetëra mijë punonjësve dhe 40 mijë robotë të rinj në fabrikë brenda vitit 2020, planet në afat të shkurtër tregojnë për një të ardhme që duket se është mes nesh.

Më poshtë janë disa nga punët që robotët kanë mësuar të bëjnë.

Polici AnBot

Është i gjatë 1,5 metra, peshon 78 kg dhe në vend të fytyrës ka një ekran me saktësi të lartë. AnBot është roboti-polic, “i punësuar” nga Ministria kineze e Sigurisë Publike. Sipas autoriteteve kineze, AnBot mund të patrullojë në mënyrë të pavarur dhe të mbrojë nga dhuna apo situata kaotike. Ai mund të arrijë shpejtësinë 18 km/h për të ndjekur kriminelët në arrati apo për t’iu përgjigjur situatave të emergjencave. Në Kinë, AnBot përdor të ashtuquajturin Taser, pistoleta elektrike që transmeton një shkarkesë elektrike, me synim neutralizimin e një personi.

 

Operatori ekologjik

Nuk është plotësisht personi i pastrimit në stacionin e Zhengzhou në Kinë. Roboti në shërbim të udhëtarëve kinezë ka kompetenca të ndryshme, por gjithnjë në shërbim të mjedisit. Është në gjendje të monitorojë shkallën e ndotjes, temperaturën dhe lagështirën brenda dhe jashtë trenit. Ndër të tjera, zbulon burime nxehtësie anormale, duke njoftuar shërbimet zjarrfikëse. Dhe së fundi, ai është i pajisur me disa sensorë për të zbuluar fytyra dhe ka një interes të veçantë për fëmijët, pasi falë programimit mund t’i përgjigjet disa pyetjeve.

 

Punonjësi i bankës

Shumëkush prej nesh përpiqet t’i shmangë radhët në banka. Ndërsa në Kinë, duket se nuk duan të heqin dorë nga radhët dhe kësisoj ka lindur banka e parë në botë pa punonjës, por plot me robotë. Little Dragon, roboti i filialit të “Jiujiang Road” të “China Construction Bank”, i pyet klientët që hyjnë se “Si mund t’ju ndihmoj sot?”. Dhe që nga atje nis të ofrojë këshilla duke komunikuar me klientët, duke pranuar karta bankare dhe duke kontrolluar llogaritë. Sportelet automatike ndihmojnë me shërbime si hapje llogarie, transferim parash dhe këmbimin në valutë të huaj.

 

Një magazinë me vetëm 4 punonjës dhe mijëra robotë

Ndër gjigantët kinezë të blerjes online, pas Alibaba-s, disa kohë më parë JD.com njoftoi në Shangai një qendër të re të madhe për shpërndarjen e shitjeve të mbledhura në internet, në gjendje të organizojë, paketojë dhe të dërgojë 200 mijë porosi në ditë. Një detaj i vogël: nuk ka më shumë se 4 punonjës të punësuar, që në të vërtetë shërbejnë të furnizojnë mijëra robotët.

 

Burimi: Corriere della Sera

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz