Diferenca mes interesave të kredive e depozitave është rritur nga 5.46% në shtator 2011, në 7.3% në mars 2015, një nivel rekord ky, që nga fillimi i lehtësimit monetar….
Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë, që prej tre vitesh e gjysmë po tenton uljen e kostos së lekut, duke nxitur kreditimin dhe investimet në ekonomi, duket se ka qenë më efektive në uljen e interesave që kursimtarët fitojnë për depozitat e tyre.
Sipas statistikave mujore të Bankës së Shqipërisë norma mesatare e interesave të kredisë (për të gjitha afatet e maturimit) ishte 8.25%, nga 8.01% që ishte ky tregues një muaj më parë. Rritja ka ardhur si pasojë e shtrenjtimit të huasë afatshkurtër, deri në 1 vit, që është dhe kredia që përdoret nga biznesi për capital qarkullues (plotësimin e nevojave të shpejta për likuiditet). Ky shtrenjtim vjen në linjë me shtrëngimin e standardeve të kredidhënies për bizneset në tremujorin e parë, botuar nga Banka e Shqipërisë pak ditë më parë. Interesat e kredisë kanë arritur në nivelin më të lartë që nga nëntori i vitit të kaluar, ndonëse gjatë kësaj periudhe Banka e Shqipërisë ka ulur dy herë normën bazë (në dhjetor 2014 dhe janar 2015). Edhe huaja për ekonominë në tremujorin e parë 2015 është ngadalësuar ndjeshëm. http://www.monitor.al/?p=134324
Në të kundërt, interesat e depozitave në lekë kanë vijuar rënien. Për kursimet 12 mujore, kthimi mesatar në mars ishte 1.46%, nga 1.57% që ishte një muaj më parë. Ulja e vazhdueshme e normave të interesit ka bërë që individët të ulin depozitat në lekë, në kërkim të alternativave të tjera të investimit.
Që nga shtatori i vitit 2011, kur filloi politikën lehtësuese agressive, norma bazë ëhstë ulur 13 herë, për të zbritur aktualisht në 2%.
Për të njëjtën periudhë, diferenca mes interesave të kredive e depozitave është rritur nga 5.46% në shtator 2011, në 7.3% në mars 2015, një nivel rekord ky, që nga fillimi i lehtësimit monetar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.